Borrell me qëndrim të njëanshëm për raportet Kosovë - Serbi/ Ky shtet mund ta ndihmojë BE-në që të zbatohet marrëveshja e Ohrit

Politika

Borrell me qëndrim të njëanshëm për raportet Kosovë - Serbi/ Ky shtet mund ta ndihmojë BE-në që të zbatohet marrëveshja e Ohrit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 maj 2023 Në ora: 08:03
Albin Kurti, Josep Borrell dhe Aleksandër Vuçiq

Tensionet dhe provokimet të Serbisë dhe Kosovës duhet të mbarojnë, është shprehur përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell të mërkurën.

Borrell pas takimit me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, është shprehur se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i marrëveshjes së arritur në Bruksel është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënies Kosovë – Serbi.

Bashkimi Evropian është për bashkëpunim, është për fqinjësi dhe për të jetuar së bashku. Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të mbarojnë”, ka deklaruar ai.

Më tej u shpreh se atmosfera negative e mungesa e konstruktivitetit duhet të përmbyset.

Kjo pasi theksoi se të jesh anëtar i BE-së nënkupton të jesh në gjendje të bashkëpunosh, të veprosh si fqinj i mirë dhe të tejkalosh gjitha vështirësitë e kaluara.

Analistët politikë thonë se pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shihet qartë që Bashkimi Evropian nuk po mund t’i bëjë palët ta respektojnë marrëveshjen. Sipas tyre, BE duhet të jetë në koordinim me SHBA-në.

Haziri: Borrell të jetë i qartë dhe i vendosur në vërejtjet për palën që po e pengon procesin

Image
Nexhat Haziri

Nexhat Haziri, analisti politik në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se deklarata e Borrell është për t’ua tërhequr vërejtjen palëve.

Sipas tij, mos sanksionimi i palëve që nuk i përmbahen marrëveshjes dhe nuk fillojnë zbatimin e saj, shihet qartë se BE pa SHBA-në në këtë proces është e pafuqishme.

Është një deklaratë gjithsesi e përgjithësuar duke ua tërhequr vërejtjen të dy palëve, në këtë rast Borell shihet se presioni i tij është më shumë tek pala kosovare se sa te ajo serbe, çka nuk i kontribuon procesit. Si duket edhe përkundër paralajmërimeve të Brukselit për sanksione palëve të cilat nuk i përmbahen marrëveshjes dhe nuk fillojnë që t'i zbatojnë ato, shihet qartë se BE pa SHBA-n në këtë proces është e pafuqishme për të vendosur autoritetin e saj mbi palët dhe nga kërcënimet për sanksione të kalojnë në veprime. Shtrirja e autoritetit dhe ligjshmërisë nga ana e Kosovës në gjithë territorin e saj nuk duhet cilësuar si provokime ndaj Serbisë, pa çka që Prishtina zyrtare po tregon plogështi në drejtim të formimit të AKS-së në bazë të ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës”, pohon Haziri.

Sipas Hazirit, Borrell nuk duhet të vë balancë kur është në pyetje ngecja e përmbushjes apo respektimit të marrëveshjeve Kosovë- Serbi, por duhet të jetë i qartë dhe i vendosur.

Nga ana tjetër ne kemi Beogradin zyrtar i cili çdo ditë po tregon dekonstruktivitetin e vet për çfarëdo marrëveshje që është arritur në Bruksel dhe në Oher, duke mos i ndal provokimet dhe pengesat që po ia bënë Kosovës sidomos në anëtarësimin e kësaj të fundit në organizma ndërkombëtar, çka është shkelje flagrante e marrëveshjes së dakorduar në Ohër por edhe duke tentuar destabilitetin politik dhe të sigurisë në Kosovës përmes instrumentalizimit të minoriteti serb në Kosovë. Andaj në këto rrethana Borell nuk duhet të vë balancë kur është në pyetje ngecja e përmbushjes apo respektimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi, por të jetë i qartë dhe i vendosur në vërejtjet për palën që po e pengon procesin pra zbatimet e marrëveshjeve të arritura në mes Kosovës dhe Serbisë”, thekson Haziri.

Më 18 mars të këtij viti, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Duhanaj: Presioni në koordinim me SHBA-në do të japë rezultate

Analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se BE e bazuar në modelin e konsensusit politik, e ka çdoherë të vështirë operimin normal në temat e karakterit ndërkombëtar.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, presioni në koordinim me SHBA-në do të japë rezultate.

Thirrjet e përfaqësuesve të BE-së, pothuaj se çdoherë janë uniforme. Kanë mundësi të pakta ndikimi, që për një çështje t'i shtyjnë vërtetë gjërat përpara. BE, e bazuar në modelin e konsensusit politik, e ka çdoherë të vështirë operimin normal në temat e karakterit ndërkombëtarë. Në ketë kontekst, nuk besoj që ka shumë mundësi presioni nga Borrell. Megjithatë mendoj që presioni në koordinim me SHBA-në do të japë rezultate. Për sa i përket asaj se kujt duhet bërë presion me shumë e kujt me pak, nuk besoj që është aq detyrë e as në fuqinë tonë ta vlerësojmë, e aq me pak ta ndikojmë”, nënvizion Duhanaj.

Sipas tij, në mungesë të plotë të transparencës nuk dihet ku çalon më shumë, por Serbia është ajo që saboton çdo proces dhe me këtë edhe Kosovën.

“Palët kanë rënë dakord për tema të caktuara dhe këtyre duhet edhe t'u përmbahen. Kjo vlen si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën. Me qenë se kemi mungesë të plotë të transparencës, nuk mund ta dimë se ku çalon me shumë, edhe pse ne dimë se është Serbia ajo që saboton çdo proces e me ketë edhe Kosovën, duhet të jemi bashkëpunues me ndërmjetësit ndërkombëtarë, në mënyrë që mos të biem nën presion të drejtpërdrejtë. Mendoj që secili proces sado i gjatë, ka edhe fundin e tij, dhe kam besim që po shkojmë drejtë tij. Me rëndësi është që në fund të kemi çfarë të prezantojmë, prandaj transparenca dhe bashkëpunimi duhet me qenë alfa dhe omega për politikën e Kosovës”, shton Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat