Goditja që Gërvalla i dha Serbisë në OKB – Kosovës i kërkohet të shtojë lobimin për anëtarësim në çdo organizatë ndërkombëtare!

Politika

Goditja që Gërvalla i dha Serbisë në OKB – Kosovës i kërkohet të shtojë lobimin për anëtarësim në çdo organizatë ndërkombëtare!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 maj 2023 Në ora: 11:51
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla

Të enjten, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla Schvarz, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ajo foli për situatën në Kosovë, por edhe për gjendjen në rajon. Gërvalla, qysh në fillim të fjalimit të saj, e shprehu pakënaqësinë për, siç tha ajo, moslejimin e komunikimit në gjuhën shqipe.

Tutje, në fjalimin e saj, ministrja Gërvalla tha se sjellja agresive e Serbisë dhe aleanca Rusi - Serbi e kërcënojnë paqen në rajon.

Shefja e diplomacisë pati vërejtje edhe ndaj raportit të UNMIK-ut për Kosovën.

Por, ajo çfarë mori vëmendjen e publikut ishin deklaratat e forta që Gërvalla i bëri Daçiqit dhe kjo arriti një përplasje mes dy palëve.

Në fjalën e saj, ministrja Gërvalla i përmendi marrëveshjet që janë arritur në Berlin, ku janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, si, bie fjala, për diplomatë, për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të cilat i kanë miratuar Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe afër nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve është edhe Mali i Zi, ndërkohë, siç u shpreh ministrja Gërvalla, shtetet që janë nën ndikimin e Vuçiqit e Daçiqit janë duke e bllokuar procesin, ndonëse Vuçiqi e ka nënshkruar marrëveshjen, por propaganda vazhdon.

Ahmeti: Paraqitja e ministres Gërvalla në Këshillin e Sigurimit ishte e shkëlqyer

Image
Analisti politik Hidajet Ahmeti.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Hidajet Ahmeti.

Ai u shpreh se paraqitja e Gërvalles, ishte e shkëlqyer dhe se këto shanse të paraqitjes në takime ndërkombëtare, përfaqësuesit e Kosovës duhet t’i shfrytëzojnë.

“Paraqitja e ministres Gërvalla në Këshillin e Sigurimit ishte e shkëlqyer, duke e paraqitur të vërtetën në mënyrë objektive, e cila çdoherë është mundur të shtrembërohet. Përfaqësuesit e Kosovës duhet të shfrytëzojnë çdo mekanizëm ndërkombëtare për ndryshuar propagandën e vazhdueshme serbe ndaj Kosovës. Shteti serb ka investuar jashtëzakonisht shumë për të shtrembëruar historinë e hidhur të saj, e cila Serbisë i jep statusin e një shteti agresor e gjenocidial”, tha analisti.

Ndër të tjera, analisti shtoi që përfaqësuesit e Kosovës nuk është dashur, por as nuk duhet të jenë inferior ndaj Serbisë.

“Përfaqësuesit e Kosovës nuk është dashur, por as nuk duhet të jenë inferior ndaj Serbisë, pasi shteti i Kosovës është ndërtuar mbi parimet e drejta dhe objektive. Kurse, Serbia po mundohet përmes propagandës me ndërtu paqe të rrejshme, e cila nuk i ndihmon normalitetit dhe stabilitetit rajonal e ndërkombëtare”, foli Ahmeti për “Bota sot”.

Burjani: Duhet të lobohet më shumë

Image
Juristi Blerim Burjani

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Kosova duhet të lobojë edhe më shumë të bëhet anëtare e OKB-së në mënyrë që të mos merret Kosova më me Serbinë.

“Pothuajse nuk ka pas strategji tjetër të raportimit në OKB, të gjithë njëjtë, prezantimet në këtë OKB të Kosovës duhet të evoluojnë me kohën e sotme. Po sikur edhe kërkesës që të bëhet anëtare e OKB, pra lobimi duhet shumë i madh, dhe për të mos u marr me Serbinë e cila flet vetëm për 1244, dhe të kërkoj pezullimin e plotë të raportimit për Kosovën në OKB, dhe të punohet në drejtim të nxjerrjes së një rezolute të re e cila do të përmbajë vetëm KFOR si instrument i sigurisë në Kosovë”, tha juristi.

Krejt në fund, Burjani u shpreh se mund të tingëllojë e pamundur kjo punë për të qenë pjesë Kosova në OKB mirëpo me punë të madhe të MPJD mund të arrihet.

“Edhe pse kjo tingëllon ende si e pamundshme, por gjithsesi së MPJD duhet të punojë më shumë”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat