“Vatër e re zjarri”, eksperti i sigurisë vjen me deklaratë të fortë – përmend dy baza ushtarake serbe në kufi me Kosovën!

Politika

“Vatër e re zjarri”, eksperti i sigurisë vjen me deklaratë të fortë – përmend dy baza ushtarake serbe në kufi me Kosovën!

Nga: A.M. Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 17:00
Foto ilustrim nga "Bota sot"

“Rusia po nxit luftë në Ballkan, në mënyrë që një shtet të sulmojë një tjetër”, kështu deklaroi Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi.

Kjo deklaratë u përcjell me reagime te shumta.

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Së pari, ai u shpreh se një paralajmërim i ngjashëm me këtë të presidentit ukrainas, ishte bërë kohë më parë, derisa ishin përmendur edhe dy baza ushtarake serbe.

“Është e vërtet se Kosova është e ekspozuar para një rreziku serioz nga përpjekjet e Serbisë dhe Rusisë për destabilizimin e rajonit. Këtë së fundi e tha edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, një paralajmërim të cilin ne e kishim bërë shumë më herët dhe se kishim dhënë edhe detaje, ku kishim treguar se ekzistojnë dy baza ushtarake, 20 kilometra afër kufirit me Kosovën. Baza të cilat po trajnojnë qytetarë serbë të moshës së rritur për të organizuar aktivitete të dhunshme, sulme terroriste apo agresione mbi territorin e Kosovës”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Image
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Po ashtu, ai tha se gjithë këto zhvillimet vijnë pas agresionit në Banjskë dhe dështimit të planit të bandave kriminale serbe.

“Krejt këto ngjarje kanë ndodhur pas një tentim agresioni që kishim në Kosovë, më 24 shtator, ku kemi pasur mundësi të shohim se numri më i madh i anëtarëve të grupeve terroriste që kishin bërë veprën terroriste janë të lirë, madje është larguar edhe vetë udhëheqësi i tyre, i cili e ka pranuar publikisht se ka qenë në krye të këtij grupi dhe ka tentuar të bëjë agresion në territorin e Kosovës.

Ky grup i madh ishin larguar pas një përpjekje të Policisë së Kosovës për t’i arrestuar ata dhe pas një efikasitetit të jashtëzakonshëm që policia jonë e kishte pasur për të menaxhuar një situatë të rëndë të sigurisë”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Elezi vlerësoi se deklarimet e Zelenskyt qëndrojnë, gjë të cilën e konfirmojnë edhe forcat e shtuara ndërkombëtare, sidomos ato të KFOR-it në komunat veriore të Kosovës.

“Paralajmërimet e presidentit të Ukraines qëndrojnë dhe përputhen me deklarimet që kemi për në vazhdimësi dhe realisht ka pasur veprime konkrete të forcave ndërkombëtare sidomos të KF0R-it, I cili vepron në kuadër të NATO-s, duke sjellur forca shtesë nga kontigjenti britanik, pjesëtarë nga njësi të veçanta, nga ushtria turke, hungareze, amerikane, etj., të cilat janë dislokuar në veri të Kosovës dhe kanë vendos kontrolle të shpeshta. Po ashtu, po monitorojnë edhe vijën kufitare edhe pse është një terren mjaftë i vështirë dhe pozitë e cila mund të themi se është mjaftë e vështirë për t’u kontrolluar”, shpjegoi Elezi.

Gjithashtu, eksperti i sigurisë vlerësoi se ka një koordinim shumë të mirë mes Policisë së Kosovës dhe agjencive të ndryshme ndërkombëtare.

Ai përmendi edhe dy shtetet tjera, përveç Kosovës, që janë në rrezik nga Serbia dhe Rusia.

“Sado kudo pas ngjarjes së 24 shtatorit dhe paralajmërimeve që janë bërë nga DASH, BE, NATO dhe tani së fundi nga presidenti ukraianas, duket se ka një koordinim të shkëlqyer mes Policisë së Kosovës dhe agjencive të ndryshme të inteligjencës apo shërbimeve sekrete, po ashtu dhe NATO-s për të parandaluar një tentim agresioni që mund të ndodhë apo një tentim të Rusisë duke përdor satelitin e saj Serbinën dhe grupet e tjera terroriste, persona me ndikim politik siç janë në Bosnjë dhe Mal të Zi për të eskaluar situatën fillimisht në Kosovë, më pas Bosnje e për të vazhduar tutje në Malin e Zi”, nënvizoi ai.

Në fund, Elezi potencoi se BE dhe SHBA po angazhohen fuqishëm për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kjo për të mos i dhënë Rusisë hapësirë për të hapur një vatër të re zjarri.

“Ne jemi të vetëdijshëm që Rusia në vazhdimësi po tenton të shkëpusë vëmendjen nga zhvillimet me luftën në Ukrainë, dhe të ketë një vatër të re zjarri në rajon, kështu që të kemi një defokusim të forcave ndërkombëtarët të sigurisë, NATO-s.

Krejt këto pretendime qëndrojnë dhe ne duhet të kemi kujdes, por në anën tjetër ka një përpjekje serioze të Bashkimit Evropian, po ashtu dhe Amerikës për të tejkaluar dhe arritur një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat