Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka paralajmëruar se do të krijojnë diçka më të madhe në tetor, në Berlin.
Sipas tij, duhet kompromis dhe vullnet për marrëveshje politike, të cilat mund të mos jenë të lehta për Serbinë, por as për Kosovën.
“Ne duam që të krijojmë një diçka më të madhe në tetor në Berlin dhe në javën vijuese do të jem në gjithë rajonin, pas Prishtinës, për të përgatitur rezultate konkrete për popujt në Ballkanin Perëndimor që të ecim përpara së bashku, do të thotë rezultate konkrete për jetën e secilit qytetar në gjithë rajonin”.
“Por, për këtë na duhet kompromisi dhe nganjëherë edhe vullneti për të bërë koncesione, për t’u pajtuar mbi marrëveshje politike, që mund të mos jenë të lehta për Serbinë, apo mund të mos jenë të lehta për Kosovën”, u shpreh ai.
Tutje, emisari ka shprehur brengosjen e tij për qëllimin e tyre.
“Po largohem paksa i brengosur që nuk kemi arritur në atë moment ende, nëse nuk arrijmë rezultate më të mira për të ecur drejt samitit më 24 tetor, jam i brengosur se nuk do të arrijmë qëllimin tonë për të dhënë një sinjal të fuqishëm që bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët rajonal dhe procesi i Berlinit është formati që arrin të sjell rezultate konkrete për njerëzit në këtë rajon. “Sot po bisedoja me kryeministrin Albin Kurti, në të ardhmen do të shkojë në pesë shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor, i kërkoj secilit që të bëjë çdo gjë të mundur, në emër të vullnetit të kompromisit, për të arritur ato rezultate për lirinë e mallrave, të njerëzve, të parave, të tregëtisë në gjithë rajonin. Pra, së bashku në një drejtim, drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Në media është duke qarkulluar që asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të jetë kompromis i dhimbshëm për Kosovën, ndërsa rreth kësaj çështjeje dhe nëse do të duhej ta pranonte Kosova që të qetësoheshin raportet me ndërkombëtarët, deputeti i Kosovës në Parlamentin e Bavarisë së Epërme, Deli Balidemaj, nuk beson që kjo do të ndikonte në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.
Sipas tij, Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk diskuton me fqinjët për çështje të brendshme.
“Jo nuk besoj që një asociacion do të ndikonte në raportet e Kosovës me Bashkësinë ndërkombëtare. Besoj që në qoftë se do të realizohej një i tillë do të vinte kërkesa tjetër. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk diskuton me fqinjët për çështje të brendshme. Ne u jemi falenderues bashkësisë ndërkombëtare për gjithë përkrahjen që na dhanë për çlirimin e vendit dhe ngritjen e institucioneve demokratike. Sigurisht që Kosova bashkëpunon në çështje madhore dhe është përkrahësi më i madh i SHBA-së dhe BE-së, por njëkohësisht duhet dalëngadalë të forcohemi në vendimmarrje dhe mos të jemi barrë e bashkësisë ndërkombëtare për çdo vendim”, deklaron Balidemaj.
I pyetur pse ndërkombëtarët nuk i japin një garancë Kosovës (ashtu sikur kërkojnë) për asociacion që nuk do ta cenonte shtetësinë e saj dhe te ecet përpara me dialog, Balidemaj thotë se shtetësinë e Kosovës më së pari duhet ta garantojnë institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
“Shembullin më të mirë në këtë rast e kemi Bosnjën. Shtetësinë e Kosovës më së pari duhet ta garantojnë institucionet dhe qytetaret e Kosovës. E edhe në qoftë se do të ndodhte diçka e tillë që nuk ndodh me ndërrimin e udhëheqësive në bashkësinë ndërkombëtare nganjëherë ndërrohen edhe prioritetet”, thekson deputeti.
Ai tutje, ka shtuar se marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet me përpikëri.
“Dialogu Kosove Serbi është tërë zgjatur. Aty kemi marrëveshjen e Ohrit e cila duhet të zbatohet me përpikëri dhe pastaj duhet t’u jepet hapësirë organizatave joqeveritare të të dyja vendeve që të organizojnë shkëmbime të ndërsjella sportive, kulturore, shkencore dhe te lëmive të tjera ashtu që të ketë afërsi mes dy popujve”, përfundon Balidemaj.