Dialogu e asociacioni, Vetëvendosje tregon prioritetet e Qeverisë

Politika

Dialogu e asociacioni, Vetëvendosje tregon prioritetet e Qeverisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 shkurt 2023 Në ora: 08:07
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Dialogun nuk e kanë konsideruar si çështje me prioritet, por Lëvizja Vetëvendosje tash e dy vite qeverisje është marrë mjaftueshëm me të.

Kryetari i VV-së, tashmë kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se dialogu është prioritet i gjashtë apo i shtatë i qeverisë së tij, ndërsa dialogu dhe zgjidhja e tij, ka marrë vëmendjen dhe fokusin e kryeministrit.

Asociacioni për formimin e komunave me shumicë serbe dhe plani franko- gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, janë çështjet të cilat “konsiderohen” sfiduese për shtetin, e para që kundërshtohet nga kryeministri, e dyta që u pranua javën që shkoi.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të thotë se prioritetet e qeverisë janë tjera, ndërsa analistët politikë thonë se dialogu ka qenë sfidues edhe për qeveritë e më hershme, siç është edhe për qeverinë Kurti.

Prioritetet e Qeverisë

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se drejtësia dhe punësimi janë prioritetet e Qeverisë.

Sipas tij, Kosova është avansuar dukshëm në dialog gjatë kësaj qeverisje, gjersa shton se tashmë ajo është palë dhe jo temë.

“Prioritetet e Qeverisë janë drejtësia dhe punësimi. Aty është edhe pjesa më e madhe e angazhimit të qeverisë. Dialogu në anën tjetër është përgjegjësi institucionale të cilën qeveri po kryen me sukses. Kosova tash është palë në dialog e jo temë, siç ka qenë në të kaluarën. Ka një kryeministër që është parimor dhe të përgatitur që nuk ndihet inferior ndaj Serbisë. Kosova ka avancuar dukshëm pozitën e saj në dialog gjatë Qeverisë Kurti”, pohon Bajqinovci.

Image
Mefail Bajqinovci

Lëvizja Vetëvendosje pas fitores së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, deklaronin se dialogu duhet të ketë një qasje të re.

Sipas zëdhënësit të VV-së, Përparim Kryeziu, dialogu duhet të ketë “së pari karakter transformues, të bazuar në parime e vlera për dallim nga ai transaksional, të bazuar në interesa momentale dhe me logjikën ‘duhet te japësh diçka për të marrë diçka’”.

“Dialogu duhet të jetë trans-atlantik, në kuptim të koordinimit në mes Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por edhe në kuptim të integrimit perëndimor si synim në vete për të dy palët. Është në të mirë të të gjithëve që ky proces të jetë me parime të qarta dhe me qasje të sinqertë, duke synuar që të jetë gjithmonë në shërbim të popujve e jo qeverive të momentit apo individëve të momentit”, kishte deklaruar Kryeziu pas fitores.

Sfida me dialogun

Analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se qeveritë e më hershme sfidë të veçantë e kanë pasur dialogun për shkak të qasjes së Vetëvendosjes.

Sipas tij, Vetëvendosje nëse ka diçka që nuk e ka as në plan, e as në orbitën organizative, është dialogu.

“Sa i përket temës sfida në dialog me Serbinë, duhet theksuar se kjo temë ishte sfidë për të gjitha qeveritë e Republikës së Kosovës. Në ketë kontekst duhet po ashtu të theksohet se për qeveritë e mëparshme sfidë e veçantë ishte dialogu i mbrëmshëm si shkak i agresivitetit dhe destruktivitetit të VV-së në proces gjë që kjo qeveri e ka me të lehtë. Në anën tjetër, kur flasim për dialogun- negociatat , duhet po ashtu të theksohet se Lëvizja Vetëvendosje, nëse ka diçka që nuk e ka as në plan as në orbitën organizative, atëherë është dialogu; qoftë ai social, qoftë politik i brendshëm, qoftë i jashtëm. Ky subjekt, ka filluar me sloganin "Jo negociata-Vetëvendosje" dhe ka vazhduar të bëj çdo gjë që në ketë mes të mos ketë dialog. Përgjatë prezantimit të platformës para zgjedhjeve, kanë deklaruar një lloj dialogu me komunitetin serb në Kosovë, por që në realitet, në qeveri e bënë të kundërtën”, pohon Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj thotë se Qeveria ka mungesë transparence në raport me dialogun e Brukselit.

“Pra në vend të dialogut dhe integrimit të serbëve lokal, ndodhi konflikti dhe dezintegrimi total gjë që përpos Serbisë që i orkestron këto zhvillime, një faj goxha të madh e ka edhe Qeveria e Kosovës, pasi që ra nën ndikimin e lojërave të Vuçiqit, duke u shndërruar në bashkëpunëtorë. Pos kësaj z. Kurti dhe Qeveria e tij, kanë prodhuar klimë permenante konflikti me bashkësinë ndërkombëtare. Në anën tjetër, ka provua të jetë Qeveria më së paku transparencë në raport me dialogun e Brukselit. Qeveria Kurti, në njërën anë, del çdo ditë me deklarata kundër marrëveshjes dhe në anën tjetër fletë për marrëveshje, apo pajtim me planet e marrëveshjes edhe pse në to nuk përfshihet njohja e Kosovës nga Serbia. Pra z. Kurti dhe Qeveria e tij, kanë dëshmuar konsistencë në konflikte të brendshme dhe po ashtu konsistencë në devijimin e atyre postulatëve me të cilat morën edhe pushtetin”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat