Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deri tani nuk dihet se a i ka numrat për formimin e qeverisë.
Nga ana tjetër partitë opozitare janë deklaruar se nuk do të hyjë në koalicion me LVV-në.
PDK-ja, një prej tyre, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit u rendit e dyta.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se me Vetëvendosjen nuk shohim pika takimi.
Ndërkaq, ai është shprehur se programi i PDK-së dhe ai i LDK-së kanë ngjashmëri dhe është lehtë të harmonizohen.
“... jam i gatshëm të ulem me partitë që kemi qenë në Opozitë, për të biseduar për marrëveshje politike, jo për procedura ligjore e kushtetuese, sepse ato janë të qarta, përveç zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Sigurisht, në kanale zyrtare do t’iu bëj ftesë për të u ulur dhe për të biseduar, që vendin ta japim për institucionet”, tha Hamza.
Ish-deputetja e LDK-së, Alma Lama, në një prononcim për “Bota sot”, PDK ka djegur kartat e veta me LDK-në kur në 2017 e rrëzoi qeverinë dhe e prishi koalicionin me këtë parti.
Ajo shton se, as elektorati i LDK-së nuk e preferon një koalicion të tillë.
“Mendoj se PDK i ka djegur kartat e veta me LDK-në kur në 2017 e rrëzoi qeverinë dhe e prishi koalicionin me këtë parti, pa ndonjë arsye, por thjesht për ta penguar suksesin e saj.
Kjo lloj sjelljeje në politikë ka pasoja, dhe besoj as elektorati i LDK-së nuk e preferon një koalicion të tillë. Së paku pa i kërkuar falje. Pra, nuk është çështje programesh, por e sjelljes politike me partnerin qeverisës”, shprehet Lama për “Bota sot”.
Kujtojmë, se PDK dhe LDK, dy nga partitë më të mëdha në Kosovë, kanë bashkëqeverisur në disa raste. Koalicioni i parë mes tyre u krijua në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me Hashim Thaçin si kryeministër dhe Fatmir Sejdiun si president. Megjithatë, bashkëpunimi i tyre nuk ishte i qëndrueshëm dhe u pasua nga tensione të vazhdueshme, veçanërisht pas dorëheqjes së Sejdiut në 2010.
Në vitin 2014, pas një ngërçi politik që zgjati disa muaj, PDK dhe LDK arritën një marrëveshje për krijimin e një koalicioni të madh, i cili solli Isa Mustafën si kryeministër, ndërsa Hashim Thaçi mori postin e zëvendëskryeministrit dhe më pas të presidentit. Por edhe ky bashkëpunim u shoqërua me përplasje të brendshme dhe mungesë besimi mes palëve.
Kurse, kriza më e madhe mes këtyre dy partive ndodhi në vitin 2017, kur PDK vendosi të rrëzojë qeverinë Mustafa përmes një mocioni mosbesimi, duke shkaktuar zgjedhje të parakohshme. Ky veprim u konsiderua nga LDK si një tradhti politike, pasi PDK prishi koalicionin pa ndonjë arsye të qartë programore, por thjesht për të bllokuar suksesin e partnerit qeverisës.
Kjo ndërhyrje solli pasoja të mëdha në skenën politike kosovare. Pas zgjedhjeve të 2017-ës, PDK nuk arriti më të rikuperojë aleancën me LDK-në dhe u detyrua të krijojë një qeveri me AAK-në dhe Nismën, ndërsa LDK mbeti në opozitë.