Serbia shkeli Marrëveshjen e Ohrit/ Zbardhen pasojat e mundshme dhe paralajmërimet që mund ta presin!

Politika

Serbia shkeli Marrëveshjen e Ohrit/ Zbardhen pasojat e mundshme dhe paralajmërimet që mund ta presin!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 mars 2025 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 18 mars 2023, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian.

Kjo marrëveshje ka paraparë ndër të tjera që Beogradi të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

E në lidhje me këtë pikë të kësaj marrëveshje gjatë ditës së sotme Bashkimi Evropian ka bërë me dije që është shkelur nga Serbia.

Kosova hasi edhe në një pengesë tjetër gjatë kësaj jave në Këshillin e Evropës (KiE), pasi kërkesa e saj për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, u hoq nga rendi i ditës të mërkurën.

Serbia, përmes delegacionit të vet në këtë Komitet, por edhe përmes kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, u krenua për këtë arritje, duke e quajtur si fitore të madhe të Serbisë në mbrojtjen e interesave kombëtare

I pyetur për këtë, një zëdhënës i BE-së tha të premten se Serbia qartazi po i shkel detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023.

“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është një shkelje e qartë e obligimeve të Serbisë nga Marrëveshja e Ohrit”, thotë zëdhënësi i BE-së, duke nënvizuar se ky obligim përmendet në nenin 4 të Marrëveshjes, ku flitet për moskundërshtimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

E të gjendur në këtë situatë a mund të kemi masa ndaj Serbisë?

Voca: Brukseli po e sheh me shqetësim qasjen e Beogradit ndaj obligimeve të tij ndërkombëtare

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Ai thotë se kjo deklaratë e BE-së është sinjal i qartë se Brukseli po sheh shqetësim në qasjen e Beogradit ndaj obligimeve ndërkombëtare.

Sipas tij, Serbia ka shkelur dhe vazhdon të shkelë marrëveshjet, përfshirë edhe Marrëveshjen e Ohrit, pasi kemi të bëjmë me të njëjtin regjim politik për gati katër dekada dhe se në këtë politikëbërje të saj ndikon mentaliteti politik i Serbisë.

“Deklarata e Bashkimit Evropian mbi shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit nga Serbia është një sinjal i qartë se Brukseli po e sheh me shqetësim qasjen e Beogradit ndaj obligimeve të tij ndërkombëtare. Marrëveshja e Ohrit, e cila ishte pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshinte një angazhim të Serbisë për të mos penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Megjithatë, Serbia ka vazhduar të lobojë kundër Kosovës në forume të ndryshme, duke e dëshmuar këtë edhe me përpjekjet për të ndaluar statusin e Kosovës si “mysafir special” në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Natyrisht që Serbia ka shkelur dhe vazhdon të shkelë marrëveshjet, përfshirë edhe Marrëveshjen e Ohrit, pasi kemi të bëjmë me të njëjtin regjim politik për gati katër dekada. Mentaliteti politik në Serbi mbetet i pandryshuar, i ndërtuar mbi një sistem autokratik dhe të mbërthyer nga korrupsioni i thellë. Kjo gjendje reflektohet edhe në valën e protestave studentore që po sfidojnë regjimin aktual, duke kërkuar më shumë demokraci dhe transparencë. Një Serbi e tillë, e dominuar nga elitat politike që nuk kanë ndryshuar për dekada, nuk ka interes të vërtetë për një marrëveshje me Kosovën. Çdo marrëveshje e propozuar deri më tani ka shërbyer më shumë si një mekanizëm për të fituar kohë dhe për të mbajtur një status quo që i shërben politikës së brendshme të Beogradit. Në këto rrethana, një normalizim i vërtetë i marrëdhënieve me Kosovën është i pamundur pa një presion të duhur dhe të vazhdueshëm ndërkombëtar mbi Serbinë”, shpjegon Voca.

Image
Mirsad Voca

A do të përballet Serbia me pasoja pas kësaj deklarate?

Ndërsa, sa i përket pasojave ndaj Serbisë për këtë dekalratë, Voca thotë që një nga pasojat e mundshme është që Serbia të përballet me vështirësi në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

“Në aspektin politik dhe diplomatik, Serbia mund të përballet me rritje të presionit nga BE-ja dhe shtetet anëtare, të cilat kërkojnë që Beogradi të respektojë obligimet e tij. Megjithatë, BE-ja deri më tani ka qenë mjaft e kujdesshme në ndëshkimin e Serbisë, duke zgjedhur më shumë qasjen e dialogut dhe të kushteve të integrimit sesa vendosjen e sanksioneve të drejtpërdrejta.

Një nga pasojat e mundshme është që Serbia të përballet me vështirësi në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Procesi i integrimit të Serbisë është i ndërlidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe çdo shkelje e marrëveshjeve mund të përdoret nga BE-ja për të ngadalësuar ose kushtëzuar më tej hapjen e kapitujve të negociatave. Nëse BE-ja vendos të jetë më e ashpër, mund të ketë edhe pasoja financiare, si ulja e ndihmave ose fondeve të dedikuara për Serbinë”, theksoi ai.

Një tjetër përparësi për Kosovën nga kjo deklaratë është që mund të merr mbështetje në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

“Gjithashtu, kjo deklaratë mund të inkurajojë shtetet anëtare të BE-së që mbështesin Kosovën të jenë më të zëshme në mbështetjen e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, si një kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Serbisë. Kjo mund ta dobësojë ndikimin diplomatik të Serbisë në arenën ndërkombëtare dhe të forcojë pozicionin e Kosovës në proceset integruese.

Nëse regjimi në Serbi do të ndryshonte dhe vendi do të drejtohej nga një qeveri me një vizion të qartë evropian, atëherë do të ekzistonte një mundësi reale për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën. Një Serbi e orientuar drejt vlerave demokratike dhe integrimit evropian do të kishte interes strategjik për ta mbyllur çështjen e Kosovës në mënyrë paqësore dhe të pranueshme ndërkombëtarisht. Deri atëherë, përderisa në pushtet mbetet një regjim që kultivon nacionalizmin dhe konfliktin si mekanizëm mbijetese politike, marrëveshjet do të mbeten vetëm në letër dhe do të shkelet sa herë që t’i përshtatet interesave të qeverisë serbe”, potencoi Voca.

Si ndihmoi Spanja në këtë proces?

Duke vazhduar bisedën, njohësi përmend Spanjën që ka ndihmuar Serbinë në Këshillinë e Evropës duke kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për t’u integruar në këtë organizatë.

Po ashtu, Voca përmend dashamirët e futbollit spanjoll nga Kosova.

“Spanja ka ndihmuar Serbinë në Këshillin e Evropës duke kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për t’u integruar në këtë organizatë. Gjatë takimit të Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, kryetari i Grupit të Partisë Popullore Evropiane, spanjolli Pablo Hispán, kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së Kosovës për statusin e “mysafirit special”. Kjo kërkesë u votua dhe u miratua, duke shtyrë kështu shqyrtimin e kërkesës së Kosovës.

Veprime të tilla janë në përputhje me qëndrimin e Spanjës, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbështesë Serbinë në forumet ndërkombëtare. Ky qëndrim i Spanjës është i lidhur edhe me çështjet e brendshme territoriale, veçanërisht në lidhje me rajonet si Katalonja dhe Baskia, ku ekzistojnë lëvizje separatiste.

Për ata dashamirët e futbollit spanjoll nga Kosova, ndoshta është koha për të menduar dy herë para se të brohorasin me aq pasion! S’po themi të ndaloni së mbështeturi La Ligën, por të paktën ndonjë fishkëllimë virtuale për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës nuk do të ishte keq!

E njëjta gjë vlen edhe për disa media kosovare që i kushtojnë vëmendje të veçantë futbollit spanjoll, duke analizuar çdo lëvizje të futbollistëve apo trajnerëve të La Ligës, ndërkohë që Spanja bllokon Kosovën në forumet ndërkombëtare. Ndoshta një balancë më e mirë mes sportit dhe politikës nuk do të ishte e dëmshme”, nënvizoi njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca për “Bota sot”.

Mehmeti: Nuk pres dhe nuk besoj se BE do e ndëshkojë Serbinë pasi është e njëanshme

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që nuk është hera e parë që Serbai shkel marrëveshjenn e Ohrit, mirëpo lëshimet që BE ka bërë ndaj saj kanë sjellur këtë pikë.

“Nuk është hera e parë që Serbia ka shkelur marrëveshjen e Ohrit dhe as atë të Brukselit. Pikërisht ledhatimi që vet BE ka bërë ndaj Serbisë e kanë trimëruar shtetin fqinjë që në vazhdimësi t'i shkel marrëveshjet. Kështu që, në njëfarë mënyre është vet BE fajtore që Serbia sot po shkel marrëveshjet. Nëse BE do të reagonte me kohë dhe ta ndëshkonte Serbinë, nuk do të ishim sot duke folur për shkelje të marrëveshjeve por për realizimin e tyre”, foli ai.

Image
Faton Mehmeti

Analisti në fund shprehet skeptik për masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Nuk pres dhe nuk besoj se BE do e ndëshkojë Serbinë pasi është e njëanshme, prandaj dhe SHBA po shqyrton mundësinë që ta përjashtojë BE tërësisht nga negociatata mes Kosovës dhe Serbisë, pasi është e paaftë për të bërë një gjë të tillë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat