Kriminelët serbë ‘luftuan’ me KFOR-in, por u fajësua Kosova, Qarri ‘zbulon’ arsyen shokuese pse ndërkombëtarët u kthyen kundër nesh

Politika

Kriminelët serbë ‘luftuan’ me KFOR-in, por u fajësua Kosova, Qarri ‘zbulon’ arsyen shokuese pse ndërkombëtarët u kthyen kundër nesh

Nga: Nehat Shaqiri Më: 10 qershor 2023 Në ora: 23:14
Pamje nga veriu i Kosovës, përleshja e grupeve kriminale serbe me KFOR-in

Në veriun e Kosovës janë ngritur tensionet nga grupet kriminale serbe pas zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë në katër komuna.

Pasi ata filluan punën dhe tentuan të shkojnë në objektet komunale, grupet kriminale serbe filluan të acarohen.

Tërbimi i tyre u shfaq kur përveç që sulmuan policinë e Kosovës, gazetarët, ata u kacafytën edhe me KFOR-in ku mbetën një numër i madh të lënduar.

Edhe pas gjithë kësaj, ndërkombëtarët fajësuan Kosovën, e cila po tentonte të shtrinte sovranitetin e saj në atë pjesë ku nuk funksionoi asnjëherë deri tash.

Për këtë çështje, analisti politik Gani Qarri thotë se, nëse BE dhe SHBA, dëshirojnë qetësimin e gjendjes dhe uljën e tensioneve, atëherë, ato nuk guxojnë ta ledhatojnë edhe më tej kriminelin Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, ndërkombëtarët duhet urgjentisht ta detyrojnë atë, që të mos i nxisë dhe mbështes bandat kriminale duke dërguar huligan, pjesëtarë aktiv të xhandarmërisë e të BIA-së serbe si dhe bandit të gjithfarëllojshëm nga Serbia në veri të Kosovës për të krijuar tensione në Kosovë.

“Pra “Lufta dhe Paqja”, nuk varet nga Kosova, edhe pse ngjarjet ndodhin në territorin e vendit tonë, por nga vullneti dhe gatishmëria e bashkësisë ndërkombëtare se sa ajo është e interesuar për paqe dhe jo për shpërthimin e luftërave të reja në Ballkan dhe rajon. Për aq më tepër, për shqiptarët është shumë e dhimbshme të shohin, se si edhe premtimet e presidentit Joe Biden, siç shprehen vet analistët amerikan, shumë më të qëndrueshme ishin derisa ai ishte senator, se sa sot, që është në piedestalin politik dhe i pari i SHBA-ve, shtetit më të fuqishëm në botë”, thotë Qarri.

Në anën tjetër, sipas tij, me shkrimet tona, e kemi tërhequr vërejtjen në vijimësi, se hiperxhamizimi i Kosovës dhe pre-ekspozimi i vazhdueshëm i islamit politik me idol erdoganin dhe turko-arabizimin, shkon në dëm të vendit tonë dhe do ta armiqësoj Kosovën me gjithë botën.

“Ndaj, 23 vite pas çlirimit nga NATO dhe BE, në sytë e ndërkombëtarëve dhe jo vetëm, Kosova është kthyer në Afganistan të Evropës, gjë që ka futur frikën në SHBA dhe BE, se së vendi ynë, shpejt mund të shndërrohet edhe në çerdhe të terrorizmit islamik. Prandaj ishte vetëm çështje kohe se kur, aventura turbo-islamike do ta sillte Kosovën në këtë gjendje që edhe miqtë tanë më të mëdhenj ndërkombëtar, të cilët na çliruan dhe mbështetën e quan përpara shtetin tonë të ri, për gjithë këto vite, do të kthehen të gjithë kundër nesh, gjë që ata të cilët kanë sy për të parë realitetin, kjo tani edhe po ndodhë”, shton ai.

Analisti thekson se, pre ekspozimi ekstrem i islamit politik, i ka ndihmuar shumë edhe Serbisë që gjatë gjithë procesit të dialogut, të zhvilluar që nga vitit 2011 e këtej, ajo ta mbaj gjallë, me shumë sukses gjendjen e tensionuar në veri dhe konfliktin e ndezur me Kosovën.

“E përveçse me pajtimin e miqve tanë, nga tryeza e bisedimeve me Serbinë, u hoq edhe njohja reciproke dhe si çështje me prioritet u vendos "zajednica" një etnike serbe, edhe SHBA dhe jo vetëm vende të BE-së, fajësojnë Kosovën për tensionimin e shkaktuar nga Vuçiqi me bandat e tij kriminale në veri të Kosovës. Për aq më keq, sot edhe veprimet e kriminelëve serbë në veri të Kosovës, kritikohen vetëm kur nga ata, sulmohen ushtarët e KFOR-it, por jo edhe kur lëndohen me mjete të forta dhe plagosen me armë zjarri edhe policët e Kosovës”, pohon Qarri.

“Pra frika se në Kosovë dhe zemër të Evropës po krijohet një kalifat islamik, që nesër mund të shndërrohet në vatër të eksportimit të terrorizmit në gjithë Evropën, të cilën e ngritë dhe përforcon edhe më shumë BIA serbe dhe propaganda e specializuar diplomatike e Serbisë, ka bërë që Kosova jo vetëm të kritikohet por edhe të sanksionohet pikësëpari nga vet SHBA-të, gjë që deri më tani, ishte e pa imagjinueshme, e pastaj edhe nga Perëndimi, i cili deri në këto momente, disi ka qëndruar nën hije dhe më i rezervuar, që të veprojë i pari, në këtë drejtim”, thekson ai.

Qarri tutje shprehet se është koha e fundit ta kuptojmë që bindja e ndërkombëtarëve jo krejt pa fakte, se Kosova, po kthehet në shtet "musliman" me pretendencë të thellimit të fundamentalizmit islamik, ka shtangur edhe miqtë tanë më të mëdhenj ndërkombëtar, të cilët këtë e shohin si tradhti dhe mosmirënjohje të thellë, ndaj kontributit të tyre të dhënë për çlirimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës së pavarur.

“Kështu që, ashtu siç pretendon tash e sa kohë Serbia dhe Rusia edhe bisedimet e Kosovës me Serbinë, kanë filluar të shihen si ballafaqim i një shteti musliman me një shtet të krishter, prandaj as ndërmjetësuesit ndërkombëtar nga BE dhe SHBA, nuk gjejnë më arsye, as forcë morale që ti ofrojnë Kosovës "muslimane" përkrahjen e dikurshme pa kushte. Dhe krejt kjo, po ndodhë fatkeqësisht për fajin tonë, që për më tepër se dy dekada, lejuam turko-arabizimin e njerëzve tanë evropian dhe mbiekspozimin e islamit politik, ndaj dhe tanimë kuptohet botërisht, se as bisedimet, nuk po shihen më si dialog ndërmjet të dy vendeve fqinje evropiane, por si ballafaqim të dy feve, qëndrim me të cilin, mjerisht, është akomoduar e gjithë bashkësia ndërkombëtare”, thotë ai.

Sipas tij, ky edhe është shkaku kryesor që po tolerohet presidenti serb.

“Ky duhet të jetë shkaku kryesor, që ka bërë të tolerohet edhe Vuçiqi të lobojë hapur e pa asnjë ndrojtje dhe tu bëjë thirrje publikisht, vendeve mosnjohëse që të mos e pranojnë shtetin "musliman" të Kosovës, përkundër faktit se kjo është shkelje flagrante e marrëveshjeve të dakorduara, me ndërmjetësimin e vet BE-së dhe të SHBA-ve, në Bruksel dhe Ohër, prandaj dhe nuk thuhet më kot, se të keqen që ia bënë njeriu vetes, nuk mund t`ia bëj as bota!”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat