“Me mujtë me hekë Asocacionin, e kisha hekë sot”/ Analistët komentojnë deklaratën e Kica-Xhelilit, thonë se LDK është në një “krizë të rrezikshme”

Politika

“Me mujtë me hekë Asocacionin, e kisha hekë sot”/ Analistët komentojnë deklaratën e Kica-Xhelilit, thonë se LDK është në një “krizë të rrezikshme”

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 maj 2023 Në ora: 08:02
Doarsa Kica-Xhelili

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka folur për Marrëveshjen e dakorduar në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, konkretisht për nenet 7 dhe 10.

Kica-Xhelili ka thënë se neni 10 i marrëveshjes tregon qartë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet.

Deputetja ka thënë se po ta kishte fuqinë do ta zhbënte Asociacionin dhe do të kthehej në vitin 2013, në dhomën ku ishte nënshkruar kjo marrëveshje, për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Me mujtë me hekë Asocacionin, e kisha hekë sot. Me pasë atë forcë, do ta kisha bërë”, ka theksuar ajo.

Natyrisht kjo deklaratë arriti të sjellë debate të mëdha në opinonin publik, pasi Kica-Xhelili është pjesë e njërës parti që ka nënshkruar Asociacionin në vitin 2013.

Zogaj: Rasti i Doarsës është dëshmi konkrete që tregon se LDK-në e ka zënë epidemia e “territ të pulave”

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti Skënder Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Ai u shpreh se deklarata e deputetes nuk është për t’u habitur.

Sipas tij, rasti i Doarsës është dëshmi konkrete, dëshmi e shëmtuar, që tregon së LDK-në e ka zënë epidemia e "territ të pulave", prandaj, disa nga deputetët e LDK-s ka kohë që kokorisin dhe e bëjnë vezën te komshiu.

Deputetja Doarsa Kica -Xhelili dhe jo vetëm kjo, janë deputete të LDK-së, por kjo nuk do të thotë se ato janë partiake të vizionit partiak të LDK-së, prandaj, nuk ka asgjë për t'u habitur që deputetët që në Kuvend ulen në pjesën e ulëseve të LDK-së, jo rrallë dalin me deklarata që nuk përkojnë me platformën e partisë që ua ka mundësuar të bëhen deputetë! Rasti i Doarsës është dëshmi konkrete, dëshmi e shëmtuar, që tregon së LDK-në e ka zënë epidemia e "territ të pulave", prandaj, disa nga deputetët e LDK-së ka kohë që kokorisin dhe e bëjnë vezën te komshiu, kështu që partia historike, e rezultatit epokal dikur, sot është stërkequr nga ardhjet e konvertuara që janë krejt rastësisht në LDK”, u shpreh ai.

Më tej, ai theksoi që deklarata në fjalë është një fjalë boshe që tregon se, LDK-ja ka krizë të brendshme partiake.

Deklarata e deputetes nuk do të mund ta ndodhte brenda një partie serioze, jo pse e kritikon qëndimin partiak të vitit 2013, por sepse, çështjen e 2013 e ka sqaruar Kushtetusja, dhe jo një deputete, por as krejt opozita nuk mundet me e heqë! Duke qenë kështu, deklarata në fjalë është një fjalë boshe që tregon se, LDK-ja ka krizë të brendshme partiake, krizë të rrezikshme”, përfundoi Zogaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Deputetja në fjalë erdhi në ulsen e Kuvendit me një parti tjetër

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota Sot”, tha që nuk janë aspak serioze deklaratat e deputetes Kica –Xhelili.

Sipas tij, deklarata e saj nuk duhet të merret seriozisht.

Si mund të besohet një përson që ndërron qëndrimet më shpesh se ndërron moti. Doorsa nuk e ka të drejtën morale dhe as politike për të folur për Asociacionin apo për të kritikuar dikë për këtë çështje. Deputetja në fjalë erdhi në ulësen e Kuvendit me një parti tjetër dhe tani është më dikë tjetër. Pra me partinë që e ka nënshkruar Asociacionin në fjalë për të cilin deputetja “kërkon forcë për ta zhbërë”. Deklaratë për konsum ditor asgjë më tepër”, u shpreh ai.

Në fund, analisti tha që deputetja në fjalë duhet të kërkojë llogari nga partia ku bën pjesë.

Personalisht nuk i marr shumë seriozisht deklaratat e saj. Forcë kanë njerëz që kanë kurajo, Doarsa e ka mundësinë për të kërkuar llogari nga partia në të cilën bën pjesë, në mungesë të guximit kërkon forcë “të mbinatyrshme”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat