“Kërcënim serioz”, juristi nga Belgjika jep lajmin e ‘keq’ për Radoiçiqin e Vuçiqin – ja çfarë mund t’iu ndodhë atyre!

Politika

“Kërcënim serioz”, juristi nga Belgjika jep lajmin e ‘keq’ për Radoiçiqin e Vuçiqin – ja çfarë mund t’iu ndodhë atyre!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 tetor 2023 Në ora: 20:53
Sulmi ne Basnjske

Janë bërë më shumë se një muaj që kur kryekrimineli Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Nga ky akt terrorist, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Pavarësisht kësaj, Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë dhe të vazhdojë jetën e tij në Beograd krejtësisht në mënyrë normale, sikur s’ka ndodhur gjë.

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e ndjeshme, ku po paralajmërohen se mund të ketë edhe sulme të reja nga bandat kriminale serbe.

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në një prononcim për “Bota sot” foli për këtë çështje.

Fillimisht, ai analizoi aktin terrorist dhe armatimin e konfiskuar në Banjskë, ku tha se nuk ka vend për dyshim se i gjithë agresioni është përgatitur nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

“Në mëngjesin e 24 Shtatorit 2023, Serbia në mënyrë brutale dhe qyqare, përmes strukturave paramilitare, xhandarmerisë speciale, me një sulmi terrorist, bëri agresion mbi Kosovën. Nëse analizohet prodhimi i armatimit që vjen nga fabrikat ushtarake serbe, lloji, sasia dhe veprimi i madh vdekjeprues, automjetet e blinduara dhe uniformat e kamufluara me ate të KFOR-it italian, stërvitjet e bëra në bazat ushtarake në Rashkë dhe Kopaonik, dhe jo vetëm, nuk lë asnjë dyshim se bëhet fjalë për për një agresion të paramenduar, parapërgatitur dhe të organizuar nga aparati dhe strukturat shtetërore të Serbisë, duke filluar nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq”, deklaroi juristi.

Po ashtu, Musliu kritikoi ndërkombëtarët për mënyrën se si e kualifikimin e terrorit në Banjskë, vetëm si një sulm.

Ai tha se me këto deklarata, ndërkombëtarët po e degradojnë dhe banalizojnë qëllimin e Serbisë.

“Faktori ndërkombëtar dënoi sulmin terrorist, siç thonin ata, mbi policinë e Kosovës, me ç’rast, fatkeqësisht humbi jetën një zyrtar policor i Kosovës. Ky kualifikim i ndërkombëtarëve si « sulm ndaj poloicisë së Kosovës », mendoj se, nuk korrespondon me realitetin, sepse degradon dhe banalizon qëllimin e Serbisë, mbase në këtë rast, bëhet fjalë për një agresion terrorist të Serbisë mbi rendin Kushtetues, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të Kosovës, ashtu siç aneksoi Rusia Krimenë. Mirëpo, ndërkombëtarët refuzojnë t’a thonë këtë fakt, edhe pse e dijnë.

Pas këtij sulmi, Milan Radoiçiqi me të tjerët ikën në Serbi, përveç tre të vrarëve dhe të plagosurve. Radoiçiqi kaloi një natë në polici, kur u «mor në pyetje», dhe përmes avokatit të tij deklaroi se ai e merr përgjegjësinë e plotë për organizimin e këtij sulmi terrorist, duke dashur t’a shfajsojë përfshirjen e Vuçiqit”, theksoi ai.

Krahas kësaj, juristi tha se pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve, Vuçiqi nuk do pranojë ta ekstradojë Radoiçiqin. Kjo, pasi frikësohet se kryekrimineli serb mund të tregojë edhe gjëra kundër Vuçiqit.

“Faktori ndërkombëtar vazhdimisht kërkon nga Vuçiqi që t’ia dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët drejtësisë së Kosovës, mirëpo Vuçiqi, jo një herë, ka deklaruar se nuk e dorëzon Radoiçiqin, me pretekstin se Serbia nuk e njeh pavarsinë dhe shtetin e Kosovës, respektivisht se Kosova është pjesë e Serbisë.

Gjykoj se Vuçiqi, në asnjë rast dhe me asnjë kusht, edhe përkundër presioneve të faktorit ndërkombëtar, nuk do t’a ekstradojë Radoiçiqin, sepse nëse kjo ndodh, atëherë Radoiçiqi do të «këndojë» kundër Vuçiqit, dhe ka shumë për të «kënduar», në veçanti se ky agresion është organizuar nga vet Vuçiqi”, nënvizoi Musliu.

Në vazhdim, përmendi edhe kërkesën e kryeministrit Kurti për formimin e një gjykate Speciale me qëllim të hetimit të sulmit terrorist.

Musliu shpalosi një propozim të tij, derisa tregoi se përmes një fletarresti ndërkombëtar, do të mund të kishte një probabilitet më të madh që do të prodhonte ekstradimin e Radoiçiqit.

“Në këtë kuptim, ditë më parë, kryeministri Kurti propozoi që ndërkombëtarët t’a formojnë një Gjykatë Speciale për t’a hetuar sulmin terrorist. Lidhur me këtë, unë kam një mendim pak më ndryshe, respektivisht propozoj që të formohet një repart Special në kuadër të, tani më, Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, që do t’a hetonte dhe gjykonte këtë rast, me prokuror, gjyqtar dhe staf përcjellës nga rradhët e ndërkombëtarëve. Mendoj se kjo është zgjidhje më e pranueshme, më efikase dhe më praktike, sepse Gjykata Speciale ekzistuese është nën jurisdiksionin e Kosovës që aplikon Ligjet që zbatohen në Kosovë. Konstatoj se, vetëm në këtë kontekst, insistimi dhe presioni i ndërkombëtarëve për ekstradimin e Radoiçiqit dhe grupit të tij kriminal, përmes një fletarresti ndërkombëtar, do të mund të kishte një probabilitet më të madh që do të prodhonte ekstradimin në fjalë. E gjithë kjo do të mund të zbatohej përmes një kërcënimi të fuqishëm dhe serioz të ndërkombëtarëve, për çka ekziston një korpus i madh i sanksioneve ekonomike, financiare, diplomatike etj.” – shpjegoi ai.

Më tej, juristi nga Belgjika paralajmëroi se agresioni i Banjskës mund të përsëritet, kur dihet se Radoiçiq dhe i tërë grupi i stërvitur special është në liri.

“Edhe pse Serbia i ka zvogëluar disa efektiv ushtarak, prania e saj, sidomos në Rashkë, jo vetëm që është prezente, por është edhe shumë aktive. Serbia po e shfrytëzon – keqpërdorë luftën Rusi-Ukrainë dhe Izral-Palestinë, dhe nën instruksionet e Putinit, sidomos gjatë vizitës dhe takimit të fundit Vuçiq-Putin, ditë më parë në Pekin, është e mundur që agresioni i dështuar, të përsëritet, e sidomos kur dihet se Radoiçiqi dhe i tërë grupi i stërvitur special është në liri dhe komplet infrastruktura ushtarake ende është në gjendje gatishmërie. Kjo përputhet edhe me deklaratën e Milorad Dodik, kryetar i Republikës Srpska, i cili në një intervistë për « Sputnik » thot se, sa ma shpejtë duhet të formohet « bota serbe » apo « serbia e madhe », në të cilën do të bëjnë pjesë, Serbia, Republika Srpska, Mali i Zi dhe Kosova”, potencoi Musliu.

Në fund, mbështeti rezolutën e Parlamentit Europian për agresionin në Banjskë, derisa kërkoi nga institucionet e Kosovës që të jenë më vigjilente dhe të bashkëpunojnë ngushtë me faktorin ndërkombëtarët.

“Derisa Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian ishin më të butë, vlerësimin më të drejtë të agresionit mbi Kosovën e ka bërë Parlamenti Europian, i cili në Rezolutën që miratoi javë më parë, e dënoi dhe fajsoi ashpër Serbinë duke kërkuar sanksione kundër saj, me konstatimin se ajo po ndjek një politikë shumë të rrezikshme.

Në këtë drejtim, madje edhe më korrekt në vlerësime, është edhe një Raport preliminar i SHBA-ve, që sapo ka përfunduar hetimet për rastin e Banjskës, në të cilin, përveç tjerash, konstatohet se, zinxhiri komandues i agresionit mbi Kosovën, përfshin tërë aparatin shtetëror të Serbisë, duke filluar nga Vuçiqi, strukturat e sigurisë, ushtria etj., dhe se ende ekziston rreziku i përsëritjes së kësaj ngjarje.

Prandaj institucionet e Kosovës duhet të jenë edhe më vigjilent, të kenë bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar, dhe të kërkojnë nga ata që të jenë më serioz dhe më rigoroz ndaj Serbisë”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat