Afera “McGonigal”/ Kërkohet dorëheqja e Ramës – ja pse rrezikohet Shqipëria!

Politika

Afera “McGonigal”/ Kërkohet dorëheqja e Ramës – ja pse rrezikohet Shqipëria!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 shkurt 2023 Në ora: 20:20
Protesta e opozitës (13 shkurt 2023)

Kundërshtimet dhe mospajtimet ndërmjet pozitës dhe opozitës në Shqipëri, kanë filluar tashmë të paraqiten edhe me anë të protestave. 

Sot, (e hënë 13 shkurt), nën sloganin “Shqipërisë i dalim zot”, opozita shqiptare mbajti protestën e katërt të thirrur nga Partia Demokratike (PD), që kur drejtimin e këtij subjekti e mori Sali Berisha. 

Protesta vjen pas rastit “McGonigal”, ish-zyrtar i lartë i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), i cili u arrestua edhe për lidhje të dyshimta biznesi me politikanë nga Shqipëria. 

Para qindra qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë së Shqipërisë, përfaqësuesit e opozitës kërkuan largimin e kryeministrit, Edi Rama. 

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se protesta e 11 shkurtit është dita e “siparit te revolucionit demokratik”. 

Kjo protestë nuk është hera e parë që po e ka në “shënjestër” dorëheqjen e kryeminsitrit Rama. 

Mirëpo a do të duhej tashmë që një dorëheqje e Ramës të realizohet? 

Shahu: Nuk e ka atë fat të mirë Shqipëria e gjithë shqiptarët që të japë dorëheqje Edi Rama 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu. 

Ai thotë që Shqipëria nuk ka kaq fat të mirë të japë dorëheqje Rama. 

Sipas tij do të ishte marrëzi ta mendojmë pasi Rama në vazhdimësi e dëshiron pushtetin dhe punon vetëm për të këqijat e saj. 

“Nuk e ka atë fat të mirë Shqipëria e gjithë shqiptarët që të japë dorëheqje Edi Rama, do të ishte marrëzi ta mendojmë. Ai nuk duhet të ishte asnjë ditë në pushtet dhe çdo orë që rri në pushtet ia shton të këqijat Shqipërisë”, u shpreh analisti. 

Image
Rexhep Shahu

Analisti e përmbyll bisedën duke thënë se Rama nuk ka trimëri që të dorëhiqet. 

“Por nuk dorëhiqet, as që mendohet sepse Rama nuk e ka atë trimëri që të dorëhiqet”, përfundoi Shahu për “Bota sot”. 

Mehmeti: Afera “McGonigal” është më e rënda në Shqipëri 

Ndërsa analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Rama nuk është dashur të vinte në pushtet fare. 

Sipas tij të këqijat në Shqipëri janë shtuar që nga ardhja e tij në pushtet. 

“Rama nuk është dashur të vinte në pushtet fare, rrugën e tij në kryeministri e bëri mbi katër kufomat e 21 janarit. Tani po bëhen 10 vjet që nga ardhja e tij në pushtet, të karakterizuar me shtim të varfërisë, ikje të qytetarëve, etiketim të vendit si “Kolumbi e Europës” dhe afera të shumta të korrupsionit”, thekson ai. 

Image
Faton Mehmeti

Analisti nga ana tjetër, shton që afera “McGonigal” është ngjarja që duhet të rezultojë me dorëheqje të Ramës. 

“Me ardhjen e Berishës në PD, është ringjallur opozita, e cila po ia shkurton jetën politike PS-së dhe Ramës. Afera “McGonigal” është më e rënda në Shqipërinë e tranzicionit, e jo vetëm që duhet të rezultojë me dorëheqjen e Ramës por edhe me ndjekjen e tij penale. Rama është e keqja më e madhe për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, i lidhur me Vuçiqin kriminelët e kanabisit”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”. 

Kujtojmë që protesta e opozitës (11 shkurt, 2023) nisi duke mbajtur një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Turqi dhe në Siri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat