Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ai ka denoncuar veprimet e qeverisë serbe, të cilat sipas tij përfshinin kërcënime financiare, shantazh, ryshfet, sulme kibernetike dhe forma të tjera presioni ndaj komunitetit serb në Kosovë.
Sipas Kurtit, ndërhyrja serbe kishte për qëllim frikësimin e votuesve serbë dhe sigurimin e dominimit të Listës Serbe në skenën politike të Kosovës. “Në ditën e zgjedhjeve, autobusët transportuan votues nga Serbia dhe u organizua votimi kolektiv. Votuesit u monitoruan pranë qendrave të votimit dhe u bë e qartë se kushdo që denonconte këto veprime në polici do t’i kërcënoheshin familjet,” ka deklaruar ai.
Kryeministri theksoi se këto metoda të manipulimit janë dokumentuar nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, i cili ka konfirmuar gjithashtu një fushatë të dezinformimit të orkestruar nga mediat ruse në Serbi. Kurti shtoi se ministri serb i Kosovës, Nenad Rashiq, është kërcënuar drejtpërdrejt nga Milan Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij, duke e cilësuar këtë si një tjetër dëshmi të ndikimit të Beogradit në procesin zgjedhor në Kosovë.
Ministri Rashiq ka deklaruar se qeveria në Beograd është autoritare dhe po përdor serbët e Kosovës për interesat e saj, duke penguar kështu integrimin e tyre në shoqërinë kosovare. Ai ka bërë të ditur se qeveria serbe ka ushtruar edhe kërcënime fizike ndaj individëve për t’i detyruar të votojnë, përfshirë ata që nuk ishin të regjistruar si votues vetëm tre ditë para zgjedhjeve. “Të dhënat e tyre janë marrë nga skemat e mirëqenies sociale dhe janë kërcënuar fizikisht nga Petar Petkoviq dhe policia serbe,” ka theksuar Rashiq.
Në këtë kontekst, Kurti ka denoncuar gjithashtu hapjen fiktive të vendeve të punës në institucionet serbe, të cilat sipas tij ishin pjesë e një skeme për të ndikuar në votën e qytetarëve serbë në Kosovë. Ai ka theksuar se këto veprime shkelin të drejtën themelore të qytetarëve për një votë të lirë dhe të pandikuar.
Megjithatë, Kryeministri ka vlerësuar se institucionet e sigurisë së Kosovës kanë arritur të shmangin përshkallëzimin e këtyre ndërhyrjeve në dhunë fizike, siç kishte ndodhur në të kaluarën. “Kjo situatë ka nxjerrë në pah efektivitetin e zbatimit të ligjit tonë, duke siguruar që shtypja e votuesve të mos përshkallëzohej në rrahje dhe vrasje,” ka përfunduar ai.
Nga ana tjetër, Lista Serbe i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar si "gënjeshtra brutale". Ata kanë theksuar se kanë marrë mbështetje të madhe nga populli serb, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve, dhe se kanë arritur të rezistojnë falë unitetit të popullit.
“Lista Serbe është krenare që ka marrë mbështetjen më të madhe nga populli serb dhe që, pavarësisht të gjitha presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve, arriti të rezistojë falë unitetit të popullit tonë, duke dëshmuar edhe një herë se nuk ka dorëzim”, shkroi ajo në një reagim në Facebook.
“Bota sot” ka kontaktuar publicistin serb Zlatoje Martinov rreth kësaj çështjeje, i cili beson që është e mundshme që Vuçiq të ketë tentuar të ndërhyjë në zgjedhje.
“Unë realisht nuk kam ndonjë informacion për këtë, por duke u bazuar në gjithçka që ka ndodhur në Kosovë deri më tani, besoj se është mjaft e mundshme që Vuçiq të ketë tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet në Kosovë. Megjithatë, Lista Srpska nuk mori të gjitha 10 mandatet, por 9, ndërsa Neshiq fitoi një mandat parlamentar”, deklaron Martinov.
Por, ai shton se fokusi i Vuçiqit është te protestat, mbështetja për Dodikun.
“Në Serbi, fokusi kryesor i regjimit tani nuk është te Kosova, por te Republika e Serbisë dhe mbështetja për Dodikun, si dhe në protestat studentore që tronditën regjimin si kurrë më parë. Vuçiq është krejtësisht jashtë mendjes, gjë që duket shumë nga sjellja dhe deklaratat e tij kërcënuese, të cilat janë rezultat i një frike të dukshme për humbjen e pushtetit”, shton publicisti.
Misioni vëzhgues i BE-së, në prezantimin e gjetjeve preliminare të tij për zgjedhjet e 9 shkurtit, tha se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.
Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe - e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - ka marrë mbi 38.000 vota, ndërsa partia e Rashiqit rreth 4.000 vota.
Kushtetuta e Kosovës garanton dhjetë nga 120 vendet e Kuvendit për komunitetin serb dhe dhjetë të tjera për komunitetet e tjera joshumicë.
Presidenti serb Vuçiq tha pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë se Lista Serbe shënoi “fitore të madhe dhe të rëndësishme për Serbinë, duke treguar “përkushtimin e fortë të popullit serb për t’i ruajtur vatrat e tyre dhe për t'u mbështetur te Serbia e tyre”.
Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë, por Misioni Monitorues i BE-së ka vënë në dukje “monopolin dhe presionet” nga zyrtarët e saj.
Në dy vjetët e fundit, kjo parti ka ndjekur një “politikë bojkotimi”, në përputhje me vendimin e saj për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës në veri.
Nuk është ende e qartë nëse, në periudhën e ardhshme, ajo do të marrë pjesë aktive në institucionet e Kosovës, apo do të vazhdojë me bojkotim.