A mund të ndërmarrë Vuçiq ndonjë sulm terrorist në Kosovë që ta largojë vëmendjen nga protestat? Ja çfarë thotë publicisti serb

Politika

A mund të ndërmarrë Vuçiq ndonjë sulm terrorist në Kosovë që ta largojë vëmendjen nga protestat? Ja çfarë thotë publicisti serb

Nga: N.E Më: 17 mars 2025 Në ora: 16:50
Aleksandar Vuçiq

Karrigia e presidentit serb Aleksandër Vuçiq është duke u lëkundur nga protestat masive në Serbi.

Të shtunën është mbajtur mitingu me një numër masiv protestuesisht që kërkuan llogaridhënie për tragjedinë në Novi Sad.

Sipas të dhënave të publikuara nga organizata joformale, Arkivi i Tubimeve Publike, numri i pjesëmarrësve në këtë tubim arrin ndërmjet 275,000 dhe 325,000 persona. Megjithatë, organizata theksoi se mundësia e një shifre më të lartë mbetet e hapur, duke pasur parasysh kompleksitetin dhe madhësinë e tubimit.

Shifrat janë të vështira për t’u përcaktuar me saktësi për shkak të disa faktorëve, si madhësia e jashtëzakonshme e tubimit, dinamikat e ndryshueshme dhe shpërndarja e protestuesve në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë Beogradin e Ri. “Për shkak të strukturës së ngjarjes dhe situatës së paqartë në disa pjesë të qytetit, është e pamundur të ofrojmë një vlerësim më të saktë,” deklaroi organizata.

Protestuesit kërkuan llogaridhënie dhe ndëshkim për përgjegjësit e tragjedisë në Novi Sad, ku 15 persona humbën jetën pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit në nëntor të vitit të kaluar. Ky incident ka tronditur thellësisht qytetarët dhe ka bërë që ata të dalin në rrugë, duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet.

Një tjetër element që ka shtuar tensionin është kërkesa e protestuesve për transparencë dhe drejtësi në lidhje me hetimin e këtij incidenti. Edhe pse autoritetet serbe kanë nisur hetimet, qytetarët kërkojnë një përgjigje më të qartë dhe ndëshkimin e atyre që mbajnë përgjegjësi për këtë tragjedi.

Në këtë protestë masive, qytetarët e Beogradit, dhe jo vetëm, shprehën shqetësimin e tyre për një sistem që ata e konsiderojnë të paaftë dhe të korruptuar për të marrë vendime të drejta dhe të shpejta. Ata kërkuan që drejtësia të bëhet dhe që shkelësit e ligjit të përballen me pasojat.

Publicisti Zlatoje Martinov, thotë se protestat nuk po zbuten pavarësisht kërcënimeve të Vuçiqit.

“Protestat e studentëve, të cilave po u bashkohen gjithnjë e më shumë qytetarë, nuk po zbuten, përkundrazi, çdo ditë në shumë qytete të Serbisë bllokohet trafiku me 15 minuta heshtje në shenjë nderimi të viktimave në Novi Sad.

Më 15 mars është mbajtur një tubim më i madh historik në Beograd, edhe pse Vuçiq kërcënoi me reagim të policisë. Ai pretendoi se do të ketë trazira nga studentët, por bindja e përgjithshme është se vetëm qeveria do t'i bënte trazirat dhe do t'ua atribuonte studentëve. Autoritetet kishin marrë masa të caktuara për të penguar ardhjen e njerëzve nga pjesë të tjera të Serbisë në Beograd”, deklaron Martinov.

Image
Publicisti Zlatoje Martinov

Ai thotë se Vuçiq është i frikësuar, gjersa tregon kush janë pjesëmarrës në tubim.

“Regjimi është shumë nervoz, dhe Vuçiq është dukshëm i frikësuar. Prandaj bën deklarata agresive dhe për këtë ka bërë një lloj kundër-miting me “studentë që duan të mësojnë” dhe që kanë ngritur çadra para Presidencës në Parkun Pionirski. Ka kryesisht të rinj partiakë të Vuçiqit, por edhe njerëz nga BeH (R.Srpska) dhe Kosova që nuk janë fare studentë. Gjithashtu veteranë nga Beretat e Kuqe famëkeqe të njerëzve në të 50-at dhe 60-at e tyre! Në mesin e tyre shihej edhe kapiteni famëkeq Dragan, i njohur për krimet nga lufta në Kroaci në vitet 1991-95”, shprehet publicisti.

I pyetur nga “Bota sot”, nëse Vuçiq mund të ndërmarrë ndonjë sulm terrorist në Kosovë për ta larguar vëmendjen nga gjendja e krijuar në Serbi, Martinov nuk e beson një gjë të tillë.

Sipas tij, Bosnja dhe Hercegovia janë bërë një pikë nevralgjike në Ballkan për shkak të përpjekjes së Dodikut për shkëputje.

“Nuk besoj se BibVuçiq mund të kërcënojë në ndonjë mënyrë sigurinë e Kosovës në këtë moment. Tani B dhe H janë bërë një pikë nevralgjike në Ballkan për shkak të përpjekjes së Dodikut për shkëputje. Komuniteti ndërkombëtar, BE-ja dhe madje edhe administrata Trump mbështetën integritetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe Eufor rriti kontigjentin e saj për çdo rast”, shton Martinov.

Kujtojmë, se mitingu i 15 marsit në Beograd është një nga ngjarjet më të mëdha të protestave në Serbi për vitin 2025. Me një mori kërkesash dhe një numër të madh protestuesish, ky tubim ka marrë vëmendje të madhe, jo vetëm në Serbi, por edhe jashtë saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat