Ku “gaboi” QUINT-i me Kosovën?

Politika

Ku “gaboi” QUINT-i me Kosovën?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 tetor 2024 Në ora: 10:05
Foto ilustrim

Dialogu Kosovë- Serbi ka ngecur dhe me të edhe marrëveshjet e nënshkruara apo të përfolura.

Kritika ndaj perëndimit dhe qasjes së tyre ndaj Kosovës, jo rrallë herë kanë pasur analistë e ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë, por edhe deputetë  e ish- deputetë të ndryshëm.

Të enjten, ish- deputeti nga radhët e `Të Gjelbërve` në Parlamentin Evropian (PE), Reinhard Butikofer, ka qenë ai që ka kritikuar qasjen e shteteve perëndimore ndaj Kosovës.

Ai i ka cilësuar gabim veprimet e tyre ndaj Kosovës.

Bütikofer ka vlerësuar inkurajuese pjesëmarrjen e Kurtit në Forumin Varshavës me temë ‘Fokusi në Ballkanin Perëndimor: Lidhja e Gjeopolitikës dhe Integrimit Evropian’.

“Për të ftuar Albin Kurtin për adresim ishte një hap i mirë, i guximshëm dhe i domosdoshëm, duke sinjalizuar qartë se sa gabim është Quint në ostracizmin e tyre ndaj Kosovës”, ka shkruar ai në ‘X’.

Rreth “gabimeve” të perëndimit kanë folur analistë për “Bota sot”, të cilët thonë se është e pakuptueshme sesi perëndimorët janë kundër Kosovës dhe kryeministrit Kurti, gjersa shtojnë se duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët me faktorin ndërkombëtar.

Mehazi: Është absurde dhe e pakuptueshme që shtetet e fuqishme evropiane të jenë kundër Kosovës dhe kryeministrit Kurtit

Analisti Sulejman Mehazi, thotë se nëse BE dhe QUINT-i e përkrahin Serbinë, atëherë janë për luftë e kurrsesi për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai e konsideron absurde dhe të pakuptueshme, sesi shtetet e fuqishme evropiane janë kundër Kosovës dhe kryeministrit Kurti

Image
Sulejman Mehazi

“Deklarata e ish-deputetit nga partia e "Të Gjelbërve" në Parlamentin Evropian, Reinhard Butikofer, në përkrahje të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe kundër shteteve perëndimore të QUINT-It është shumë e arsyeshme dhe e drejtë, deklarata e tij është paralajmëruese e luftës në mes Serbisë-Kosovës dhe më gjerë, se nëse në vazhdimësi BE-ja, QUINT-i përkrahin Serbinë atëherë janë për luftë e kurrsesi për paqe në mes Kosovës dhe Serbisë. Është absurde dhe e pakuptueshme që shtetet e fuqishme evropiane të jenë kundër Kosovës dhe kryeministrit Kurtit i cili nuk kërcënon askënd, pos mbrojtjes së sovranitetit dhe kushtetutës së vendit të tij”, thotë Mehazi.

Sipas tij, ndoshta shtetet e BE-së e dinë se Kosova është nën mbrojtje të KFOR-it për atë janë duke e përkrahur Serbinë vetëm pse blenë armë të vjetra nga shtetet evropiane, pasi përballjet luftarake modern bëhen me anë të dronëve të përsosura e të softsikuara.

“Perëndimorët turpërisht janë duke përkrahur Serbinë e cila po armatoset para  BE-së e shteteve të fuqishme të QUINT-t pa farë kundërshtimesh nga vetë të "mençurit" dhe "të fuqishmit' evropianë të cilët sillen sikur kanë frikë nga Serbia se mos i shpallë luftë BE-së e jo Kosovës. Apo ndoshta shtetet e BE-së e dinë se Kosova është nën mbrojtje të KFOR-t dhe Bostillit amerikan dhe janë duke e përkrahur Serbinë vetëm pse blenë armë të vjetra nga shtetet evropiane, pasi përballjet luftarake moderne bëhen me anë të dronëve të përsosura e të sofistikuara”, shprehet analisti.

Ai vazhdon me hipoteza tjera se pse BE, SHBA dhe QUINT e përkrahë Serbinë, gjersa shton se ajo është shtet gjenocidial dhe ka apetite të rritura.

“Ndoshta BE-ja, SHBA-të, QUINT-i e përkrahin Serbinë vetëm për ta mashtruar e plaçkitur Vuçiqin për të blerë armë nga ata? Shkurt, Serbia përkrahet nga shtetet e fuqishme perëndimore për shkak bizneseve të armëve me Vuçiqin pasi e dinë se Serbia e Vuçiqit nuk do hyjë në luftë kundër Kosovës. Ata e dinë se Serbia është shtet gjenocidial dhe nëse e lejojnë luftën serbe në Kosovë, atëhere apetitet serbe do rriten në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi”, përfundon Mehazi.

Gjersa, ish- deputeti kritikon perëndimin për qasjen ndaj Kosovës, kjo e fundit jep deklarata paralajmëruese se nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, ajo gjendje do të ndikojë në të gjithë Ballkanin, duke lehtësuar zgjerimin e Serbisë dhe duke paraqitur kërcënim për rajonin.

Këto deklarata nuk marrin kundër reagime nga shtetet perëndimore, ndërsa analisti politik Visar Xani, thotë se ata kanë strategji gjeopolitike që i ndërtojnë dhe i praktikojnë për terrene të caktuara.

Xani: Për Kosovën është shumë me rëndësi që me faktorin ndërkombëtar të ketë një gjuhë të përbashkët

Xani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se reagimi i faktorit ndërkombëtar është pothuajse i njëjti për çështje të caktuara, prandaj reagimi i Bütikofer nuk mund të ketë shumë ndikim.

Sipas tij, Kosova duhet të lobojë dhe të punojnë që strategjia e perëndimorëve të kthehet në pozitivitet dhe favor të saj.

Image
Visar Xani

“Qasja e shteteve perëndimore realisht realizohet përmes strategjive gjeopolitike që ata i ndërtojnë dhe i praktikojnë për terrene të caktuara në këtë rast edhe ndaj Kosovës. Po shohim që pak a shumë reagimi i faktorit ndërkombëtar është pothuajse i njëjti për çështje të caktuara, prandaj edhe reagimi i deputetëve të caktuar intelektual nuk mund shumë të ndikojë dhe ne si Kosovë duhet të lobojmë dhe të punojmë që strategjinë e perëndimorëve të kthejmë në pozitivitet të Kosovës dhe jo vetëm të marrim deklarata të caktuara të cilat mund të jenë të favorshme për politikën e Kosovës, apo mund ta denoncojnë një gjë të tillë”, shprehet Xani.

Sipas tij, është e rëndësishme që Kosova dhe faktori ndërkombëtar të ketë gjuhë të përbashkët.

“Pra, orientimin strategjik të vendeve tjera ne duhet ta ndihmojmë dhe pak a shumë përmes bashkëpunimit edhe të udhëzojmë një metodë të tillë. Për Kosovën është shumë me rëndësi që me faktorin ndërkombëtar të ketë një gjuhë të përbashkët dhe një farë mënyre të kthejë mbështetjen diplomatike ndaj Kosovës”, përfundon Xani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat