“E ka thënë Eskobar”, ish-zëvendës ministri vjen me një skenar për Asociacionin

Politika

“E ka thënë Eskobar”, ish-zëvendës ministri vjen me një skenar për Asociacionin

Nga: Nehat Shaqiri Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 16:59
Gabriel Escobar

Ish – zëvendësministri i MPB-së, dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, tani është momenti kritik dhe politik e strategjik që Qeveria e Kosovës të punojë profesionalisht dhe të ofron modelin e saj për Asociacionin.

Ai thotë se kjo duhet të bëhet pas kërkesave dhe presioneve të ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit.

Tërnava pohon se tash Qeveria duhet të hartoj Asociacionin me njerëz kompetent dhe profesional dhe të jetë në harmoni me Kushtetutën.

“Një model i tillë asociacioni, i bazuar në ligjet dhe kushtetutën e Kosovës nuk duhet lejuar për të kufizuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve ku ata dëshirojnë të vendosin dhe të jetojnë, nga komuna në komunë e nga rajoni në rajon, kudo që dëshirojnë të punojnë e ndërtojnë jetën, të zhvillojnë lirshëm e të barabartë biznesit”, thotë ai.

Ai shton se, duhet të përfundoj ky proces duke u bazuar në ligjet e Kosovës si dhe duke e përjashtuar ndikimin e deritashëm të Serbisë në zhvillimet në Kosovë, por duke e trajtuar atë vetëm si partner të barabartë të shtetit, për të bashkëpunuar dhe me mundësi për të ndihmuar e investuar, sikur që ndodhë me të gjitha shtetet tjera.

“Pra Qeveria duhet fare të mos hamende por ta prezanton versionin e vetë që i është kërkuar mbi bazën e ligjeve dhe të kushtetutës, për ta prezantuar dhe diskutuar, e ku do të ishte pjesë përbërëse e zbatimit të të gjitha pikave të marrëveshjes në pako, sa më shpejtë dhe pa u vonuar. Zgjidhja duhet të jetë e atillë që të formohet një shoqatë, formë OJQ-je apo Asociacion i cili siguron bashkëpunim të komunave edhe me shtetet tjera, siç e përcakton kushtetuta dhe ligjet, por 100% duke u bazuar në ato kompetenca komunale që i siguron kushtetuta në kushtet e tashme edhe pa asociacionin, por vetëm të rregullohet me statut, duke pamundësuar dhe mos lejuar asnjë element të nivelit të tretë të pushtetit, por një nivel dyshkallësh, komunat me asociacionin dhe Qeveria e Kosovës me të gjitha institucionet tjera që bëjnë koordinimin dhe mundësinë e krijimit të hapësirës së bashkëpunimit në interesin e komunitetit por edhe të shtetit, sepse është e qartë që Kosova ka nevojë për zhvillim më të shpejtë e mirëqenie për të gjithë, perspektivë e punësim”, thekson ai.

Sipas tij, tani më gjithçka është qartësuar për dilemat që kanë ekzistuar, sepse SHBA dhe BE-ja janë garantues të faktit që absolutisht me statutin e Asociacionit nuk duhet të lihet asnjë lidhje direkt me Serbinë.

“Eskobar ka thënë qartë që kërkesa e SHBA-ve për asociacionin është që me këtë të ndihmohet Kosova, komuniteti serb për siguri dhe zhvillim dhe të përjashtohet Serbia që të ketë prezencë në Kosovë dhe të mos ketë ndikim”, thotë ai.

Ndryshe financimi i Asociacionit, dhe asociacioneve, pavarësisht për të cilin bëhet fjalë, sipas tij, duhet të mbetet në zgjidhje financimi vetëm nga buxheti i shtetit të Kosovës, dhe asnjë mënyrë tjetër, përveç përfitimeve që mundë të kenë nga asociimet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, e në këtë fushë të asociimit e bashkëpunimit ndërkombëtar, duhet dhe do ta ketë edhe çdo marrëveshje që arrihet për mbështetje nga Serbia, në kuadër të ligjit dhe asgjë përtej ligjit e kushtetutës.

“Me këtë hap të qeverisë së Kosovës do të bien edhe tezat e të gjithë atyre që flasin e propagandojnë rrejshëm se si Albin Kurti me veprimet e deritashme ka bërë dëm dhe sherr duke mos pranuar marrëveshjen e Asociacionit të vitit 2013 dhe atë të vitit 2015, sepse më këtë sherr dhe dëm i ka bërë vetëm Serbisë dhe njerëzve të Serbisë në Kosovë, disave që janë deklaruar hapur e disa kanë punuar fshehtë, prandaj ata kanë të drejtë të mos jenë të ligjor e kushtetues, në mbrojtje të interesit të shtetit, të ligjeve dhe kushtetutës së vendit”, potencon ai.

“Me përfundimin e Asociacionit për komunat më shumicë serbe, tani çështjet do të stabilizohen dhe në Kosovë do të ketë investime ndërkombëtare ku do të hapen vende të reja të punës me të ardhura të mira mujore për të punësuarit, dhe të rinjtë do të punësohen në numër të madhe dhe papunësia do të zvogëlohet dukshëm në të ardhmen, dhe të gjitha gjasat janë se edhe të tjerët që kanë shkuar më herët për punë në shtetet e perëndimit, do të kërkojnë mundësi për tu kthyer dhe për tu punësuar në shtetin e tyre Kosovë, dhe gjendja në përgjithësi do të stabilizohet në Kosovë, dhe Kosova në të ardhmen do ti përngjaj një shteti të avancuar krahasuar me disa shtete për rreth”, përfundon Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat