Krimet e kryera në Kosovë gjatë kohës së luftës nga forcat serbe vazhdojnë të mbeten plagë të hapura për qytetarët.
Gjatë viteve 1998-1999, në Kosovë ndodhën krime të rënda, si masakra ndaj civilëve, përfshirë edhe foshnjat, dhunime seksuale, dëbime të dhunshme nga shtëpitë dhe shkatërrime të pronave të ndryshme.
Masakrat si ato të Reçakut, Izbicës, Mejës etj., nuk do të harrohen kurrë, pasi ato ishin ndër barbarizmat më të tmerrshme që mund të dëshmojë syri i njeriut.
Për këto krime, Serbia ende nuk është dënuar. Për më tepër, ky shtet vazhdimisht i mohon ato.
Fatkeqësisht, në Kosovë dëshmitarët e këtyre krimeve po ndërrojnë jetë, duke u larguar nga kjo botë me dhimbjen e madhe që dora barbare serbe nuk e mori dënimin që meritonte.
Vetëm në javët e fundit kanë ndërruar jetë Zejnepe Gashi, Enver Duriqi dhe Bajram Qerkini, të cilët i përjetuan këto krime nga afër.
Profesori Mehazi paralajmëron humbjen e dëshmive për krimet serbe në Kosovë
Nisur nga kjo, profesori, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se çdo ditë e më shumë Kosova është duke humbur dëshmitarët e krimeve të luftës.
“Pika më e dobët e politikanëve të Kosovës që nga 1999 e deri më sot është mosangazhimi dhe heshtja ndaj krimeve makabre serbe në Kosovë, sa më shumë që kalojnë vitet aq më shumë Kosova është duke humbur dëshmitë kriminale serbe, sa më shumë që nuk argumentohet, aq më shumë mjegullosen dëshmitë ndaj krimeve gjenocidiale serbe”, ka thënë ai.
Sipas tij, me humbjen e dëshmitarëve si Zejnepe Gashi, Enver Duriqi e Bajram Qerkini, mund të humbasin edhe dëshmitë tronditëse serbe në Kosovë.
“Serbët atë duan që të kalojnë vite e vite për të humbur gjurmët vrastare ndaj qytetarëve civilë të Kosovës, shembull konkret kemi shkuarjen në amshim të dëshmitarëve të gjallë të krimeve serbe: Zejnepe Gashin, Enver Duriqin e Bajram Qerkinin, që me humbjen e tyre do humbin edhe dëshmitë tronditëse serbe në Kosovë.
Me humbjen e dëshmitarëve të gjallë humbin dhe dëshmitë gjenocidiale serbe përpara Gjykatës së Hagës. E kundërta e dëshmive është harresa, e kundërta e harresës janë dëshmitë, historikisht popujt që harrojnë dëshmitë e së keqes jetojnë me të keqen për shkak se çdoherë ju përsëritet kjo e keqe me shekuj”, ka theksuar profesori.
Tutje, Mehazi ka treguar se në çfarë duhet të përqendrohen Institucionet e Kosovës.
“Institucionet e Kosovës duhet të përqendrohen papritur në dëshmitë e dorës së parë të viktimave për të siguruar e argumentuar drejtësinë në Gjykatën e Hagës ndaj krimeve të luftës së Millosheviqit në Kosovë, me dëshmitë e gjalla të argumentojnë se Serbia jo që është shpallur në botë shtet gjenociadial, po të shkohet dhe më tej të paguajë dëmshpërblime për krimet e bëra në Kosovë.
Institucionet e Kosovës nuk duhet të kënaqen vetëm me OKB-në që e kanë shpallur Serbinë shtet gjenocidial, por të shkohet dhe më me shumë dëshmitë vrastare terroristë të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë në Kosovë”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.
Qarri: Krimet serbe në Kosovë po mbeten pa dokumentim, institucionet kanë dështuar
Në anën tjetër, analisti politik, Gani Qarri, ka folur në detaje për krimet e luftës të ndodhura në Kosovës, ku ka përmendur masakrat e vrasjet , persona e zhdukur, etj.
“Më aq sa dihet zyrtarisht, mbi 13 mijë e 500 veta, llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit për çlirim nga okupimi serb, shifra të cilat nuk i ka publikuar Kosova, por Fondi për të Drejtën Humanitare, që në fakt, janë shfrytëzuar edhe nga institucionet dhe instancat relevante ndërkombëtare, viktima të luftës, të cilat janë treguesi më i dhimbshëm që dëshmon se si Serbia fashiste deshi ti zhdukë shqiptarët dardan, përjetësisht nga faqja e dheut, në mesin e të cilëve nuk mungonin as viktimat e fëmijëve minor edhe disa muajsh.
Dhe derisa një nga plagët me dhembjen më të gjatë të luftës janë dhe mbeten mbi 1600 shqiptarët e kidnapuar të cilët Serbia edhe 25 vite pas lufte vazhdon ti mbajë peng, në mesin e viktimave pati edhe shumë fëmijë minor, si bie fjala në masakrën e Poklekut, ku nga 54 të vrarë, 24 prej tyre ishin fëmijë, gjë që flet publikisht, se aksionet policore e ushtarake të Serbisë okupatore, nuk kishin të bënin me luftë, por me qëllimin për zhbërjen e shqiptarëve nga më i moshuari deri tek më i riu, qoftë ai edhe fëmijë i sapolindur, para një dite, një jave a një muaji, apo edhe fëmijë të cilët ende nuk e kishin parë dritën e kësaj bote, por që u masakruan bashkë me të ëmat, në gjakderdhjet e planifikuara industriale serbe, për të shfarosur një popull të tërë, siç veproi Serbia me shqiptarët në Kosovë”, ka shpjeguar ai.
Më tej, ai i ka kritikuar partitë të cilat kanë udhëhequr shtetin dhe nuk kanë arritur që të bëjnë dokumentimin e krimeve që ka kryer Serbia në Kosovën.
“Përkundër të gjithave krimeve dhe gjenocidit, të kryer nga Serbia në Kosovë edhe mbi dy dekada pas përfundimit të luftës qeveritë e udhëhequra nga partitë e inkriminuara, përveçse nuk kanë arritur të bëjnë asnjëherë dokumentimin e saktë dhe të plotë të krimeve që ka kryer Serbia okupatore në Kosovën e pushtuar, megjithëse në vitin 2011, ishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL) dhe ishte funksional deri në vitin 2018, më 2018, përveçse nuk ishte bërë mjaftueshëm në evidentimin dhe dokumentimin e vrasjeve dhe mbledhjen e fakteve e të dëshmive nga të mbijetuarit e luftës dhe dëshmitarët okularë, për shkak të mos mbështetjes nga institucionet e shtetit, nga po ato qeveri, u mbyll edhe Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe filluan të qarkullonin edhe deklarata publike, për faljen e krimeve të Luftës, që Serbia gjenocidiale kishte kryer në Kosovë, që në fakt, ishte krim i dyfishtë ndaj viktimave të luftës në Kosovë”, ka theksuar ai.
Po ashtu, Qarri ka deklaruar se sot është shumë vështirë që të gjenden fakte autentike, pasi shumë dëshmitarë e të mbijetuar të luftës kanë ndërruar jetë.
“Andaj sot mbi 25 vjet pas luftës, duke pasur parasysh se sa e vështirë është të gjinden fakte autentike dhe të dhëna burimore, pasi që shumë dëshmitarë dhe të mbijetuar të luftës me kalimin e kohës, kanë vdekur dhe për fat të keq, dokumentacione të shkruara ka fare pak, detyrë dhe obligim i shtetit, por edhe mision kombëtar dhe mbarë popullor i të gjithë qytetarëve të Kosovës, është dhe mbetet që së bashku, të bëjmë të pamundurën, në mënyrë që kryesit e akteve barbare dhe të gjitha masakrave, vrasjeve e kidnapimit të shqiptarëve në shtëpitë dhe trojet e veta, si dhe urdhërdhënësit e tyre të dalin para drejtësisë dhe të marrin edhe dënimin e merituar.
Çështja nuk pret edhe për faktin se me kalimin e kohës, pas 25-26 vitesh të përfundimit të luftës, po shuhen edhe dëshmitarët e gjallë të atyre ngjarjeve të përgjakshme siç humbi ditët e fundit, Kosova edhe disa nga dëshmitarët autentik dhe përjetuesit e akteve barbare me viktimat e luftës, si Zejnepe Gashin, Enver Duriqin e Bajram Qerkinin, të cilët që të tre, ishin edhe dëshmi të gjalla të krimeve të Serbisë okupatore në Kosovë.
Madje dëshpërimi dhe dhembja bëhen aq të mëdha dhe shkojnë deri në pamundësi të durimit njerëzor, derisa Kosova po humb dëshmitarët e gjallë, kurse Serbia fashiste përveçse ende nuk është dënuar për këto krime, tash e mbi 25-26 vite, fatkeqësisht mban peng edhe mese 1600 viktima të kidnapuara, për fatin e të cilëve, ende nuk di askush, asgjë dhe familjet në Kosovë për mbi një çerek shekulli, vijojnë ti vajtojnë në heshtje dhe presin me varre të hapura, pa iu dhënë mundësia, që të paktën të kenë ku ti kujtojnë dhe luten për shpirtin e tyre, të pafajshëm”, ka potencuar ai.
Sipas tij, shteti, institucionet përkatëse, dhe poseduesit e fakteve e argumenteve, duhet të bashkohen për të kontribuar në sigurimin e krimeve të luftës që janë bërë nga Serbia në Kosovë.
“Vet përkujtimi i viktimave të krimit dhe gjenocidit barbar serb, përveç lotit të dhembjes është akt reflektimi për mosdënimin e deritanishëm të autorëve dhe kriminelëve gjakpirës serb, rikujtim i rrugës së vështirë nëpër të cilën kemi kaluar si njerëz nën okupim dhe çmimin e lartë që kemi paguar si popull për lirinë tonë të fituar me aq shumë mund dhe gjak të disa brezave.
Andaj edhe vdekja e natyrshme e dëshmitarëve autentik, ndikon shumë në ruajtjen e kujtesës historike të luftës si dhe zbeh argumentet e dëshmimit praktik të krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë, ndaj jo vetëm nga shteti dhe institucionet përkatëse, por çdo individ dhe posedues i fakteve e argumenteve, duhet ti bashkojnë forcat dhe kontributet duke bërë jo vetëm më shumë , por edhe të pamundurën, për të siguruar që krimet e luftës nga Serbia hegjemoniste në Kosovë të mos harrohen kurrë dhe drejtësia të shkojë në vend për të gjitha viktimat, duke i dënuar të gjithë autorët dhe gjakatarët serb, që kanë kryer krime dhe gjenocid mbi shqiptarët e pambrojtur në Kosovë.
Në fakt, habit shumë përpjekja e nomenklaturave kriminale të qeverisjeve të kaluara, në krye me Thaçin & Co, të cilat duke dashur të mbrojnë lëkurën e vet nga shantazhet serbe, nuk ngurruan edhe para katrahurave gjenocidiale të Serbisë ndaj viktimave të pa fajshme shqiptare, të shkonin deri atje sa të deklaronin dhe kërkonin publikisht edhe faljen e krimeve më të përgjakshme të Serbisë në Kosovë, propagandë antikombëtare dhe antinjerëzore që vriste për së dyti viktimat shqiptare, e cila përhapej pa asnjë pengesë në televizione, gazeta e portale, nga spiuni i Satnishiqit Baton Haxhiu dhe media e televizione të regjistruara në Serbi.
Por ne si popull dhe njerëz nuk mund t`ia kthejmë shpinën të kaluarës, as ti harrojmë viktimat që ranë për lirinë tonë, para syve të gjithë botës, vuajtjet e të cilëve i dimë dhe i kemi plagë në zemër, kur në Kosovë, për vetëm 15 muaj luftë patëm mbi 13 mijë të vrarë, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë, madje disa edhe me moshë vetëm një, apo disa mujore, për të cilët, përveçse ndjejmë dhimbje dhe përkulemi para tyre, duke i përkujtuar për herë me respekt dhe pietetin më të lartë, ata janë dhe mbeten dhembja jonë e pafund dhe dëshmia faktike e krimit dhe gjenocidit të organizuar shtetëror serb, si treguesi më cinik i qëllimit të Serbisë fashiste për ti zhdukur shqiptarët nga Kosova dhe trojet tona autoktone.
Dhe po ta kujtojmë me këtë rast në mesin e qindra masakrave tjera, vetëm atë të Poklekut ku nga 54 civil të vrarë, gati gjysma apo 24 prej tyre ishin fëmijë, nga mosha 6 mujore, të cilët pasi ishin masakruar në mënyrat më barbare, pastaj edhe ishin djegur dy herë radhazi, ngase djegia e parë, nuk kishte mjaftuar në sytë e gjakatarëve serb, që të zhdukeshin gjurmët e gjenocidit të tyre pervers, për ta bërë plotësisht të pamundur identifikimin e viktimave shqiptare dhe fshehur krimin mizor të gjakpirësve serb, ky akt përbën elementin më makabër të mundshëm, të gjenocidit të organizuar shtetëror të Serbisë ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, nga një shtet okupator e shfarosës gjenocidial, si Serbia që u kishte shpallur luftë edhe fëmijëve të palindur dhe ende në barkun e nënave të tyre, vetëm pse ishin shqiptar”, ka deklaruar ai.
Në fund, Qari ka shtuar se nuk duhet t`i kthehet shpina viktimave të luftës, dhe se drejtësia duhet të realizohet.
“E sot mbi një çerek shekulli ka kaluar nga ajo kohë, ndaj tanimë është momenti përfundimtar, që ne të cilët fal jetëve dhe gjakut të tyre sublim, jetojmë në liri, jo vetëm që nuk mund, as nuk guxojmë ta harrojmë të kaluarën tonë të hidhur, kaq të afërt, as t`ua kthejmë shpinën viktimave tona të luftës, nga aktet shfarosëse dhe gjenocidiale të Serbisë okupatore në Kosovë, por duhet ta bëjmë të pamundurën që kryesit e këtyre veprave gjenocidiale dhe akteve makabër të dalin medoemos para drejtësisë dhe marrin dënimin adekuat, ngase vetëm brenda 15 muajsh, nga policia, ushtria dhe bandat gjenocidiale të Serbisë okupatore– u vranë mbi 13 mijë shqiptarë dhe dëbuan mese një milion tjerë nga shtëpitë dhe banesat e tyre në Kosovë.
Andaj sado që angazhimi aktual i institucioneve aktuale, ndoshta edhe nuk është i mjaftueshëm, në përmasat që presin familjarët e që do të dëshironim edhe të gjithë ne, si qytetar të Kosovës, sa u takon krimeve masive gjenocidiale të Serbisë në Kosovë të paktën tani shihet dhe dëshmohet angazhimi i vazhdueshëm e në vijimësi edhe me burgosjen e kriminelëve të arritshëm serb, si dhe ngritja e aktakuzave edhe në mungesë, kundër kriminelëve serb të strehuar në Serbi, por që drejtësia për viktimat e luftës, përfundimisht edhe të realizohet, duhet të ndihmojmë dhe kontribuojmë të gjithë dhe këto përpjekje duhet rritur e zgjeruar dhe quar deri në fund, përndryshe rrezikojmë si shtet dhe popull, që kjo histori e tmerrshme, të na kthehet në bumerang dhe Zot ruana edhe serish të përsëritet ndaj popullit dhe shtetit tonë, nga po i njëjti okupator gjenocidial, krimet e gjakderdhjet makabër të të cilës, ndaj shqiptarëve të të gjitha moshave, ende i kemi të freskëta në memoriet tona”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.