Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrëfen humbjet e mëdha të ushtrisë serbe: Ja pse Serbia hakmerrej në popullatën civile

Politika

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrëfen humbjet e mëdha të ushtrisë serbe: Ja pse Serbia hakmerrej në popullatën civile

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 mars 2023 Në ora: 08:39
Dje është shënuar 24 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s

Dje është shënuar 24 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s. Bomardimet kanë zgjatur nga 24 marsi 1999 deri me 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.

Ish- komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hafir Hoxha, në përvjetor të bombardimeve ka rrëfyer për kohën e luftës.

Ai rrëfen sesi Serbia serbe filloi të hakmerrej ndaj popullatës civile, pas humbjeve që pësonte nga UÇK-ja.

Sipas tij, duke parë masakrat e Serbisë në Kosovë si sinjale që mos të përsëritet masakra e Srebrenicës, atëherë u morë vendimi që NATO t’i ndalte krimet serbe.

“Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës punonim për të zhvilluar luftë të gjatë 4- 5 vite, ngjashëm me BiH, aksentë kryesorë kishim të krijojmë resurse njerëzore, kuadro komanduese. Lufta varet nga katër faktorë kryesorë: 1. Njeriu, 2. Koha, 3. Vendi ku luftohet dhe 4. Faktori teknik (armatimi). Nga këto katër faktorë, Serbia kishte përparësi vetëm në faktorin katër, pra në teknik dhe armatim, kurse ne në tri faktorë tjerë kishim përparësi. Pasi, ushtria serbe filloi të hakmerrej në popullatën civile për shkak të humbjeve ushtarake nga UÇK-ja, ne shpesh herë detyroheshim të përmbaheshim dhe mos të sulmonim aty ku rrezikohej popullata civile. Filloi spastrimi entik, shpërngulja, dëbimi me dhunë nga ushtria serbe, ne nuk kishim fuqi ta ndalnim atë, pasi që ajo luftonte me popullatën civile. U zhvilluan disa masakra nga ushtria serbe dhe ato ishin sinjale se masakra e Srebrenicës mund të përsëritet edhe në Kosovë, atëherë u morë vendimi që NATO të ndalte krimet serbe”, rrëfen Hoxha.

Sipas Human Rights Watch, 60 për qind e rreth 528 të vrarëve ishin nga Kosova, derisa Serbia doli me numra se bëhej fjalë deri në 5700 të vrarë. Tre gazetarë kinezë u vranë në bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd.

Hoxha tregon se bombardimet e NATO-s në UÇK u pritën me gëzim të madh.

Duke qenë se nuk i dinin planet e NATO-s, Hoxha thotë se ata vazhdonin luftën në front, ndërsa NATO nga ajri, kjo sipas tij, e lehtësonte luftën.

“Ne në UÇK e pritëm me gëzim të madh bombardimet e NATO-s, të gjithë kemi pritur që ushtria serbe do të dorëzohej më shpejt, por nuk ndodhi. Ne në UÇK pasi nuk i dinim planet e NATO-së, vazhduam punët tona në zona, kuptohet tani shumë më lehtë, pasi që nga ajri sulmonte NATO, kurse ne filluam luftimet tani gati se frontale në Koshare dhe Pashtrik. Dy sulmet ishin nga kufiri me Shqipërinë, NATO detyroi ushtrinë serbe ta pranojë humbjen dhe të tërhiqet nga Kosova, po ashtu më kusht që vendin e ushtrisë serbe mos ta merrte UÇK, por forcat e NATO-s, kështu detyruan UÇK-në të transformohet, u shndërrua në një strukturë e uniforma ushtarake, por pa armatim, më shumë ishte projekt që të mbaheshin nën kontroll ish- pjesëtarët e UÇK-së”, deklaron Hoxha.

Image
Hafir Hoxha

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Pas luftës, Kosova filloi rrugëtimin drejt pavarësisë, Hoxha shprehet se ajo kishte probleme serioze politike.

Ai tregon sesi u harxhuan fondet pa asnjë transparencë dhe llogari dhënie, gjersa shton se u dhanë miliona e shuma të majme komandantëve.

“Kosova filloi rrugëtimin e saj drejt pavarësisë, kishim probleme serioze politike të brendshme për udhëheqjen e shtetit, u polarizuan dy orientimet politike, politikanët e LDK-së dhe politikanët e dalë nga lufta (krahu i luftës), kjo ndarje ishte gabim i madh për vendin. Mungesa e unitetit dhe stabilitetit politike, ka shkaktuar çrregullim dhe aktivitete të dëmshme në shoqëri, ku fillimisht u harxhuan dy fondet, “ Tre përqindëshi” dhe “Vendlindja thërret”, pa asnjë transparencë dhe pa llogari dhënie. Në “Vendlindja thërret” nuk dihej sa para janë mbledhur dhe sa para janë harxhuar, nga “Tre përqindëshi”, u dhanë disa komandantëve shuma, miliona, para, ku komandantët kurrë nuk treguan se ku shkuan ato para, pastaj edhe vetë ata të LDK-së i shpërndanin mes veti paratë tjera të tre përqindëshit, pasi që e dinin se nuk do të jepnin kurrë llogari shkaku i komandantëve, pasi aty edhe ata kanë përfituar shumë”, vazhdon ish- komandanti.

Ai thotë se pas luftës filloi përqarja politike, konfliktet mes liderëve dhe partive politike.

Hoxha kritikon qeveritë ndër vite, gjersa shton se njerëzit po ikin për shkak të mos perispektivës.

“Pastaj, filloi privatizimi i pronës publike në Kosovë, ku faktikisht shumicën apo pjesën më të madhe e blinin direkt apo indirekt ata komandantë dhe ata politikanë që kishin qasje në ato fonde të lartë përmendura. Përqarja politike, konfliktet mes liderëve dhe partive politike treguan pa pjekuri dhe mos seriozitet në qeverisjen e vendit. Qeveritë ndërroheshin shpesh, u zhvillua krimi ekonomik dhe korrupsioni, ra niveli i përgjegjësisë dhe i moralit në punë, në shëndetësi e arsim. Ekonomia private është e nivelit të ulët, papunësia e madhe dhe mos ekzistenca e një perispektive të të rinjve që shkollohen, të profesionalizohen, të punësohen dhe të krijojnë familje ua zbehu vizionin për një perispektivë në vend, prandaj edhe e braktisën Kosovën. Nga të gjitha këto të këqija, që vinë nga sallat e kuvendit të Kosovës që kur ka hyrë në funksion ai kuvend, ajo sallë, ata delegatë, liderë politikë nuk mësuam asgjë. Nga e keqja që ata i kanë sjellë këtij vendi dhe vazhdojnë të punojnë me akuza politike mes tyre, duke i shmangur problemet serioze që ka një qytetar, një banor, një familje e Kosovës. Ky 24 vjeçar pas bombardimeve na gjen më shumë milionerë, më shumë njerëz të pasur qe 24 vite që merren me politikë, na gjen me klasë të përgjysmuar me nxënës, na gjen me lagje, fshatra e rrugë të boshatisura nga rinia, na gjen me shtëpi të reja të mërgimtarëve të mbyllura, me ndërtesa e kate që ngulfasin njëra- tjetrën, me ish- liderë të UÇK-së dhe ish- kryetarin e shtetit dhe të kryeministrit në burg, por edhe me një asfalt që kudo që sillesh ka shumë rrugë që janë shtruar mbi tetë herë brenda këtyre 24 viteve. Ky përvjetor, i gjen fshatrat me dy, tri bagëti, e para luftës ishin mbi 1000 bagëti dhe tani në ato fshatra shitet qumështi i Alpeve, i bujkut slloven. Bujku slloven me 1200 pagë mujore paska llogari me u kujdes për kafshë, ta paketojë qumështin, ta transportojë 800 kilometra deri në katund të bujkut nga Kosova me 170 euro rrugë, ja kjo është logjika e shtetit tonë 24 vite pas bombardimeve të NATO-s kundër firmave ushtarake serbe”, përfundon Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat