Skandali në Shqipëri, analisti tregon aferat tjera korruptive të Ramës me Vuçiqin dhe politikanë evropianë

Politika

Skandali në Shqipëri, analisti tregon aferat tjera korruptive të Ramës me Vuçiqin dhe politikanë evropianë

Nga: Naile Ejupi Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 17:30
Edi Rama- Aleksander Vuciq

Protestat kundër kryeministrit Edi Rama pas publikimit të aferës McGonigal nuk kanë të ndalur.

Më 11 shkurt, opozita ka mbajtur rreth tri orë protestë, 2 orë në Bulevard para Kryeministrisë, 1 orë marshim nëpër Tiranë, ndërsa të hënën opozita me kërkesa të njëjta që të jap dorëheqje Rama, kanë protestuar para Kuvendit.

Deputetët e opozitës kanë folur njëri pas tjetrit në tubim, i cili filloi i qetë, e pastaj filluan fishekzjarrët në drejtim të policisë. Protestuesit u përpoqën, por nuk patën sukses të çanin rreshtimin e ngjeshur të policisë në hyrje të Kuvendit dhe më pas hodhën drejt tyre flakadanë, shashka dhe fishekzjarrë.

Në anën tjetër, brenda në seancë të Kuvendit, deputetët opozitarë kishin në krye të fjalës së tyre akuzat ndaj kryeministrit Rama, që i lidhin me çështjen McGonigal. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren ndërsa zoti Berisha mori fjalën disa herë teksa ndërpritej nga kryetarja Nikolla. Deputetët u frynë bilbilave dhe goditnin tavolinat me duar në shenjë proteste, duke kërkuar që çështja McGonigal të bëhet temë kryesore e diskutimeve në Kuvend.

Kryeministri Edi Rama ka mohuar çdo lidhje të tij me këtë çështje, ndërsa interpelancën e kërkuar me të për këtë temë ia delegoi seancën e kaluar ministres Elisa Spiropali për marrëdhëniet me Kuvendin.

Analisti politik në Shqipëri, Enver Bytyçi, thotë se çështja McGonigal është vetëm fillimi i publikimit të fakteve dhe provave në medien amerikane.

Ai paralajmëron valë të re artikujsh, ku zbulohen aktet anti- ligjore dhe anti- shqiptare të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

“Skandali dhe afera Rama-McGonigal është më e madhja dhe më e pabesueshmja në Evropë dhe SHBA. Ne nuk kemi asnjë rast tjetër si ky në historinë e këtyre dy kontinenteve. Nuk ka ndodhur që një kryeministër i ndonjë prej vendeve të Evropës të korruptojë dhe paguajë një nga krerët më të lartë të FBI-së amerikane për të asgjësuar opozitën dhe kundërshtarët e tij politikë. Ka ndodhur kjo vetëm me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Është vetëm fillimi i publikimit të fakteve dhe provave në medien amerikane. Ne do të shohim në ditët e javët e ardhshme një valë të re artikujsh, në të cilët do të zbulohen hap pas hapi të gjitha aktet anti-ligjore dhe anti-shqiptare të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama! Shqiptarët gjatë gjithë këtyre 7 viteve të fundit, por edhe më parë, pyesnin me çudi se nga i vjen kjo fuqi e pakufizuar Edi Ramës?! Ndërkaq Edi Rama gjatë gjithë kohës është shfaqur para publikut shqiptar, nga foltorja e parlamentit e deri te takimet si ai në Ndroq para zgjedhjeve të prillit 2021, si një person arrogant. Paraqitja e tij plot „perstigj“ dhe me triumf kundër Sali Berishës dhe kundërshtarëve politikë ishte gjithashtu një lloj provokimi i çuditshëm edhe për stabilitetin politik të Shqipërisë. Sa herë ka folur Edi Rama kundër opozitës, ai ka përmendur mbështetjen dhe lidhjet e tij „të fuqishme“ me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thekson Bytyçi.

Analisti thotë se Rama përveç që ka lidhje korruptive me SHBA-të, ai ashtu ka edhe me Vuçiqin dhe liderët politikë të tjerë në Ballkan dhe Evropë.

Sipas tij, opozita përveç që mbron një interes publik, mbron edhe veten prej aventurave të një kryeministri të korruptuar e korruptues njëkohësisht.

“Unë jam i bindur se lidhjet e Edi Ramës me SHBA-të kanë qenë klienteliste, korruptive. Kam qenë i bindur për këtë gjithmonë. Ashtu siç jam i bindur se Edi Rama ka marrëdhënie korruptive me Aleksandër Vuçiç dhe liderë politikë të tjerë në Ballkan dhe Evropë e Amerikë. Por nisja e hetimeve në SHBA nisi të zbulojë publikisht dhe madje në SHBA e në Evropë këto lodhje korruptive të kryeministrit të Shqipërisë, të cilat i kemi thënë ndoshta edhe në mënyrë analitike dhe të hamendësuar prej shumë vitesh! Skandali ka bërë që opozita të reagojë me protesta. Sa më shumë do të thellohet skandali aq më e fortë do të jetë protesta dhe rezistenca e opozitës shqiptare. Sepse ky skandal zbulon shpërdorimin e parave publike nga ana e kryeministrit për ta luftuar dhe asgjësuar opozitën. Përveçse opozita mbron një interes publik, ajo mbron gjithashtu veten e saj prej aventurave të një kryeministri të korruptuar e korruptues njëkohësisht. Ato fakte, të dhëna dhe fakte që dalin çdo ditë në medien amerikane janë tronditëse”, thekson analisti.

Image
Enver Bytyçi

Ai përmend veprimet e mjaftueshme që Rama të jap dorëheqje, por sipas Bytyçit, ai ka zgjedhur heshtjen edhe për faktin se nuk e di se çfarë provash tjera do të publikohen kundër tij.

“Rama ka paguar një eksponent të FBI-së të firmosë një dosje dhe në emër të autoritetit të kësaj organizate sigurie ta dërgojë në Departamentin e Shtetit. Derisa Sekretari i Shtetit me lobim të Sorosit e merr seriozisht atë dosje dhe merr vendimin për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Shqipërisë. Më pas Rama ka përdorur paratë e taksave të shqiptarëve që të lobojë për ta marrë peng Lulzim Bashën me një të ashtuquajtur dosja Muzin për para ruse të pista. Unë jam i bindur se edhe kompania që ka paguar lobimin e Lul Bashës për një foto me Donald Trump është sajuar nga McGonigal me qëllim korruptimin e Lulzim Bashës. Dhe Luli me naivitet ka rënë në kurthin e marrjes penga nga Edi Rama. Ne e kujtojmë gjithë atë propagandë që kryeministri bëri kundër PD-së, opozitës dhe Lul Bashës kur ai vetë me McGonigal e zbuluan aferën. Pastaj po ata e mbyllën për ta marrë peng kryetarin e opozitës. Të gjitha këto janë veprime të mjaftueshme që Edi Rama të japë dorëheqjen. Por, ai ka zgjedhur të heshtë. Heshtja e tij ka të bëjë më shumë me faktin se Rama nuk e di se çfarë provash tjera do të publikohen kundër tij. Dikush e ka këshilluar t’i ikë debatit për këtë skandal të paparë në ndonjë rast dhe vend tjetër”, vazhdon Bytyçi.

Afera McGonigal, është skandal më i madh i të gjitha kohëve të shtetit shqiptar, sipas Bytyçit, gjersa shton se Rama nuk ka rrugë dhe mundësi tjetër mbijetese përpos dorëheqjes.

“ Ndërkaq mund të pohoj dhe të jap një parashikim, sipas të cilit e shoh Edi Ramën të dorëhequr ose të larguar nga funksioni i kryeministrit të Shqipërisë. SHBA-të e kanë dorëzuar atë te organet e drejtësisë tashmë. Nuk ka rrugë dhe mundësi tjetër që ai të mbijetojë. Megjithatë protestat do të vazhdojnë. Besoj se deri në mosbindje civile. Kjo do të thotë se qeveria është e rënë. Në fakt ajo është e paralizuar. Unë shoh te rilindasit e Ramës frikë, panik, ata janë arratis në drejtim të paditur. Kjo aferë e tmerrshme së bashku me aferën e inceneratorëve përbëjnë skandalin më të madh të të gjitha kohëve të shtetit shqiptar. Shqipëria ka pasur kriza më të mëdha se kjo e sotmja, si në vitin 1924, 1997 e shumë raste të tjera. Por skandale të tilla nuk ka pasur kurrë. Fera dhe skandali McGonigal – Rama është gjithashtu një akt turpërues jo vetëm për shtetin shqiptar, por edhe për të gjithë shqiptarët. Çdokush që ndjehet shqiptar duhet të turpërohet që shpërndan dollar amerikanë në garazhe makinash për të korruptuar zyrtarë të lartë amerikanë. Ky akt e turpëron edhe vetë Amerikën, ndaj dhe Uashingtoni është i shqetësuar dhe e hodhi në koshin e plehrave kryeministrin shqiptar, Edi Ramën”, përfundon Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat