Eksperti i çështjeve të sigurisë Hysen Gecaj, ka komentuar vizitat e fundit të zyrtarëve amerikanë në Kosovë, duke thënë se ato kanë qëllim ruajtjen e paqes në Ballkan.
Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e ka quajtur lajm të mirë, faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të interesuara për paqen në rajon. Mirëpo, sipas tij, reagimet ndërkombëtare, tregojnë shqetësim për sigurinë në Kosovë.
“Vizitat dhe deklaratat e diplomatëve, ambasadorëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të rëndësishme të sigurisë siç është vizita e Drejtorit të CIA-s si dhe paralajmërimi i vizitës së Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s të enjten në Prishtinë, janë paralajmërime dhe kërkesa drejtuar liderëve në Ballkan me qëllim të ruajtjes së paqes.
Është lajm i mirë që faktori ndërkombëtar, në veçanti SHBA, është e interesuar për paqen në rajon, por ana negative e kësaj është që këto reagime ndërkombëtare janë sinjal i shqetësimit për sigurinë në Kosovë në veçanti, por edhe BeH dhe shtetet në fqinjësi me Serbinë, e cila është kërcënim për paqen”, është shprehur Gecaj.
Serbia ka paralajmëruar përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, nëse autoritetet vendore e hapin Urën e Ibrit, përkundër insistimit të shteteve të QUINT-it që kjo të mos ndodhë tani.
Gecaj e quan të keq, faktin që SHBA ka humbur besueshmërinë karshi Qeverisë së Kosovës.
“I keq është edhe fakti që ka rënie të besueshmërisë karshi Qeverisë së Kosovës, e cila nga ndërkombëtarët e në veçanti SHBA, po shihet si trazues i situatës në veriun e Kosovës, për shkak të një varg veprimesh kryesisht policore në veri të Kosovës”, ka theksuar më tej eksperti.
Ai ka treguar se pse serbët po e perceptojnë si kërcënim hapjen e urës nga Qeveria e Kosovës.
“Tani hapja e çështjes së Urës së Ibrit shkaktoi reagim më të ashpër ndërkombëtar, sepse një akt i këtillë, pra hapja e urës për qarkullim të automjeteve pa pëlqimin edhe të qytetarëve serbë në veri, po perceptohet si kërcënim për serbët. Natyrisht që aty nuk ka kërcënim real nga qeveria e Kosovës për serbët, mirëpo kjo po shfrytëzohet nga serbët si pretekst edhe për faktin që qeveria e Kosovës nuk ka bërë përgatitjet paraprake të nevojshme për sa i përket edhe koordinimit me faktorin ndërkombëtar, si dhe përgatitjen e opinionit për hapat që ndërmori”, ka pohuar Hysen Gecaj për “Bota sot”.
Sipas tij, SHBA dhe NATO do të përdorin veton e tyre për qetësimin e situatës në Ballkan, pasi “Kosova është projekt euroatlantik”.
“Kosova si projekt edhe euroatlantik, mbart sfida në aspektin e sigurisë edhe për faktin që siguria e saj është e lidhur ngushtë edhe me sigurinë ndërkombëtare, prandaj si pasojë kemi domosdonë e koordinimit me SHBA-në dhe NATO-n, të cilat në fund të ditës do të përdorin “veton” e tyre për qetësimin e situatës në Ballkan, pavarësisht kërcënimeve të Serbisë apo autoritarizmit të Kurtit”, ka shtuar Hysen Gecaj për gazetën.