Zgjedhjet në veri, Kelmendi paralajmëron veprime të rrezikshme – përmend dy grupe kriminale!

Politika

Zgjedhjet në veri, Kelmendi paralajmëron veprime të rrezikshme – përmend dy grupe kriminale!

Nga: A.M. Më: 31 mars 2023 Në ora: 16:04
Policia e Kosovës në veri

Javën e kaluar u konsumua afati përfundimtar kur Këshilli Qendror Zgjedhor mund të pranonte kandidaturat dhe certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Lista Serbe, si subjekti më i votuar në ato zona (me afro 90% të elektoratit) i bojkotoi ato për të dytën herë, duke e vënë sërish në pikëpyetje mundësinë e mbajtjes së tyre.

Ndër dy kushtet që Lista Serbe i artikulon për pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje pas dorëheqjes masive nga institucionet në veri në nëntor të vitit të kaluar, ata thanë se mbetet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe “tërheqja e të gjitha njësive speciale” policore të Kosovës nga atje.

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se se e gjithë veprimtaria kriminale e Listës Serbe varet nga Aleksandar Vuçiq.

Krahas kësaj, ai paralajmëroi se mund të ketë veprime të rrezikshme në veri, në prag të zgjedhjeve lokale.

“Lista Serbe është një subjekt i krijuar, i organizuar dhe i udhëhequr nga krimineli i luftës A. Vuçiq. Tërë veprimet kriminale të këtij subjekti varet nga ky kriminel dhe nga politika e shtetit serb.

Sipas qëndrimeve që ka shteti serb, sidomos tash, mund të priten veprime shumë të rrezikshme dhe agresive kriminale në veri të Republikës. Kuptohet se Lista Serbe është deklaruar se nuk merr pjesë në zgjedhjet e organizuara nga ana e shtetit të Kosovës dhe se çdo gjë do të bëjë që këto zgjedhje të dështojnë, ky është qëllimi aktual edhe i Beogradit”, deklaroi profesori.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmend

Sipas Kelmendit, veprimet në veri, do të varen nga zgjedhjet lokale dhe ndikimi i dialogut Kosovë-Serbi.

“Veprimet destabilizuese me aksione kriminale do të varen nga suksesi ose mossuksesi në zgjedhje. Këtu ndikim do të ketë edhe procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Nga këto dy synime do të varen edhe aktivitetet kriminale në veri të Republikës.

Atje, në veri të Kosovës, veç janë dy grupe kriminale shumë fortë të organizuara. Është grupi i armatosur i shtetit serb i dërguar nga krimineli i luftës Vuçiq dhe grupi tjetër, vullnetarët kriminalë rusët “Vrangelit”, që operojnë”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, profesori vlerësoi se veprimtaria e këtyre grupeve kriminale udhëhiqet nga Beogradi.

Krahas kësaj, kritoi qasjen e ‘butë’ të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.

“Gjitha veprimet e tyre kriminale udhëhiqen nga Beogradi. E kuptueshme është se këtë veprimtari e njohin në qendrat evropiane. E njohin në Bruksel dhe në Uashington dhe e tolerojnë. Për më tepër bashkëpunojnë në kriminelin e luftës dhe e kanë vënë Kosovën me shpatulla për muri.

Republika është vënë në politike të rëndë, pikërisht për të kënaqur interesat shoveno-serbomadhe, me idenë e UE-së dhe të Uashingtonit, se kështu po tërhiqet Serbia nga ‘nëna’ Rusi. Një pikësynim abstract”, potencoi Kelmendi.

Në fund, shtoi se shteti serb po bën cmos që ta dëmtojë dhe ta ndajë Kosovën, derisa tregoi pikësynimet nga të cilat varet gjendja në veri.

“Çdo politikan që vjen në Ballkan, pavarësisht se nga vjen, e ka hallin e shtetit serb, e jo të Kosovës. Shqiptarët janë objekt i raporteve euro-amerikane me Serbinë. kjo, ka krijuar gjendjen e rëndë për Kosovën dhe nga shteti priten veprime të ndryshme të aktivitetit kriminal me veri të Republikës.

Serbia po i shfrytëzon këto raporte dhe po bënë çmos për të dëmtuar shtetin e Kosovës dhe të ndaj atë. Me këtë politike po krijohet edhe një Republike serbe, po bëhen tri shtete serbe në Ballkanin Perëndimor. Nga këto pikësynime do të varet edhe gjendja në veri të Republikës së Kosovës. Shovenizmi serbo madh është në aksion të ashpër”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat