Pa zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve, nuk ka kuptim të flitet mbi lirinë e medieve në Kosovë

Politika

Pa zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve, nuk ka kuptim të flitet mbi lirinë e medieve në Kosovë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 3 maj 2023 Në ora: 08:03
Gazetari i "Bota sot", Bardhyl Ajeti

Tre maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, datë kjo e cila përkujtohet çdo vit për të sjellë në vëmendje se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të njeriut.

Edhe 3 maji i këtij viti e gjen Kosovën me dy gazetarë të vrarë të gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajetin e Bekim Kastratin, si dhe bashkëpunëtorët Enver Maloku e Xhemail Mustafa, vrasja e të cilëve mbetet ende një enigmë e pa zbuluar.

Gazeta “Bota sot”, si njëra ndër mediat më të guximshme në raportimin e së vërtetës, ka qenë vazhdimisht cak i sulmeve ndaj saj. Këto sulme kulmuan në vitin 2002 edhe me dërgimin e granatës ruse në selinë e gazetës “Bota sot” në Zvicër, e cila për fat të mirë nuk shpërtheu.

E për këtë akt, pas 15 vitesh u dënua me 10 vite burgim Jeton Lleshi, i cili u arrestua nga policia zvicerane në Zvicër.

Por edhe përkundër dënimit të Lleshit, Asociacioni i gazetarëve në Kosovë, si dhe kolegë gazetarë, analistë e politikanë nuk reaguan fare për dënimin e Lleshit.

Po ashtu, edhe për këtë tre maj, ani pse “Bota sot” ka shprehur interesimin dhe ka dërguar pyetje në AGK, ata kanë zgjedhur të heshtin për kërkim zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve të gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajetin e Bekim Kastratin, si dhe bashkëpunëtorët Enver Maloku e Xhemail Mustafa.

Shpresa te Gjykata Speciale

Image
Nexhat Haziri

E sipas analistit Nexhat Haziri, shpresa e vetme për zbardhjen e këtyre vrasjeve është Gjykata Speciale.

Unë shfrytëzoj rastin që përmes gazetës tuaj t’iu bëjë thirrje institucioneve të drejtësisë në Kosovë, por edhe Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, që të zbardhen vrasjet e gazetarëve si ajo e Enver Malokut, Afrim Maliqit, Ismajl Berbatovcit, Xhemail Mustafës, Shefki Popovës, Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

Ai thotë se vetëm me zbulimin e vrasjes së gazetarëve të gazetës “Bota sot”, në Kosovë mund të flitet për lirinë e shprehjes.

Vetëm me zbardhjen e këtyre vrasjeve dhe nxjerrjen e akterëve para drejtësisë, atëherë ka kuptim për të folur mbi lirinë e mediave në Kosovë”, dekalron Haziri.

3 maji, që është njëherit edhe dita botërore e lirisë së mediave, përveç që na përkujton që ne si shoqëri duhet të bëjmë akoma më shumë për respektimin e lirisë së mediave, e cila ka tendenca gjithnjë e më shumë për tu cenuar, sidomos nga qeveria aktuale por edhe nga faktor të tjerë politik e fetar, siç e kishim rastin me kolegun Valon Sylën, apo edhe të sulmit ndaj shtëpisë së kolegut Alban Selimi, në të njëjtën kohë na e përkujton edhe obligimin që kemi si shoqëri për zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovë”, përfundon për “Bota sot” analisti dhe gazetari Nexhat Haziri.

Goditjet më të rënda ndaj fjalës së lirë

Image
Faton Mehmeti

Kurse, sipas analistit Faton Mehmeti, vrasja e Bardhyl Ajetit dhe Bekim Kastratit janë vrasjet më të rënda që i dhanë goditje lirisë së shprehjes në Kosovë.

Vrasja e Bardhyl Ajetit së bashku me atë të Bekim Kastratit janë më të rëndat në Kosovën e pasluftës në kuadër të goditjes ndaj fjalës së lirë. Duke ditur se “Bota Sot” ka qenë dhe vazhdon të jetë luftëtare e fjalës së lirë, armiqtë e fjalës së lirë e goditën atë duke i vrarë gazetarët dhe bashkëpunëtorët”, thekson Mehmeti.

“Këtu përmendim Xhemail Mustafën dhe Enver Malokun përmes të cilëve armiqtë synuan të godasin të vërtetën. Me rastin e ditës botëroreve të Lirisë së mediave gazeta “Bota Sot” e ka të drejtën për të kërkuar të gjinden autorët e vrasjeve të gazetarëve të saj, si askush tjetër është e lënduar dhe e goditur nga kriminelët. Gjithashtu, “Bota Sot”, meriton vlerësim për guximin dhe mbrojtjen e të vërtetës edhe me jetë, ndonëse asnjëherë e pa dorëzuar”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat