“Në terren nuk kemi vërejtur zbatim” - Drejtuesi i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndër-etnike flet për marrëveshjen e Ohrit

Politika

“Në terren nuk kemi vërejtur zbatim” - Drejtuesi i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndër-etnike flet për marrëveshjen e Ohrit

Nga: Naile Ejupi Më: 1 prill 2023 Në ora: 14:14
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Kanë kaluar disa javë që nga pajtimi i marrëveshjes Kosovë- Serbi për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Tashmë marrëveshja do të duhej të zbatohej, mirëpo deklarime zyrtare rreth zbatimit të saj ende nuk ka.

Është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai që ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta dënojë Serbinë për shkelje të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.

Kjo pasi që sipas tij Beogradi zyrtar ka ndikuar në mënyrë direkte te Lista Serbe, e cila ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhjet jashtëzakonshme të 23 prillit për katër komunat Veriore të Kosovës.

“Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në 4 komunat veriore të Kosovës. Kjo është një shenjë e qartë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës. BE-ja duhet të dënojë këtë shkelje të shpejtë të Marrëveshjes Themelore”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndryshe nga Kurti, ambsadori amerikan në Kosovë, , Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se një pjesë e marrëveshjes së Ohrit është duke u zbatuar.

Rreth kësaj, ka folur Drejtuesi i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, Fatmir Sheholli.

Sheholli në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk kanë informacione rreth zbatimit të marrëveshjes.

Sipas tij, në terren nuk është vërejtur diçka.

“Ambasadori amerikan në Kosovë deklaroi se një pjesë e marrëveshjes së Ohrit tashmë po zbatohet, por nuk tregoi cila pjesë po zbatohet. Besoi që ambasadori Hovenier është në rrjedha detajisht dhe ka informacione që ne si shoqëri nuk i kemi, andaj nuk dëshiroj të spekuloj, sepse në terren nuk kemi vërejtur diçka që është duke u zbatuar, por SHBA-të me siguri e dinë se çka deklarojnë dhe besoj plotësisht që Hovenier ka deklaruar me saktësi se diçka po zbatohet”, deklaron Sheholli.

Image
Fatmir Sheholli

Në anën tjetër, Kosova dhe Serbia javën e ardhshme do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, e para që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar. Më 4 prill do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe.

I pyetur se çka mund të sjellë takimi i 4 prillit, Sheholli thotë se “takimi i 4 prillit do të provojë të sjellë dakordim për takimin Kurti- Vuçiq në fund të Prillit”.

Kujtojmë se pas marrëveshjes bazë të dakorduar më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan edhe më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje, megjithëse nuk pati nënshkrim të saj.

Në kuadër të aneksit të zbatimit të marrëveshjes, palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente. Ndërkaq, për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat