“Nuk qëndrojmë krah një individi”/ Profesori: Presion i hapur, por Kurti e ka një rrugëdalje, kështu të veprohet ndaj Escobar-it

Politika

“Nuk qëndrojmë krah një individi”/ Profesori: Presion i hapur, por Kurti e ka një rrugëdalje, kështu të veprohet ndaj Escobar-it

Nga: A.SH Më: 7 qershor 2023 Në ora: 15:00
Foto nga takimi

Nga SHBA dhe BE, kryeministri i Kosovës po kritikohet ashpër për situatën në veri.

Madje, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka dhënë ultimatum si Kosovës ashtu edhe Serbisë që të shtensionojnë situatën në veri, e që ky afat përfundon sot.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se deklarimet e Escobarit duhet të parë në dy dimensione.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës, por nga ana tjetër ai shton se presidenti Obama ishte ai që e zbehu kontributin e mëparshëm amerikan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Nga njëra anë duhet kuptuar mirë ajo çfarë garanton i ngarkuari i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar. Dhe e dyta ka të bëjë me qëndrimin dhe raportin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me SHBA-të. Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, dhuna e bandave serbe në veri të vendit kundër policisë dhe gazetarëve të Kosovës, si dhe KFOR-it, ndërkohë që për këto ngjarje DASH akuzoi dhe kritikoi ashpër kreun e Ekzekutivit të Kosovës, zbuluan se në këto marrëdhënie e raporte ka një problem.

Sa i përket garancive verbale që zoti Escobar ka dhënë vazhdimisht për atë se „SHBA-të qëndrojnë me popullin e Kosovës“, ose se „asociacioni shërben për të larguar ndikimin e Serbisë te serbët e Kosovës dhe integrimin e tyre në institucionet e vendit“, se „SHBA-të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë e Kosovës“, të gjitha këto duhen parë në dy dimensione:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës. Këtë e bëri George W. Bush. Por më parë, ishte presidenti Bill Clinton, ai që urdhëroi bombardimet e NATO-s kundër Serbisë dhe e çliroi Kosovën. Bush dhe Clinton janë themeluesit e shtetit të ri të Kosovës. Gjithkujt i kujtohen kontributet e këtyre dy presidentëve amerikanë. Prandaj dhe është plotësisht legjitime të besojmë në garancitë e politikanëve dhe diplomatëve amerikanë për Kosovën.

Nga ana tjetër, ka edhe një problem tjetër. Ishte presidenti Obama që e zbehu kontributin e mëparshëm amerikan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Unë besoj se jo pa qëllim dëshmoi plogështi e bezdi për t’u marrë me Kosovën. Nuk i di arsyet. Por kjo është e vërteta. Më pas erdhi presidenti Trump. Ky i fundit tentoi të thërriste në zyrën ovale Thaçin dhe Vuçiç për të firmosur ndarjen e Kosovës, zgjidhjen e konfliktit me ndryshimin e kufijve, por ky projekt dështoi. Më pas Trump bëri më të mirën, kur thuajse e diktoi kryeministrin izraelit, Netanjahu, për ta njohur shtetin e Kosovës. Pas tij, administrata e sotme, për arsye të ndikimit të Sorosit, (ky është mendimi im), nuk ka qenë e vendosur për të dhënë një zgjidhje të konfliktit”, shprehet profesori.

Image
Enver Bytyçi

Tutje, ai shton se Sorosi duket që ka interes për ndarjen e Kosovës, i cili është projekt i vitit 2018, duke theksuar se këtu jemi para një dileme, se cilës Amerikë t’i besojmë?

“Duket se Sorosi ka një interes madhor për ndarje e Kosovës. Projekti i tij i vitit 2018 parashikon që minierat dhe Ujmani të bëhen pjesë e Serbisë. Për mua është shumë e qartë se minierat i janë premtuar atij nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kështu që jemi para një dileme: Cilës Amerike duhet t’i besojmë. Shqiptarët i besojnë dhe u përulen Amerikës për atë çfarë kanë bërë për ta presidentët Bill Clinton dhe George Ë. Bush. Por a mund t’i besohet pa garanci juridike fjalëve të zotit Escobar? Përgjigja është subjective. Dikush ka të drejtë të besojë, dikush tjetër sërishmi ka të drejtë të mos besojë. Por për mua mosbesimin e shton fakti që dy të ngarkuarit e mëparshëm për dialogun Kosovë-Serbi, përkatësisht ambasadorit Richard Grenell dhe Matju Palmer, janë punësuar pas largimit nga kjo detyrë në kompaninë amerikane të paguar nga Serbia për lobim në favour të saj. Që do të thotë se të ngarkuarit amerikanë të viteve të fundit që janë marrë me dialogun, sot bashkëpunojnë dhe paguhen nga paratë e Serbisë. Edhe ata kanë “garantuar” këto që thotë sot zoti Escobar”, thotë ai.

Në fund, profesori thotë se ajo çfarë tha Escobari se ne nuk mund të mbështesim individët në Kosovë, fjala ishte për kryeministrin e vendit dhe Ky është një presion i hapur.

“Nuk e di se cilat janë arsyet e qarta, pse zoti Kurti u desh t’i përgjigjet me një gjuhë gjithashtu të ashpër sekretarit të Shtetit, Antony Blinken. Por duket qartë se ka diçka midis tyre. Duket qartë se Kurti nuk dëshiron t’u bindet rekomandimeve dhe t’u nënshtrohet presioneve të zotit Escobar dhe zotit Lajçak. Kur zoti Escobar thotë se ne nuk mund të mbështesim individët në Kosovë, fjala ishte për kryeministrin e vendit. Ky është një presion i hapur. Kryeministri është legjitim në Kosovë. Është i zgjedhur nga qytetarët. Nuk është një person i emëruar në atë detyrë rastësisht. Dhe të thuash se “Mbështesim Kosovën, por jo qeverinë e saj, kryeministrin e saj” është deri diku jo logjike dhe jo racionale. Më duket si retorikë alla-shqiptarçe, ose alla-ballkanike. Nuk është kjo në stilin amerikan.

Kësisoj, në vend që të nxisë bashkëpunimin, vetë zoti Escobar po e nxit zotin Kurti të mos bashkëpunojë me të. Nëse zoti Kurti nuk dëshiron të bashkëpunojë me të dërguarin e DASH për Ballkanin, ai duhet të informojë presidentin Biden dhe t’ia sqarojë atij të gjitha arsyet pse nuk dëshiron ta bëjë këtë. Kanalet e komunikimit me Shtëpinë e Bardhë besoj se ekzistojnë. Duhet të sqarojë pozicionin e tij në raport me personin, ose personat që të shpërndajë dyshimet se Kurti qenka kundër SHBA-ve, siç i pëlqen opozitës t’i thotë.

SHBA-të janë e duhet të mbeten të shenjta për Kosovën. Por nëse Kurti ka prova se dikush në SHBA është angazhuar kundër tërësisë territoriale ose defunksionalizimit të shtetit në Kosovë, ato duhet t’ia japë Kongresit, Senatit dhe Presidentit Amerikan. Me Amerikën flitet hapur, sinqerisht, pa rezerva, nëse dëshiron që atë ta kesh mike të ngushtë”, përfundon profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat