18 vjet nga vrasja e Bardhyl Ajetit, autorët mbesin “enigmë”/ Flasin familjarët: Atdheu duhet edhe kur të vret me plumb!

Politika

18 vjet nga vrasja e Bardhyl Ajetit, autorët mbesin “enigmë”/ Flasin familjarët: Atdheu duhet edhe kur të vret me plumb!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 qershor 2023 Në ora: 10:22
Bardhyl Ajeti

Data 3 qershor shënon përvjetorin e vrasjes së ish- kolumnistit dhe gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhy Ajeti.

Ajeti i cili ishte shquar për aftësitë që duhej t’i kishte një gazetar, duke përfshirë këtu guximin, profesionalizmin dhe korrektësinë, është vrarë më 3 qershor 2005, në magjistralen për Gjilan, në fshatin Bresalc, ku vetura e tij ishte në tërheqje nga një dëshmitar, i cili edhe e kishte parë ngjarjen.

Me plumba shurdhues që vinin nga një mercedes i zi, Ajeti u qëllua për të mos i rezistuar plumbave përkundër dërgimit në Milan të Italisë për mjekim.

Tre plumba, ku i pari në kokë, i dyti në shpatull të krahut dhe i treti në veturën që e ngiste, nuk i kanë gjetur ende “pronarët” apo autorët të cilët ia morën jetën Ajetit tash e 18 vjet.

Familjarët shprehin “keqardhje” për mos zbardhjen e autorëve, ndërsa nga gazeta “Bota sot”, ku edhe punoi Ajeti thonë se një ditë sistemi i drejtësisë do të ç’kapet tërësisht, e kur do të pastrohet nga krimi i organizuar e korrupsioni, do të dalë një përgjigje se kush e vrau Bardhy Ajetin.

Ajeti: Nuk ka qetësi pa i dënuar ata që na i vranë më të dashurit

Fitim Ajeti, vëllai i Bardhyl Ajetit, thotë se ata nuk do të ndalen së kërkuari vrasësit e tij.

Sipas tij, ata kurrë nuk do të gjejnë qetësi pa u dënuar vrasësit e më të dashurve.

“Sot bëhen 18 vite që kur u bë atentat ndaj vëllait tim, kolumnistit të gazetës kombëtare "Bota sot " Bardhyl Ajetit. Bardhyli pos që ishte gazetar i kësaj gazete prestigjioze ai ishte dhe përkrahës i madh i ideologjisë rugoviane. Bardhyli ndërroi jetë më 25 qershor 2005 në Itali, prej asaj dite e deri më sot vrasja e Bardhylit nuk u zbardh, vrasësit ende janë të lirë, unë si vëlla i Bardhylit jam thellë i indinjuar për mos angazhimin e institucioneve gjyqësore për mos zbardhjen e vrasjes së vëllait tim. Kurrë nuk do të ndalem së kërkuari vrasësit e Bardhylit sepse ai u vra pa drejtësisht vetëm se e shkruante të vërtetën për Kosovën e pas luftës. Ne si familje si shumica e familjeve të të vrarëve të pas luftës nuk do të gjejnë kurrë qetësi pa i dënuar ata që na vranë më të dashurit tanë, vetëm se mendonin, flisnin e shkruanin ndryshe. Kosova u ka borxh bijëve të saj të vrarë, ndryshe liria do të jetë e zymtë, varret e tyre nuk do të heshtin, gjaku nuk falet, e as nuk humbet. Atdheu duhet edhe kur të vret me plumb”, shprehet Ajeti për “Bota sot”.

Atentati ndaj Bardhyl Ajetit ka dëshmitar, mirëpo ai tashmë nuk gjendet në Kosovë, pasi ishte i detyruar të shkonte në Norvegji.

Në dëshminë e tij, M.G. ka treguar se atë ditë kishte qenë në Prishtinë, kishte ardhur nga Gjilani ishte takuar me Bardhylin, te rrethi. Dhe Bardhyli i kishte treguar se veturën e ka të prishur dhe e ka lutur taksistin M. G. që ta tërheq për në Gjilan. Vetura e Bardhylit ka qenë afër Mensës së Studentëve në Prishtinë e prishur. Prej aty dëshmitari e ka tërhequr veturën deri në vendin ku ka ndodhur rasti në Bresalc.

“Unë nuk kam dëgjuar asgjë, vetëm se e kam vërejtur se vetura e Bardhylit e ka goditur kombin tim pas. Dhe aty në rrugë, ka qenë edhe një veturë paralele (e panjohur). Unë kam dhënë sinjal për tu ndalë me veturën-kombi. Ajo veturë (e panjohur) ka qëndruar paralele për rreth dy-ose tre minuta e më ka tejkaluar dhe ka ikur. Dëshmitari ka treguar, se ka ndalë kombin dhe ka dalë jashtë. Kur ka dalë ishte me gojë hapur dhe ka dashur t’i thotë Bardhylit, përse e goditi? Por e ka parë se ai kishte gjakderdhje në kokë. Pastaj e ka nxjerrë telefonin për t’i telefonuar policisë, por nuk ka qenë e mundur, M. G-së, iu kanë dridhur këmbët. Dhe pastaj aty në rrugë ka mbërrit një djalë me një veturë Golf të bardhë. Kur ai djali mbërriti aty, u ndal, dhe e ka pyet:”Çka ka ndodhur? Dëshmitari u përgjigj: “Ma kanë vrarë njeriun në veturë. Ai djali e njoftoi policinë të cilët erdhën".

Që nga ajo natë dëshmitarit M.G policia ia ka konfiskuar kombin dhe telefonin dhe i ka shënuar ato tri thirrjet e fundit që i ka pasur, pra policia i ka shënuar detajet me emra dhe mbiemra. Edhe M. G (dëshmitar) atë natë është mbajtur në paraburgim. Pastaj është liruar dhe më vonë ka emigruar jashtë vendit.

Ajeti i cili për disa vite kishte punuar në gazetën kombëtare “Bota sot”, ende kujtohet nga redaksia.

“Bota sot” më e zëshmja në përpjekjet për zbardhjen e vrasjeve me motive politike

Sipas krye redaktores së kësaj gazete, Mimozë Lakna, vrasja e Ajetit është një ndër rastet më të rënda kriminale të Kosovës së pas luftës.

Lakna tregon se “Bota sot”, numëron disa gazetarë të vrarë, gjersa thotë se mund të konstatohet se politika apo grupet e caktuara të interest kryesisht politik, janë të përfshirë në këto vrasje.

“Sot janë mbushur 18 vite nga dita kur kolegu ynë Bardhyl Ajeti u plagos për vdekje në fashtin Bresalc teksa po kthehej në shtëpinë e tij në qytetin e Gjilanit. Vrasja e Bardhylit është një ndër rastet më të rënda kriminale të Kosovës së pas-luftës. Akoma më i rëndë është edhe fakti, që për gjithë këto vite drejtësia në Kosovë, vendore e ndërkombëtare, ka heshtur dhe përpjekjet për zbardhjen e vrasjes së Bardhylit kanë qenë minimale. Kosova e pasluftës numëron disa gazetarë të vrarë, ndër të cilët dy ishin pjesë e stafit të gazetës kombëtare “Bota sot” (Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti) si dhe dy bashkëpunëtorët e gazetës, Enver Maloku e Xhemail Mustafa. Për fat të keq, asnjëra prej këtyre rasteve nuk janë zbardhur kurrë. Nisur nga fakti se që të katër ishin gazetarë, atëherë mund të konstatojmë se politika, apo grupe të caktuara të interesit kryesisht politik, janë të përfshirë në këto vrasje. Pra, bëhet fjalë për njerëz që pikësynim e kishin pasurimin përmes pushtetit, të cilëve iu pengonte e vërteta që pa frikë e shkruante vetëm gazeta “Bota sot” dhe gazetarët e saj të guximshëm”, deklaron Lakna.

Image
Mimoza Lakna

Shpresat për zbardhjen e rastit të vrasjes së Ajetit, sipas Laknës, nuk do të humben kurrë dhe një ditë do të gjendet përgjigjja se “kush e vrau Bardhyl Ajetin”.

“ Si për vrasjen e Bardhylit, ashtu edhe për vrasjet e tjera me motive politike, gazeta “Bota sot” ka qenë e vetmja, e cila ka bërë thirrje për zbardhjen e tyre. Kujtojmë se në një shkrim të realizuar në qershor të vitit 2013, zyra për informim e misionit për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX i kishte thënë gazetës "Bota Sot" se rasti i vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajeti nuk është transferuar nga UNMIK-u tek Eulex-i. Eulex-i ndërkaq nuk ka hapur ndonjë hetim të ri për shkak të mungesës së dëshmive. "Rasti i vrasjes së Bardhyl Ajetit nuk ishte transferuar nga UNMIK-u tek EULEX-i. Sidoqoftë, prokurorët e EULEX-it kanë kryer një vlerësim të rastit. Por pasi që nuk ka pasur dëshmi të reja, nuk kanë hap hetim të ri", kishte thënë zyrtari për informim i EULEX-it. Që nga atëherë, gazeta vazhdimisht ka kërkuar përgjigje lidhur me ecurinë e hetimeve për vrasjen e Bardhylit, por që asnjëherë nuk kemi marr përgjigje. Megjithatë, shpresat për zbardhjen e rastit të vrasjes së kolegut tonë Bardhyl Ajeti nuk do t’i humbim asnjëherë. Mbase, një ditë kur sistemi i drejtësisë të ç’ kapet tërësisht apo të pastrohet nga krimi i organizuar e korrupsioni, ne do të kemi një përgjigje se kush e vrau Bardhyl Ajetin. Deri atëherë, ne do ta kujtojmë Bardhylin në çdo përvjetor e në çdo rast që do të na jepet. Emri i Bardhyl Ajetit do të jetë gjithmonë në mesin tonë e para opinionit të gjerë, si shembulli më konkret për drejtësinë e dështuar të Kosovës”, thekson Lakna.

Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar edhe prokurorinë rreth ecurisë së zbardhjes së vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajeti, por ata nuk kanë dhënë një përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat