“Prapavija” e përplasjeve LVV- LDK: Është tentativë për të...

Politika

“Prapavija” e përplasjeve LVV- LDK: Është tentativë për të...

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 mars 2025 Në ora: 19:31
Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të shkojë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe nuk pranon “negociata” me partitë opozitare nëse asaj nuk i ofrohet posti i kryeministrit, kështu ka deklaruar kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ditë më parë.

Kjo deklaratë e kryetari të LDK-së, ka sjellë edhe “përplasje” mes kandidatëve të kësaj partie dhe partisë në pushtet, të cilët nuk kanë nguruar të reagojnë.

Hajrullah Çeku nga Vetëvendosje ka thënë se deklarata e Abdixhikut është në kundërthënie me deklaratën e tij të disa ditëve pas zgjedhjeve.

Ai gjithashtu e ka pyetur Abdixhikun sesi mund të bëhet kryeministër në një palë zgjedhje që i ka humbur dhe fituesi është afër trefish larg tij.

 “Është mirë që z. Abdixhiku të na tregojë për cilat fjalë ta mbajmë. Më 12 shkurt shkroi në FB se “LDK nuk i ka fituar zgjedhjet…” dhe se “…ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën, sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë.” Tash, paska thënë që, nëse ia japin postin e Kryeministrit, atëherë e rrëmben pushtetin. Cilin Lumir të mbajmë për fjale? Atë që thotë se LDK s’ka fituar dhe se ky nuk është rezultat ndryshimi, apo Lumirin tjetër, i cili thotë që s’ka rëndësi fituesi dhe preferenca e qytetarit? Po tash, si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje? Kjo i bie të bëhesh kryeministër me çdo kusht”, ka shkruar Çeku.

E deklarata e Çekut i ka penguar LDK-së, të cilët kanë reaguar ndaj tij, madje e pyesin atë për vendimet që i ka marrë në fund të mandatit si ministër i Kulturës.

 “Hajrulla, a po na tregon qysh i ke nënshkru’ 56 milionë euro tendera në nëntor 2024, në fund të mandatit 4 vjeçar? Çka ke kaq urgjente? Nuk ndërtohen 4 stadiume për 4 muaj… çfarë halli financiar pate? A po na tregon qysh ia ndave 257 mijë euro subvencione vllaut tënd? A i keni fitu 48 mandate Hajrulla me formu’ qeverinë apo me i ba analizë sintaksës, drejtshkrimit e bukurshkrimit të Lumirit? Neve na ke në q’ato pozicione që kemi thënë para, gjatë e pas fushatës”, ka shkruar Besian Mustafa i LDK-së.

Ndërsa, Doarsa Kica- Xhelili, i thotë Çekut se qëndrimet e LDK-së janë “sport i rëndë” për ta, gjersa i ka kërkuar që ta formojnë qeverinë.

“Këta a NUK kuptojnë çka themi ne, apo bëhen që nuk kuptojnë? Apo qëndrimet tona janë “sport i rëndë” për ta? Ju kemi thënë e po ua themi prap: A jeni fitues të zgjedhjeve? Bëjeni qeverinë! LDK, me vullnet të mirë, qëndron në opozitë! LDK, me vetëdije të plotë nuk i ndryshon qëndrimet paraelektorale. Ato mbesin të njëjta, ato mbesin të shenjta!”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Analistët politikë thonë se përplasje të tilla janë të kota, të panevojshme dhe irituese. Sipas tyre, këto kanë për qëllim tentim kthimin e LDK-së në pozitat.

Qarri: Qeveria e re, mund të bëhet edhe pa pjesëmarrjen e PDK-së, apo të LDK-s

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri, fillimisht thotë se Komisioni Qendror Zgjedhor ka dështuar tërësish me veprimet e habitshme, ngadalësinë, neglizhencën, stërzgjaten e pafund së pari të numërimit të votave, e tani edhe të mos certifikimit të tyre.

Sipas tij, një torturë e tillë numëruese, qoftë “afera” e fundit e këtij komisioni të habitshëm.

 “Në fakt zgjedhjet e 9 shkurtit, ishin zgjedhjet e para të rregullta, që u mbajtën pas një mandati të plotë 4 vjeçar, zgjedhje shembull në të cilat edhe pse qytetarët votuan në mënyrë aq të kulturuar për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, fatkeqësisht Komisioni Qendror Zgjedhor, dështoi tërësisht dhe me veprimet e tij të habitshme, ngadalësinë, neglizhencën, stërzgjatjen e pafund, së pari të numërimit të votave, e tani edhe të mos certifikimit të tyre edhe pas kalimit të rreth pesë javëve nga dita e votimit, është kthyer në histori, që nuk do ishte e preferuar ti dëshirohet dhe as nuk mund të urohej, në asnjë mënyrë, që të përsëritet edhe njëherë tjetër. Pra një torturë e tillë numëruese, qoftë “afera” e fundit e këtij komisioni të habitshëm, ndërsa sipas asaj që dihet deri më tani, lidhur me votat e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë dhe për aq sa kemi mësuar nga rezultati i publikuar, gjasat reale për ta formuar Qeverinë e re, serish i ka partia në pushtet, por jo më, me komoditetin e para 4 viteve, kur LVV kishte fituar mbi 50% të votave të elektoratit”, shprehet Qarri.

Ai tregon “matematikat” e mundshme për formimin e qeverisë, gjersa shpreh habi sesi PDK dhe LDK përsërisin deklarata se nuk do të hyjnë në koalicion me VV-në, kur të gjithë janë dëshmitarë se ata as që i ka ftuar dikush zyrtarisht që të bëhen pjesë e qeverisë.

 “ Ç ‘është e vërteta, para disa ditësh, në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi deklaroi se rezultatet përfundimtare do të shpalleshin më 5 mars, kurse certifikimi i tyre do të bëhej më 18 mars, por me qenë se ende nuk kemi një rezultat final, dhe as që dihet edhe sa kohë do të marrë ky proces maratonik, duke pasur parasysh manipulimet me votat e diasporës dhe jo vetëm, si dhe argumentin shumë dëshpërues, se certifikimi i tyre, pritet të zvarritet edhe më tej, çështja e mbarëvajtjes së numërimit të votave, dhe vet zgjedhjeve shembullore, po vihet në dyshim të rëndë, pikërisht nga ngathtësia e madhe e KQZ-s. Në këtë mënyrë edhe vet procesi i numërimit po bëhet shumë i dyshimtë dhe vihet para një pikëpyetje të madhe duke u shndërruar në fenomen tërësisht të pabesueshëm, pasi që të gjitha zhvillimet flasin se procesi në fjalë, do të zvarritet edhe më shumë!”.

 “Në anën tjetër, sado që partitë tjera në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit, LVV me 48 ulëset e fituara, do të mund ta formonte një Qeveri modeste, jo të formës që e kishte mandatin e kaluar, kur mori mbi 50% të votave, por në kombinim të numrave me pakicat jo serbe, që kanë 10 mandate, z. Rashiq i cili ka qenë pjesë e Qeverisë edhe mandatin e kaluar, si dhe disponimin e shprehur të Nisma-s për bashkëpunim me LVV-në, në formimin e Qeverisë së re. Pra, sipas rezultatit të votimeve të 9 shkurtit të këtij viti, është plotësisht e qartë, se Qeveria e re, mund të bëhet edhe pa pjesëmarrjen e PDK-së, apo të LDK-s, madje unë as nuk e kuptojë fare, se pse ato lodhen kaq fort duke përsëritur çdo ditë dhe bërë propagandë kot, se nuk do të hyjnë në koalicion me VV-në, kur të gjithë jemi dëshmitar, se deri më tani, as që i ka ftuar dikush zyrtarisht, të bëhen pjesë e Qeverisë apo të hyjnë në koalicion me LVV-n”, thekson analisti.

Qëndrimet e Lumir Abdixhikut, Qarri i konsideron qëndrime mendjemëdha dhe pretendime megalomane.

Përplasjet LVV- LDK, i konsideron përplasje koti, të panevojshme, pa asnjë kuptim dhe tepër irrituese.

“Ndërsa sa u takon qëndrimeve mendjemëdha dhe pretendimeve megalomane të një udhëheqësi të vogël, të një partie të tkurrur e të bërë e vogël deri në maksimum, si Lumir Abdixhiku me kërkesat utopike dhe aspak realiste të tij, duke kërkuar hiq më pak, se vet postin e kryeministrit, sikur të ishte shpallur tender publik për dhurimin e këtij posti të lartë shtetëror, ai në fakt, nuk është duke shkaktuar përplasje të LDK-së me LVV-n, për këtë problem. Madje ministri Hajrullath Çeku ka sqaruar opinionin dhe dërguar këshillë publike Lumir Abdixhikut, që ta mësojë praktikën reale të veprimit politik, se kryeministër nuk mund të bëhet humbësi i zgjedhjeve, megjithëse replikë ndaj tij, u përpoq të bënte, ish anëtarja e LVV-së, tani në LDK, Doarsa Kica- Xhelili, se kinse LDK, na qenka sport i rëndë, përplasje koti, e panevojshme, pa asnjë kuptim dhe tepër irrituese për qytetarët e Kosovës. Në fakt problemi nuk qëndron te pjesëmarrja apo jo e Lumir Abdixhikut në qeveri, por te KQZ, që fatkeqësisht ende nuk po arrin të krijoj qartësi të plotë, të dal me rezultatet përfundimtare pas-zgjedhore dhe as ti certifikoi zgjedhjet e 9 shkurtit, edhe pse kanë kaluar mese 5 javë, nga mbajtja e tyre. Përndryshe Vetëvendosja mund ta formonte Qeverinë e re, në formën e përshkruar më lartë, duke përjashtuar kategorikisht pjesëmarrjen e dorës së zgjatur të Vuçiqit dhe të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës "listë serbe", e cila vetëm falë mbështetjes së partive të inkriminuara opozitare, arriti të rifutet serish në jetën politike të Republikës së Kosovës”, deklaron Qarri.

Problemi më madhor dhe kryesori e mbi të gjitha për opozitën dhe përplasjen me LVV-në, sipas Qarrit, është përjashtimi i Listës serbe nga pjesëmarrja në qeverisje.

 “ E me deklarata të tilla, Abdixhiku vetëm sa po shfryen inatin jo dhe aq, për humbjen e zgjedhjeve nga LDK, por më tepër, për vrasjen nga LVV, të kauzës tradicionale të partive të inkriminuara opozitare, për formimin e Qeverisë në koalicion me "listën serbe"! Ngase me përjashtimin që LVV, i ka shpallur të ashtuquajturës "listë serbe", të jetë pjesë e qeverisë, ajo i ka bllokuar edhe partitë e inkriminuara opozitare, në praktikën e çuditshme të ndjekur ndër vite e dekada prej tyre, të cilat me aq dëshirë hynin në koalicion me "listën serbe" për të bërë qeveri, kurse tani e tutje edhe po deshën, nuk do të guxojnë më nga irritimi i qytetarëve të Kosovës, të krijojnë qeveri si dikur, me nënkryetar të parë Goran Rakiqin, siç pati vepruar Ramush Haradinaj, kur ia fali Kullën dhe Çakorrin Malit të Zi. Pra problemi më madhor dhe kryesori e mbi të gjitha për opozitën, i përplasjes me LVV-në, është fakti se LVV me përjashtimin e "listës serbe" nga pjesëmarrja në qeverisje, po vret edhe kauzën tradicionale të partive të inkriminuara opozitare, për të krijuar qeveri të përbashkët me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën "listë serbe", ndaj tanimë është kuptuar botërisht, se përjashtimi i “listës serbe”, është shkaku i përplasjes së opozitës me LVV-n, por që përplasja po zhvillohet me emërtim të kamufluar, dhe shpjegim mjegullues, për tu qitur, hi syve, edhe njëherë qytetarëve, dhe mos u kuptuar e vërteta edhe nga votuesi i Kosovës!”, shton analisti.

Hertica: LDK mund të mundohet të shfrytëzojë këto tensione për të forcuar mbështetje brenda bazës së saj

Image
Ali Hetica

Ndërsa, analisti Ali Hertica këto përplasje i sheh të pritshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për pozita të rëndësishme politike.

 “Përplasje të tilla mes LDK-së dhe LVV-së janë të pritshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për pozita të rëndësishme politike si posti i kryeministrit. Në këtë rast, deklarata e Lumir Abdixhikut ka nxitur reagime të forta, sidomos nga LVV, që duket se i sheh këto lëvizje si një tentativë për të minuar autoritetin e saj. Deklarata e Hajrullath Çekut, që thotë se humbësit e zgjedhjeve nuk mund të bëhen kryeministra, është një mesazh i fortë për LDK-në, që ka humbur disa herë në zgjedhje të fundit, por njëkohësisht është një përpjekje për të mbajtur të paprekur autoritetin e VV-së dhe pozitat që kjo e fundit ka fituar nëpërmjet zgjedhjeve. Kjo është një linjë mbrojtjeje që ka për qëllim të shfaqë se VV ka mandat popullor dhe është në pozitë të formojë qeverinë. Nga ana tjetër, reagimi i Doarsa Kica-Xhelilit nga LDK është një tentativë për të sfiduar këtë narrativë, duke theksuar se LDK është një parti e fortë dhe e gatshme të formojë qeverinë, e duke u munduar të shpërndajë ide të tjera se LDK ka mbështetje të mjaftueshme për të udhëhequr. Kjo mund të shikohet si një përpjekje për të sfiduar dominimin politik të LVV-së dhe për të krijuar një imazh të një LDK-je që është ende një forcë e rëndësishme në skenën politike”, shprehet Hertica.

Mund të ketë disa dimensione, kjo përplasje LDK- LVV thotë Hertica, gjersa shton se prapavija e mund të lidhet edhe me përpjekjen e LDK-së për të rikthyer pozitat e saj.

 “Kjo përplasje mund të ketë disa dimensione. Nga njëra anë, ka një element të natyrshëm të politikës pas zgjedhjeve, ku secila parti mundohet të mbajë pozita të forta dhe të sigurojë një influencë të madhe në formimin e qeverisë. Nga ana tjetër, kjo mund të ketë edhe një dimension të "shfryrjes" së inateve të grumbulluara gjatë fushatës zgjedhore, ku rivaliteti mes partive është rritur dhe ka shkaktuar tensione të mëdha.Prapavija e këtyre përplasjeve mund të lidhet edhe me një përpjekje të LDK-së për të rikthyer pozitat e saj si një force politike të rëndësishme, pasi humbjet e pasuksesshme në zgjedhje mund ta kenë sfiduar legjitimitetin e saj si udhëheqëse e mundshme e qeverisë. LDK mund të mundohet të shfrytëzojë këto tensione për të forcuar mbështetje brenda bazës së saj, ndërsa LVV-ja kërkon të mbajë autoritetin që i është dhënë përmes zgjedhjeve të fundit”, deklaron analisti.

Kujtojmë se LDK-ja mori rreth 17 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, një ngritje prej rreth 5 për qind në krahasim me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2021. Sipas parashikimeve, LDK-së do t'i takojnë 20 ulëse në Kuvendin e ardhshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat