Kryetarët nga PDK i shkuan në takim ambasadorit, të VV-së jo, a u politizua çështja e kryetarëve shqiptarë në veri?

Politika

Kryetarët nga PDK i shkuan në takim ambasadorit, të VV-së jo, a u politizua çështja e kryetarëve shqiptarë në veri?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 qershor 2023 Në ora: 12:20
Policia ne veri

Protestat në veri të Kosovës nuk janë duke u ndalë. Serbët në katër komuna veriore kërkojnë tash e pesë ditë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri.

Kryetarët shqiptarë janë zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit, pas dorëheqjes së kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe më 5 nëntor 2022.

Në zgjedhjet e 23 prillit nuk ka marr pjesë Lista serbe, “shkaktare” kjo që një pjesë e serbëve atje të protestojnë dhe t’i kontestojnë kryetarët shqiptarë.

Protestat filluan pas betimit të kryetarëve, ndërsa më me tension ka kaluar dita e hënë, ku ka pasur edhe sulm të serbëve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Tensionimi i situatës ka bërë që të reagojnë menjëherë ndërkombëtarët.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kishte ftuar në takim kryetarët e sapo zgjedhur, me ç’rast ftesës së tij i ishte përgjigjur vetëm kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri. Ndërsa kryetarët e Vetëvendosjes kanë munguar në takim.

Kryetarët e Komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, përmes një deklarate të përbashkët për media, janë deklaruar në lidhje me takimin e sotëm që kishin me Ambasadorin Amerikan, Jeffrey Hovenier, shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Zeqiri dhe Peci kanë thënë se duan dhe janë të gatshëm që punën, në të mirë të qytetarëve dhe komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, ta nisin sa më parë.

Megjithatë, ata kanë thënë se situata aktuale nuk i pëlqen askujt, prandaj, u kanë bërë thirrje të gjitha palëve për qetësi, sepse, sipas tyre, dhuna ka qenë dhe mbetet e pa tolerueshme në proceset demokratike.

“Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta. Andaj, ne kërkojmë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim”, thuhet në deklaratën e Zeqirit dhe Pecit në Facebook.

Mos shkuarja në takime ambasadorin Hovenier e kryetarëve Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi, po kritikohet nga analistët politikë, në anën tjetër rrjedh pyetja nëse çështja e kryetarëve shqiptarë në katër komuna veriore po politizohet, kjo për shkak se te dy kryetarët vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa kryetarët Zeqiri e Peci nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo çështje ishte temë diskutimi edhe dje në Kuvendin e Kosovës, ku Kryetari i PDK-së iu drejtua Kryeministrit Albin Kurti duke i thënë se po luan me zjarr. Ai i bëri thirrje që kreu të ekzekutivit ta lërë demokratizimin e Serbisë por t’i shikojë punët e Kosovës.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi theksoi se sot një javë kryeministri Kurti pa fol me asnjë njeri nisi një veprim aventuresk.

Ai është kundërpërgjigjur shefit të Qeverisë së Kosovës, duke i thënë se veprimet e ndërmarra në veri i ka bërë pa u koordinuar me askënd, vetëm kokë në vete.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi deklaroi se nuk do të lejojnë prishjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë sidomos me SHBA-në.

“Nëse kosto është rrezikimi i raporteve me krejt aleatët e Kosovës, nëse kostoja janë ndëshkimet që tashmë kanë filluar e të cilat mund të vazhdojmë a bënë me ditë se a mënon që ja vlen. Por pasi po insiston kryeministër që duhet me shkua ai Hetem e Atiq e Peci e ai tjetri Zeqiri nëpër këto ndërtesa komunale a mund të më tregosh pse nuk po shkon ti o zotëri. A po shkojmë unë e ti a guxon ti me shkua që unë po vijë me ty hajde shkojna na po hyjmë bashkë në ndërtesën në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan edhe në Mitrovicë të veriut ku nuk keni guxu hala. Pse po insiston me i dërgua tre njerëz që jetojnë atje e janë pjesë të popullit shqiptarë më të vuajtur në veri të vendit atyre po iu bënë presion. Hajde shkojmë bashkë, qu zotëri, kryeministër je lehtë e ke këtu prej Prishtinës me dhënë policia ç’policia hajde shkojmë bashkë në veri hyjmë ne në zyre rrimë bashkë“, tha ai.

Zogaj: Nga konfliktet e vogla kanë ndodhur luftërat

Analisti politik, Skënder Zogaj, shprehet se manovrimet partiake brenda Kosovës duhet të ndërpriten pa asnjë alternativë.

“Tashmë veprimi ka ndodhur dhe situata është kjo që është dhe me të drejtë paraqet një brengosje të madhe sepse, është xixkë e rrezikshme! Nga konfliktet e vogla kanë ndodhur luftërat, madje edhe të përmasës botërore, siç ka ndodhur me rastin e atentatit të serbit Gavrilo Principi ndaj Princit Austro-Hungarez, Franc Ferdinandit, që e ka shkaktuar Luftën e Parë Botërore! Ishte organizata sekrete "Dora e zezë" nga Beogradi që më 28 qershor 1914 me një atentat nisi luftë botërore! Ky nuk është shembulli për krahasim sepse janë kushte e rrethana të tjera aktualisht, por, nga Serbia e traumatizuar dhe Aleksëndar Vuçiqi i tërbuar, duhet pasur kujdes, sepse janë kafshues të pabesë! Dhe pikërisht këtu konsiston qëllimi i Serbisë që në Veriun e Kosovës po improvizon tensionime, që, për ne në Kosovë janë të mirënjohura, por jo edhe për botën demokratike, që nuk e pranon dhunën. Manovrimet partiake brenda Kosovës duhet të ndërpriten pa asnjë alternativë!”, deklaron Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Kryetarët e komunave nuk janë kryetarë të partive, por të qytetarëve, thotë Zogaj, gjersa shton se ata do të duhej të qëndrojnë bashkë kudo që të ftohen.

“Vendi është në rrezik dhe çdo eskalim është i papranueshëm. Kryetarët e komunave nuk janë kryetarë të partive por të qytetarëve dhe, duhet të jenë bashkë kudo që të ftohen. Keq, shumë keq që dy kryetarë nga krahu i PDK-së janë takuar me ambasadorin e SHBA-Hovenier, ndërsa dy kryetarët e tjerë nuk janë takuar! Kjo nuk ka hiç kuptim! Për më tepër të mos shkojnë në takim me përfaqësuesin e partnerit kryesor të Kosovës, që, është vënë në lëvizje të madhe për të qetësuar situatën, kjo është vërtetë e pashpjegueshme! Kryetarët e ri, nuk janë më partiakë, prandaj, nuk duhet të bien pre e huçeve politike të partive!”, pohon Zogaj.

Në protestën e së hënës ka pasur përleshje mes protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it, madje në Zveçan 30 ushtarë janë plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

Mulliqi: Ftesës së ambasadorit amerikan do të duhej t’i përgjigjeshin të gjithë

Analisti politik, Skënder Mulliqi, kryetarët e rinj i quan si “mollë sherri” që gjendja ka eskaluar në veri.

Sipas tij, qëllimi final i protestave është implementimi i Asociacionit.

“Katër kryetarët e rinj të Zubin Potokut, Zveçanit, Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, edhe pse të zgjedhur në mënyrë ligjore e demokratike, u bënë mollë sherri, që gjendja të eskalojë me protesta të strukturave paralele, bandave të tjera dhe të shërbimeve sekrete serbo ruse, të dirigjuara nga Putini dhe Vuçiqi. Protestat e dhunshme të organizuara në veri, zgjedhja e kryetarëve të rinj, dhe vendosja e tyre në zyra, ishte vetëm pretekst, e qëllimi final i këtyre protestave është implementimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive, që është autonomi e zgjeruar për minoritetin serb, i cili ka më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botën demokratike. Huliganizmi dhe aktet e këtyre bandave për të mos lejuar të futën në zyrat e tyre kryetarët e sapo zgjedhur, janë akte të pashembullta dhe të pa tolerueshme, e që për fat të keq në një mënyrë apo tjetër këto barbarizma serbo mëdha, gjetën mbështetje te faktori ndërkombëtar”, thekson Mulliqi.

Image
Skënder Mulliqi

Mulliqi shikon tolerancë ndaj Serbisë, gjersa thotë se presioni që bëhet për ta fajësuar Kosovën, është i pa drejtë dhe i pa justifikueshëm.

“Ata lënduan shumë policë të Kosovës më armë zjarri dhe më molotov më 26 maj, për të vazhduar këtë skenarë të tyre më protestat të cilat lënduan lehtë dhe rëndë 30 pjesëtarë të KFOR-it, pastaj dogjën shumë vetura edhe ato të gazetarëve shqiptarë. Nëse reagimet e BE-se dhe të Amerikës ishin shumë të zëshme kundër ndërhyrjes të Policës të Kosovës, nuk ishin shumë të zëshme kur këto banda sulmuan KFOR-n. Kjo tolerancë ndaj Serbisë të shovenistit Vuçiq, dhe gjithë ky presion për të fajësuar Kosovën, është i pa drejtë dhe i pa justifikueshme. Duke përkrahur që disa kohë këto struktura më aktet e tyre vandale, ato sikur morën edhe më shumë krahë për të vazhduar protestat e dhunshme për realizimin e skenarit të kah motshëm serb, për ndarje të Kosovës, të cilën gjë e kishte kërkuar me ngulm edhe babai i kombit serb, Dobrica Qosiqi.

E gjithë kjo po ndodhë, se Serbia po dëshiron gjithë pasurinë nëntokësore në veri dhe Liqenin e Ujmanit. Amerika ka kërkuar shtensionim të situatës duke i larguar forcat policore të Kosovës , dhe largimin e kryetarëve të komunave, duke gjetur solucione të tjera për të punuar. Asnjë vërejtje nuk po e bëjnë për protestat serbe të organizuara nga Vuçiqi”, pohon analisti.

Ai thotë se ftesës së ambasadorit amerikan do të duhej t’i përgjigjej Atiqi dhe Etemi, gjersa shton se është e palogjikshme të kërkohet mirëkuptim nga PDK-ja.

“Ftesës të katër kryetarëve të komunave për takim që ju është bërë nga ambasadori amerikan në Prishtinë, ishte dashur t’i përgjigjen Erden Atiq dhe Lulzim Etemi që vijnë nga radhët e LVV. Nuk ka asgjë të keqe në këtë drejtim, kur dihet së amerikanet edhe përkundër kritikave që na i kanë dhënë ishin dhe kanë mbetur miqtë tanë. Kjo nuk duhet të harrohet, se asnjë shtet nuk ka mundësi të ekzistojë pa miq, e lëre më Kosova shumë e vogël në këtë botë. Nuk është mirë që mos të binden për takim, prandaj edhe nuk është e palogjikshme që të kërkohet nga PDK-ja , të gjendet mirëkuptimi. Nuk duhet shkuar deri te një situatë e pakëndshme, se edhe pse padrejtësisht kemi marrë një vërejtje për mos sugjerim me miqtë tanë lidhur më intervenimin e policisë të Kosovës. Mendoj se Qeveria dhe Albin Kurti duhet analizuar gjithçka me kujdesin më të madh që të tejkalohet situata e krijuar në veri të vendit, duke bashkëpunuar ngushtë më miqtë tanë, e veçmas me Amerikën”, shton Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat