“Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci, sinjal i fortë”/ Paralajmëron Tali: Ja çfarë po rrezikon tensione në Kosovë!

Politika

“Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci, sinjal i fortë”/ Paralajmëron Tali: Ja çfarë po rrezikon tensione në Kosovë!

Nga: A.SH Më: 19 mars 2025 Në ora: 21:35
Ejup Maqedonci, Pirro Vengu, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ivan Anušić, Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë.

Shqipëria, Kroacia dhe Kosova së bashku kanë nënshkruar marrëveshjen ushtarake trepalëshe në fushën e mbrojtjes.

“Shqipëria, Kroacia dhe Kosova do të jenë bashkë edhe më fuqishëm përballë sfidave dhe synimeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, ka thënë mes tjerash minsitri Ejup Maqedonci.

Analisti Driton Tali ka thënë se bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është një zhvillim i rëndësishëm për sigurinë rajonale, sidomos në një kohë kur rendi global po sfidohet dhe rregullat e lojës mbeten të paqarta.

"Deklarata e Bashkëpunimit Trepalësh Ushtarak në mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë" është lajmi më i mirë që e kemi patur goxha për një kohë të gjatë sa i përket sigurisë. Sidomos kur të merret parasysh se "Rendi i Moçëm Botëror", ku ShBA nëpërmes NATO's ishte garantuese e paqës dhe demokracisë, tashmë është i sfiduar me një "Rend të Ri Botëror" ku ende nuk janë të qarta rregullat e lojës”, thotë ai.

Tutje, Tali shprehet se pavarësisht kësaj marrëveshjeje, Kosova duhet të vijojë fuqizimin e FSK-së dhe të veprojë si partner i barabartë me aleatët, e jo si viktimë.

"Sidoqoftë, Qeveria e Re e Kosovës, edhe më tutje prioritet duhet ta ketë armatosjen e FSK'ës, për shumë arsye, ku dy më të rëndësishmet janë atmosfera e armatosjes e krijuar tashmë e dy muaj me mantren "që secili duhet të kujdeset për sigurinë e vet e jo të presi krejtësisht nga ShBA", por edhe "Deklarata e Bashkëpunimit Trepalësh" nuk do të thotë që ne tashti "shpresat për sigurinë e Republikës sonë t'i bartim nga ShBA dhe KFOR'i tek Kroacia.

Prandaj të sillemi si partner me dy shtetet mike, në këtë marrëveshje, e jo si viktimë".

Në fund, thekson se, Serbia dhe presidenti Vuçiç po përballen me probleme të brendshme dhe një situatë të pasigurt ndërkombëtare, çka e bën edhe më të nevojshme vigjilencën e Kosovës dhe mekanizmave të saj të sigurisë.

“Sa i përket mesazhit që i dërgon rajonit, me theks të veçantë Serbisë, gjegjësisht Vuçiçit, njëherë për njëherë shihet se ai është i zënë me problemet e brendshme të cilat goxha ja kanë luhatur pozicionin, dhe çështja tjetër është relacioni në mes Trumpit dhe Putinit. Vuçiçi është i vetëdijshëm që Putini e sakrifikon atë pa lodhur fare kokën (ashtu siç bëri me oligarkët e tij të cilët vet Putini i krijoi dhe vet Putini i eliminoi). Këto janë sipas, mendimit tim, brengat kryesore që ka Vuçiçi tani.

Ndonëse gjithmonë ekziston rreziku për orkestrim të ndonjë trazire në Kosovë (apo Bosnje a Mal të Zi) me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga ato probleme.

Prandaj, jo vetëm mekanizmat tonë, të sigurisë, por e gjithë shoqëria, duhet të jemi syçelë në këtë periudhën që po kalon jo vetëm rajoni”, përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat