Presidenti i ardhshëm i Kosovës nga familja Jashari? Analistja politike zbulon mundësitë…

Politika

Presidenti i ardhshëm i Kosovës nga familja Jashari? Analistja politike zbulon mundësitë…

Nga: H.O. Më: 27 mars 2025 Në ora: 22:33
Bekim dhe Besarta Jashari

Tani pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, pritet që Kosova të formojë institucionet e reja. Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje pritet të formoj qeverinë bashkë me një nga partitë tjera. LVV nuk ka dhënë ndonjë përgjigje se me kë do të bashkëpunoj, derisa Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate ka ofruar tashmë përkrahjen e tij.

Por një ҫështje që po përmendet në prag të formimit të këtyre institucioneve, është edhe pozita e presidentit. A mund të jetë kjo pozitë përfshirëse në marrëveshjet e partive politike për formimin e qeverisë së re?

Analistja politike, Magbule Shkodra thotë për ‘Bota sot’ se, përfshirja e postit të Presidentit apo presidentes në marrëveshjen e koalicionit për qeverisjen e ardhshme, do të ishte e mirë sikur të arrihej, sepse kjo do të thoshte se vitin e ardhshëm ne nuk do të shkonim në zgjedhje parlamentare përsëri. Nëse kjo arrihet atëherë do të ishte një e arritur e mirë për Kosovën.

Image
Magbule Shkodra

“Vjosa Osmani do të mund ta merrte edhe një mandat, vetëm nëse Lëvizja Vetëvendosje bën koalicion me LDK-në e atëherë do të mund të shihej si mundësi që Vjosa Osmani të ishte përsëri si presidente, sepse LDK-ja do ta përkrahte atë përsëri si kandidate. Poashtu, nëse LVV vendos të bëj një koalicion me ndonjë parti tjetër shqiptare, pra me PDK ose LDK, atëherë do të mund të arrini në një konsensus për ndonjë figurë politike e cila do të ishte figurë unike për postin e presidentes”, vlerëson Shkodra.

Ajo thekson se, nëse nuk kanë marrëveshje koalicioni, LVV me ndonjë parti tjetër, atëherë është vështirë që vetëm LVV të bëj propozimin për president.

“I njëjti skenar vlen edhe nëse opozita bashkohet dhe formon qeverinë, edhe ato do ta kishin të vështirë të bënin zgjedhjen e presidentit. Mirëpo, nëse arrijnë në ndonjë figurë të unifikimit që ndoshta është përfolur, nuk jam e sigurt, ndonjë figurë që vjen nga ndonjë familje e respektuar, e dëshmuar në luftën e fundit në Kosovë, po besoj që të gjitha partitë politike do ta kishin të vështirë që të mos e përkrahnin një figurë të tillë. Po besoj që mund ta kuptoni që fjalën e kanë ndonjë figurë nga familja Jashari, atëherë po besoj që asnjë parti politike nuk do të kishte zemër që mos ta përkrahte një figurë të tillë për president/ presidente”, vlerëson ajo.

Analistja Shkodra thotë se mbetet të shihet se si do të jetë formimi i qeverisë, kush do ta formoj qeverinë, sa do ta kenë mbështetjen e deputetëve, sa numra do t’I kenë në parlament dhe kjo është mjaftë kruciale për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së ardhshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat