Bytyçi jep lajmin: Ja pse Vuçiq mund të nënshkruajë marrëveshjen në Ohër pa u krijuar Asociacioni

Politika

Bytyçi jep lajmin: Ja pse Vuçiq mund të nënshkruajë marrëveshjen në Ohër pa u krijuar Asociacioni

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 17 mars 2023 Në ora: 08:07
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, mund të nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën, pa u krijuar Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Kështu është shprehur profesori dhe analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Bytyçi ka thënë se Vuçiq ndërroi qëndrimin dhe dha deklarata kompromisi me Kosovën, pas takimit me emisarët amerikanë dhe evropianë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyqi

“Nesër në Ohër do të takohen sërishmi dy bashkëbiseduesit në dialogun Kosovë-Serbi, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq. Si gjithnjë në këtë samit do të jenë të pranishëm ndërmjetësit evropianë, Borrell dhe Lajçak. Po ashtu dhe zoti Escobar. U bënë demarshe në Prishtinë e Beograd që të dy bashkëbiseduesit të pajtohen për ta pranuar dhe nënshkruar marrëveshjen e sponsorizuar nga francezët dhe gjermanët.

Aleksandër Vuçiq, si gjithnjë, para takimeve me Escobar ishte i prerë kundër nënshkrimit të saj. Dhe e kushtëzoi atë me formimin e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbë në Kosovë, si dhe me mos-pranimin e Kosovës në OKB. Por pasi atë e vizituan Lajçak dhe Escobar, dha deklarata kompromisi. Që do të thotë, se ai mund të nënshkruajë marrëveshjen pa u krijuar ky Asociacion, me të cilin ai kushtëzon pranimin”, ka thënë profesori.

Megjithëse parashikon që në takimin e Ohrit me 18 mars, do të mbetet pezull çështja e Asociacionit, Bytyçi nuk e përjashton mundësinë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të zotohet se do ta themelojë të njëjtin.

Sipas tij, nuk do të nënshkruhet marrëveshja Kurti-Vuçiq, bazuar në planin evropian, të përpiluar nga Franca dhe Gjermania.

“Unë nuk parashikoj që në Ohër të nënshkruhet një marrëveshje siç edhe është hartuar në projektin franko-gjerman. Mund të ketë një zotim, të nënshkruar ose jo, me të cilën palët do të zotohen për ta vazhduar dialogun me finish pranimin e marrëveshjes. Do të lihet hapur çështja e Asosacionit.

Mundet që zoti Kurti të zotohet se Kosova do ta krijojë këtë Asociacion, por pa specifikuar modelin dhe kohën se kur. Ne i dimë kushtet që kryeministri i Kosovës i ka shpall për ta krijuar këtë Asosacion”, ka theksuar më tej Enver Bytyçi për “Bota sot”.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni do të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, sipas analistit, Asociacioni do të përdoret nga Serbia për ndryshimin e kufijve me Kosovën. Megjithatë, ai nuk sheh arsye që kryeministri Kurti të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Ohër, nëse mënjanohet në këtë kohë formimi i Asociacionit.

“E kam thënë dhe e përsëris se në çfarëdo forme, Asociacioni do të përdoret nga Serbia për ndryshimin e kufijve. Prandaj, dhe së paku krijimi i tij, nëse premtohet për t’u realizuar, nuk do të duhet të krijohet pa njohjen e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Sepse, njohja do të ishte njëlloj garancie që nuk do të mund të ndryshohen kufijtë. Madje jo vetëm pas njohjes, por edhe pas njohjes së kufijve nga të dy shtetet. Nëse mënjanohet së paku në kohë krijimi i Asosacionit, Albin Kurti nuk ka asnjë arsye që të mos e nënshkruajë atë marrëveshje qoftë dhe ditën e nesërme në Ohër. Çdo çështje tjetër në atë marrëveshje nuk e dëmton pavarësinë dhe funksionalitetin e shtetit.”

Bytyçi sheh mundësinë që të arrihet pajtim mes të dyja vendeve, edhe për çështjen e Kishës Ortodokse në Kosovë, me një kusht.

“Mendoj se mund të arrihet marrëveshje e dakordësi edhe për çështjen e Kishës Ortodokse në Kosovë, por me një parim të panegociueshëm. Të njihet e drejta e institucioneve fetare ortodokse në Kosovë, por pa lejuar me marrëveshje praninë e Sinodit dhe Kishës Ortodokse të Beogradit.

Me formalizimin e shtetësisë, Kosova duhet që hap pas hapi ta realizojë edhe autonominë e pavarësinë e Kishës Ortodokse në Kosovë. Nëse nënshkruan ta zëmë për pronat e Manastirit të Deçanit me Kishën ose shtetin serb, atëherë legjitimon pronësinë e Beogradit mbi të. Prandaj, duhet shumë kujdes në detajet”, ka porositur profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat