A u barazua viktima me agresorin? Deklarata për të zhdukurit – Dyshime te Vuçiqi, kjo mund të jetë prapavija!

Politika

A u barazua viktima me agresorin? Deklarata për të zhdukurit – Dyshime te Vuçiqi, kjo mund të jetë prapavija!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 maj 2023 Në ora: 10:10
Bruksel, 2 maj 2023.

Të martën që kaloi, Kosova dhe Serbia përfunduan edhe një raund të bisedimeve.

Në atë takim u miratua Deklarata për të Zhdukurit. I dërguari evropian Joseph Borell tha se BE-ja e mirëpret miratimin e saj dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve”, tha, mes tjerash, Borrell.

Miratimin e kësaj deklarate e kanë mirëpritur presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm.

“Shpresojmë që Deklarata e rënë dakord në Bruksel do të hapë rrugën për njohjen e këtyre krimeve dhe për drejtësinë. Por mbi të gjitha, një moment lehtësimi për familjet që kanë pësuar dhimbje dhe vuajtje të pashpjegueshme.

Kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm dhe për këtë, siç e dimë nga marrëveshjet e mëparshme, Serbia ka një histori të paimagjinueshme”, ka thënë ndër tjera ajo.

Edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka thënë se përmes kësaj Serbia do të hapë arkivat shtetërore, duke përfshirë edhe ato të klasifikuara.

“Serbia për herë të parë pranoj përmes një dokumenti zyrtar, t’i hap arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara.

I bindur se Deklarata e miratuar është vetëm hapi i parë që kërkon domosdoshmërisht mbikëqyrje dhe presion të vazhdueshëm të SHBA-ve e BE-së mbi Serbinë, për zbatimin obligimeve të marra, deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur në Kosovë”.

Elezaj: Kjo “gatishmëri” e palës serbe është vetëm një farsë kriminale

Image
Rexhep Elezaj

Analisti Rexhep Elezaj në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, edhe u miratua Deklarata për të Zhdukurit, presidenti serb u munda ta keqpërdor dhe të bëjë propagandë, gjoja duke kërkuar që të hapeshin 9 varreza në Kosovë, ku sipas tij, nuk kanë vrarë vetëm serbët.

“Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dje në Bruksel ishte vazhdimësi e diskutimit të agjendës së akorduar në takimin e Ohrit me 18 mars, ku të dyja palët u pajtuan rreth Aneksit për implementimin e Marrëveshjes së BE-së për Kosovën, dhe ku njëra ndër çështjet ishte diskutimi për arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve, meqë rast palët janë pajtuar rreth Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur. Mirëpo, këtë deklaratë fashisti, Aleksandër Vuçiq, para gazetarëve në Bruksel e keqpërdori në mënyrë flagrante për të bërë propagandë kundër Kosovës dhe shqiptarëve.

Pra, në njërën anë foli për gjoja gatishmërinë e Serbisë për të bashkëpunuar me palën shqiptare në gjetjen e personave (viktimave shqiptare) të zhdukur në Serbi, për gjoja shkaqe humane dhe civilizuese, kurse në anën tjetër, kërkoi nga pala shqiptare që edhe ajo ta bën hapjen e gjoja 9 varrezave në Kosovë, ku siç pretendon Beogradi zyrtar të vrarit janë serbë, por që gjoja ka qenë pala kosovare ajo e cila nuk e kishte lejuar hapjen e tyre. Pra, duke tentuar pa fije turpi që ta barazojë viktimën me xhelatin, dhe se gjoja nuk qenkan vetëm serbët ata që paskan vrarë shqiptarë, por na qenkan edhe shqiptarët që kanë vrarë serbë, dhe këtë synim të tij bizar e vërteton cekja nga ai e numrit prej gjoja 568 serbëve të zhdukur nga gjithsejt 1621 të pagjetur deri më tani,”, thotë ai.

Ai këtë veprim e cilëson manipulues, duke shtuar se Vuçiq po manipulon opinonin vendor dhe ndërkombëtarët.

Ai shton, se Vuçqi gënjen në atë që thotë i cili për më shumë se 30 vite nuk arriti të lirohet nga fashizmi dhe urrejtja e tij patologjike ndaj shqiptarëve.

"Ky ishte një veprim tipik i tij, ashtu siç bëjnë gjithmonë serbët duke e manipuluar opinionin vendor dhe ndërkombëtar, se gjoja Serbia është shtet humanitar dhe i civilizuar, e që kjo asgjë nuk ka të bëjë me humanizëm dhe civilizimin serb, sepse po të ishin serbët të tillë, çështjen e të pagjeturve, pra të 1621 kufomave të shqiptarëve të vrarë dhe të masakruar, nuk do t’i bartnin në Serbi, ku mbi 800 shqiptarë të vrarë do i hedhin në lumin Sava, ndërsa kufomat tjera do t’i groposin në 16 varreza masive nëpër Serbi. Ndërsa, siç dihet, mbi varrezën masive të qindra shqiptarëve në Batanjicë afër Beogradit do ndërtojnë pista betoni për aeroplan.

Pra, kjo “gatishmëri” e palës serbe është vetëm një farsë kriminale e dëgjuar nga vetë presidentit serb, për t’iu hedhur hy syve ndërkombëtarëve, se gjoja Serbia po bën dialog të sinqertë me shqiptarët, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe, kur dihet se pala serbe duke i manipuluar me sukses faktorët ndërkombëtarë arriti që në vitet 2016 – 2019 çështjen e pavarësisë së Kosovës ta vendos në tryezën e bisedimeve, kur sikur të mos ishte refuzimi kategorik i Gjermanisë, Kosova do ndahej qysh atëherë

Prandaj, unë nuk i besoj kurrë asaj çfarë thotë (gënjen) në vazhdimësi presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili për më shumë se 30 vite nuk arriti të lirohet nga fashizmi dhe urrejtja e tij patologjike ndaj shqiptarëve, ngase siç dihet, të gjithë politikanët e Serbisë pa dallim, kur flasin për Kosovën dhe shqiptarët nisen nga pozitat hegjemoniste dhe gjenocidale, se shqiptarët duhet zhbërë si njerëz dhe si popull, dhe se Kosovën, “djepin” e Serbisë, duhet ripushtuar dhe rikthyer nën hegjemoninë e Serbisë..”, nënvizon analisti.

Më tej, ai shprehet skeptik, duke thënë se Serbia pa një presion të fort ndërkombëtar nuk do ta implementojë as këtë marrëveshje.

“Madje, dje në Bruksel pala serbe ka arritur që ta heq nga teksti i saj formulimin, se Serbia është fajtore për zhdukjen e 1621 shqiptarëve të varrosur në Serbi, me të cilin veprim nuk është dashur të pajtohet pala shqiptare, sepse dihet fare mirë se pala serbe nuk do të ndërmerr asgjë për gjetjen e gjithë shqiptarëve të zhdukur në Serbi, siç premtoi Vuçiq para gazetarëve në Bruksel, i cili madje edhe këtë Deklaratë do ta keqpërdorë ekskluzivisht për interesa shtetërore serbe, dhe jo për t’ia kthyer të zhdukurit familjarëve të tyre.

Serbia pa një presion të fort ndërkombëtar nuk do ta implementojë as këtë marrëveshje, siç ka vepruar në 10-12 vitet e fundit, duke e shantazhuar në vazhdimësi me lloj-lloj provokimesh pavarësinë e Kosovës si dhe lirinë e 2 milion shqiptarëve me kërcënime me luftë dhe destabilizim të saj të brendshëm përmes Listës çetnike serbe në veri”, përfundon Elezaj.

Duhanaj: Deklarata mbi të zhdukurit gjatë luftës është një hap pozitiv përpara

Image
Leon Duhanaj

Edhe analisti Leon Duhanaj, thotë se ky është një hap pozitiv, por që druan se edhe Kosova u vu në paralele me Serbinë.

“Shprehja e gatishmërisë për të ofruar informacion mbi të zhdukurit gjatë luftës është një hap pozitiv përpara. Megjithatë, tek përkufizimi i kësaj deklarate, duket të kemi bërë gabime, pasi që në një formë apo tjetrën, Kosova është vendosur në status paralel, apo të ngjashëm si Serbia. Edhe Kosova në njëfarë forme e pranoi të ketë bërë krime dhe që duhet hapur arkivat!

Këtu do ta pyesja Kryeministrin, cilët arkiva?

Çfarë di ai, e që ne nuk e dimë?”, thekson ai.

Derisa, edhe Duhanaj shpreh skepticizmin e tij se kjo marrëveshje edhe mund të zvarritet.

“Këtu mund edhe të kemi probleme serioze, edhe për sa u përket të pagjeturve të zhdukur nga Serbia, pasi që kjo qasje iu ofron mundësi manovrimi dhe moszbatimi të pajtueshmërisë. Uroj që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të zhdukurve, edhe pse kam drojë se kjo punë prapë do të zvarritet, prapë do të neglizhohet dhe familjarët veç sa do të zhgënjehen edhe me shumë”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot.

Më poshtë mund ta gjeni deklaratën e plotë për personat e zhdukur:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave ende të zhdukur për t'i mbyllur vuajtjet e të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Inkurajimi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve,

Ne angazhohemi së bashku:

-Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

-Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,

-Për të siguruar qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 - 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,

-Të vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave ende të zhdukur,

-Për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,

-Të mundësojë dhe inkurajojë angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

-Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,

-Të krijojnë dhe të punojnë së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur,

-Të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.

-Detajet operacionale do të bien dakord në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat