Alarmi për luftë, deklarohet ish-zyrtari i lartë amerikan: Ja kush do ta mbrojë Kosovën në rast të dhunës vdekjeprurëse

Politika

Alarmi për luftë, deklarohet ish-zyrtari i lartë amerikan: Ja kush do ta mbrojë Kosovën në rast të dhunës vdekjeprurëse

Nga: A.Zh Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 11:27
David L. Phillips

Eksperti amerikan i politikës së jashtme David L. Phillips, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Kosova është vendi më i rrezikuar nga një konflikt i ri në Ballkan.

Duke komentuar alarmin e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, se Rusia do të nis një luftë të re në Ballkan, Phillips ka vlerësuar se presidenti rus Vladimir Putin, ka për qëllim të çorientojë SHBA-në me krizat të tjera.

“Kosova është vendi më i cenueshëm në kufi me “botën e Rusisë”. Ashtu si Putini nxiti konfliktin midis Hamasit dhe Izraelit, ai kërkon të çorientojë SHBA-në nga krizat e tjera”, ka deklaruar ish-drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York.

Për shkak të rritjes së shqetësimeve për një konflikt të ri në Ballkan, KFOR-i ka shtuar patrullimet në territorin e Kosovës.

Së fundmi, Reuters raportoi se trupat britanike janë duke patrulluar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e trupave të KFOR-it.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve njoftoi se ushtarët britanikë janë vendosur në kufi dhe po patrullojnë me ndërrime 18 orësh në kushte dimri për t’u siguruar që më nuk futen në Kosovë armë apo grupe të armatosura.

Sipas Phillips, në rast se do të ketë sërish dhunë, KFOR-i do ta mbrojë Kosovën.

“Pasi që forcat e NATO-s janë të vendosura në Kosovë, nuk ka organ më të mirë për të mbrojtur Kosovën në rast se përleshjet kufitare shndërrohen në një spirale dhune vdekjeprurëse”, ka theksuar ish-zyrtari i lartë në Departamentin amerikan.

Ndryshe, edhe Gjermania ka njoftuar se do t’i dërgojë edhe 150 trupa shtesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. Lajmin e ka bërë të ditur kryediplomatja gjermane, Ana Baerbock, pas takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, duke theksuar se paqja në Ballkanin Perëndimor “varet nga një fije”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat