48 orë për kërkesat e BE-së dhe SHBA-së, analistët thirrje Kurtit: Këta janë hapat e duhur

Politika

48 orë për kërkesat e BE-së dhe SHBA-së, analistët thirrje Kurtit: Këta janë hapat e duhur

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 qershor 2023 Në ora: 11:59
Takimi i kryeministrit Kurti me emisarët Escobar e Lajçak, 5 qershor 2023

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog janë tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kërkesat që erdhën pas një takimi trepalësh që zgjati dy orë në mbrëmjen e 5 qershorit do të presin 48 orë për pranim.

Lajçak dhe Escobar janë takuar edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin dhe opozitën, ku këtë të fundit e informuan rreth pasojave, krizës aktuale dhe dëmin që i është shkaktuar Kosovës sa i përket reputacionit ndërkombëtar.

Analistët politikë thonë se situata në veri po shkon drejt qetësimit dhe kryeministri Kurti duhet t’i pranojë kërkesat e Escobarit dhe Lajçakut.

Haziri: Kurti të reflektojë, por presion duhet t’i bëhet edhe Serbisë

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, shprehet se Kurti duhet të reflektojë në raport me kërkesat e BE-së dhe SHBA-së.

Sipas tij, kërkesat duhet të përmbushen sepse janë e vetmja rrugë që edhe në atë pjesë të vendit të kthehet normaliteti.

“Është lajm i mirë që situata po shkon drejtë qetësimit dhe kjo i hapë rrugën vazhdimit të dialogut si i vetmi mjet për normalizim të raporteve në mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë për të shkuar drejt marrëveshjes finale me njohje reciproke. Dhe me këto rrethana të krijuar kryeministri Kurti duhet të reflektojë në raport me kërkesat e BE dhe SHBA-se, të cilat duhet përmbushur nga qeveria e Kosovës dhe janë e vetmja rrugë që edhe në atë pjesë të vendit të kthehet normaliteti”, deklaron Haziri.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, pas takimeve në Kosovë, kanë shkuar edhe në Serbi të martën.

Ata janë pritur nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq.

Vuçiq i ka thënë atyre se “është koha që Kosova ta implementojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Sipas presidentit serb, perëndimi ka mekanizma që mund ta bindin Kosovën që ta bëjë këtë.

“Thashë se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj dhe mbi të gjitha formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar Vuçiq në një postim në Instagram.

Analisti Nexhat Haziri, thotë se Lajçak dhe Escobar duhet të jenë po aq të prerë dhe të vendosur edhe në raport me Serbinë.

Sipas tij, presioni në të dyja palët është çelës i normalizimit të situatës në veri të vendit.

“Pres që dyshja Lajcak dhe Escobar të jenë po aq të prerë dhe të vendosur edhe në raport me Serbinë që kjo e fundit të ndaloj së përkrahuri dhe instrumentalizimin e serbëve të Kosovës për ta destabilizuar Kosovën. Vetëm presioni në të dyja palët është qelës i normalizimit të situatës në veri të vendit tonë. Kjo për mua do të ishte pritja ime nga takimet e partnerëve ndërkombëtar me palën serbe, e jo edhe kërkesa që te ulet niveli i gatishmërisë së ushtrisë serbe që është stacionuar në Rashkë, e që ndikimi i saj është zero dhe ky shoë medial me ushtrinë serbe është vetëm për konsum të brendshëm në Serbi që e përdor Vuçiq pasi intervenimi i ushtrisë serbe në Kosovë është vetëm ëndërr e keqe nga e cila sa më parë Beogradi që të heqë dorë është më mirë”, pohon Haziri.

Me Esobar dhe Lajçakun është takuar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se zgjedhjet e reja në veri janë të mundshme.

Gjatë takimit, Osmani, Escobar dhe Lajçak folën edhe për hapat tutje për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Theksova se mosndëshkimi për grupet dhe individët kriminalë që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve nuk duhet toleruar. Po ashtu, nënvizova se zgjedhjet e reja janë të mundshme në përputhje me ligjin dhe parimet demokratike përfshirë pjesëmarrjen e të gjithëve”, u shpreh presidentja.

Burjani: Më mirë zgjidhje se izolim

Ndërsa, analisti politik Blerim Burjani thotë se Kurti duhet t’i përgjigjet pozitivisht kërkesave.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, Kurti duhet të veprojë në interes të popullit e jo të “qejfeve personale”.

“Duhet të përgjigjet pozitivisht ose atë e pret shpallja non grata nga SHBA, pra nuk ka çka, duhet t’i pranojë opsionet e daljes nga kriza. Më mirë një paqe e brishtë se hiç. Nuk ka nevojë të tregohet shumë i mençur e të mbajë ligjërata politike e mendime personale, por duhet zgjidhje të ofrohet, pastaj ka kohë të flas. Kryeministër i mençur quhet kur në kohë të tillë vepron vetëm në interes të popullit e jo të qejfeve personale, në pozita publike nuk të pyesin për qejfin, por për zgjidhjen. Çdo aventurë tjetër, Kurtin e çon në izolim dhe shpallje person të pa dëshiruar. Pra, më mirë zgjidhje sesa izolim, më mirë zgjidhje sesa sanksionim më katastrofal, më mirë në pushtet sesa të humb plotësisht, tash merr e leje është gjendja”, shprehet Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat