Kërcënimi ndaj Ambasadës së Kosovës në Norvegji/ Eksperti i sigurisë paralajmëron për përpjekje të destabilizimit të Kosovës

Politika

Kërcënimi ndaj Ambasadës së Kosovës në Norvegji/ Eksperti i sigurisë paralajmëron për përpjekje të destabilizimit të Kosovës

Nga: A.SH Më: 28 janar 2025 Në ora: 22:04
Slogani nacionalist serb

Në hyrje të Ambasadës së Kosovës në Oslo është vendosur slogani nacionalist serb “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Pas këtij akti menjëherë ka reaguar Ambasada, ku e ka cilësuar si kërcënim i drejtpërdrejtë për Republikën e Kosovës.

“Thellësisht të shqetësuar për imazhin alarmant dhe sloganin nacionalist serb të vendosur në hyrje të ambasadës sonë në Oslo. Ky akt është kërcënim i drejtpërdrejtë për Republikën e Kosovës, stafin e ambasadës, shkel normat ndërkombëtare, si dhe minon parimet e diplomacisë dhe respektit të ndërsjellë”, thuhet në reagim.

Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se qëllimi i vetëm me këto sllogane është destabilizimi i vendit.

Ky sllogan nacionalist i vendosur në hyrje të Ambasadës së Kosovës në Oslo është vazhdimësi e slloganeve sikurse që ka ndodhur psh në Paris- Francë dhe vende tjera më përpara.

Pra, ata që nuk ia duan të mirën Kosovës në vazhdimësi kanë qëllimin e vetëm mendoj unë, tentim destabilizimin e vendit tonë në forma të ndryshme.

Kosova gjindet në fushatë zgjedhore tashmë, vigjilenca nuk ka alternativë, preventiva për parandalim duhet të jetë maksimale për t’i parandaluar qarqet destruktive që mundohen ta destabilizojnë Republikën e Kosovës edhe në këso forma siç e ceka më lartë”, deklaron Dashevci.

Tutje, ai thotë se për këto incidentet duhet të njoftohet edhe faktori ndërkombëtar dhe mbi të gjitha të ketë edhe reagim nga ta.

Siç thotë Dashevci, institucionet e sigurisë kanë kapacitete të plota për veprim që t’u përgjigjen çfarëdo forme të kërcënimeve.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të njoftohet për këto incidente dhe diplomacia jonë duhet të jetë shumë aktive mendoj unë, me reagime dhe të njoftojnë me kohë sa më shpejtë BE dhe partnerët strategjik.

Çdo formë e sulmit kundrejt vendit tonë paraqet shqetësim duke pasur parasysh se në çka ka kaluar Republika e Kosovës në vitin 2023 dhe 2024.

Institucionet tona të sigurisë kanë kapacitete të plota për veprim që t’u përgjigjen çfarëdo forme të kërcënimeve.

Janë të konsoliduara në plotni dhe në bashkëpunim me partnerët strategjik SHBA dhe BE”, përmbyll ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat