Ende enigmë posti i presidentit, a ka gjasa Vjosa Osmani ta marrë edhe një mandat të dytë?

Politika

Ende enigmë posti i presidentit, a ka gjasa Vjosa Osmani ta marrë edhe një mandat të dytë?

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 28 mars 2025 Në ora: 15:54
Presidentja Vjosa Osmani

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, është hapur rruga për krijimin e qeverisë së re, e cila domosdoshmërish do duhet të formohet përmes koalicionit mes partive politike.

E në këtë rast, koalicioni eventual pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mund ta përfshijë edhe çështjen e pozitës së presidentit të Kosovës, pasi mandati i kësaj pozitë përfundon më 7 prill të vitit 2026.

Për këtë çështje ka folur edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ditë më parë, presidentja Osmani deklaroi se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë “vetëm duke pasur parasysh interesin” e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

 “Nga viti i ardhshëm do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj”, tha Osmani për media në Prishtinë.

Mirëpo, sa janë gjasat që Osmani të marrë edhe një mandat të dytë si president nuk dihet, kjo për shkak se kohët e fundit është raportuar për përçarje me Listën Guxo dhe kryeministrin Kurti.

E në lidhje me këtë çështje, folën analistët politik.

Qarri: Dr. Vjosa Osmani përveçse ka ditur më së miri ta mbrojë Kosovën në të gjitha takimet ndërkombëtare

Së pari, për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai vlerëson se duke parë punën e Osmanit gjatë këtyre viteve, do duhej që asaj t’iu vazhdohet edhe një mandat si president e vendit.

Sipas tij, presidentja Osmani ishte shumë aktive dhe e përfaqësoi shumë mirë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Siç dihet mandati pesëvjeçar i presidentes dr. Vjosa Osmani përfundon më 7 prill të vitit 2026, pra pas pak më tepër se një viti, kur sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës, do duhej të bëhej vazhdimi i mandatit të saj apo zgjedhja e një kandidati tjetër për president/e, të vendit.

Për këto katër vite sa është presidente, Dr. Vjosa Osmani ka krijuar shumë argumente të cilat na bëjnë të dëshirojmë, që asaj ti vazhdohet kryerja e këtij funksione edhe për një mandat tjetër, është kontributi dhe puna e mirë që ajo nga marrja e postit të presidentes së vendit, ka dëshmuar në vijimësi për Kosovën, si dhe deklarata e saj e para pak ditëve se ajo edhe në të ardhmen, fatin e shtetit të Kosovës, jo vetëm e sheh teoretikisht, por edhe praktikisht, e vendosë para posteve politike dhe ambicieve të veta personale.

Presidentja e vendit ishte shumë aktive gjatë gjithë kohës, ndërsa ajo që na krijon siguri, në përfaqësimin e shtetit nga dr. Vjosa Osmani është fakti se edhe në raste keqkuptimesh të përkohshme, presidentja, si e para e vendit, ka bërë të gjitha përpjekjet që kanë qenë në mundësitë e saj, për relaksimin e gjendjes dhe balancimin e ruajtjen e raporteve në baza të normales edhe me faktorin ndërkombëtar, veçmas me udhëheqësit e shtetit dhe administratës amerikane”, deklaroi analisti.

Gjithashtu, Qarri përmendi edhe disa takime të rëndësishme që Osmani mbajti me figura të rëndësishme botërore, e që ndërlidhen me aspektin e sigurisë dhe ruajtjen e sovranitetit të vendit.

“Për aq më tepër, kur në pyetje ishte ruajtja e territorit, perceptimi i sovranitetit dhe vendosjes së forcave të ruajtjes së rendit e të ligjit, veçanërisht me rastin e tensionimit të gjendjes nga veprimet e bandave të organizuara kriminale serbe në veri të Kosovës, si deklarimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në fillim të shtatorit të vitit 2023, në takim me presidenten Osmani në selinë e Aleancës Veriatlantike, se përveç FSK-së, edhe Policia duhet të konsultohet paraprakisht me KFOR-in, për të ndërhyrë në veri të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani nuk ngurroi ti kundërpërgjigjej publikisht se në marrëveshjen e vitit 2013, nuk përmendej policia por vetëm FSK-ja dhe Policia e Kosovës ka bartur kompetencat e plota nga KFOR-i, NATO dhe UNMIK-u, qysh më 2011 për zbatimin e rendit e të ligjit në gjithë vendin.

Prandaj Policia e Kosovës ka krijuar Njësitë e veçanta për Operacione Speciale dhe ka ushtruar mandatin e vet kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës për më shumë se dy dekada dhe Policia e Kosovës është dhe vazhdon të jetë reaguesi i parë i sigurisë, kurse pjesëtarët e Misionit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX janë reaguesit e dytë, ndërsa KFOR reaguesi i tretë, duke hedhur plotësisht poshtë dhe përdhosur me të dy këmbët propagandën e Vuçiqit se kinse, Policia e Kosovës, nuk guxon të veprojë në veri dhe bërë Stoltenbergun të heshtë!”.

Në vazhdim, analisti nuk harroi ta përmend edhe “ballafaqimin” e Osmanit me Vuçiqin në KS të OKB-së.

Për këtë, theksoi se si ia përplasi të vërtetat presidentit serb dhe vuajtjet që Serbia ia shkaktoi shqiptarëve dhe Kosovës.

“Nuk duhet harruar kurrë as faktin historik, të ballafaqimit të presidentes dr.Vjosa Osmani edhe me kriminelin Vuçiq në KS të OKB-së, ku presidentja kishte marrë me vete edhe 4 të mbijetuarat e dhunës seksuale të gjenocidit serb, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin, Fahrije Hotin dhe Shyhrete Tahirin dhe përkundër të gjitha peripecive arriti ti fuste edhe ato si pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të mbajtur më 22 prill të vitit 2024, se sa krenar, vetëm atë ditë, pa përmendur rastet tjera të panumërta pozitive, na ka bërë të gjithë neve si qytetar, Kosovën dhe shqiptarët kudo.

Dr. Vjosa Osmani, në mbledhjen e KS të OKB-së, i kërkoi publikisht kriminelit Vuçiq, që të kthente kokën e ti shihte në sy viktimat e gjenocidit serb dhe tu kërkonte viktimave shqiptare falje publike, para syve të gjithë botës, duke e bërë atë, ta ulë bishtin dhe të turpërohet deri në zhgënjim, akt të cilin, nuk besoj se dikush tjetër, do të mund ta organizonte e zbatonte me aq precizitet dhe përkushtim sa dr. Vjosa Osmani!”, shpjegoi Qarri.

Tutje, ai potencoi faktin se tashmë Osmani edhe ka krijuar njohje solide diplomatike dhe ka lidhje të mira miqësie me shumë burrështetas dhe funksionar të lartë.

“Dr. Vjosa Osmani përveçse ka ditur më së miri ta mbrojë Kosovën në të gjitha takimet ndërkombëtare para shteteve të ndryshme dhe faktorit botëror, ajo u dëshmua plotësisht e suksesshme edhe në ballafaqime të drejtpërdrejta me Serbinë fashiste, duke ju përgjigjur flakë për flakë edhe shpifjeve të kriminelit Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, organizatës më të madhe globale si OKB, se pretendimet e tij për spastrim etnik të minoritarëve serb janë të rrejshme e plotësisht të pabaza, dhe se narrativat e Serbisë, janë diskredituar nga Komiteti i Helsinkit deri te Parlamenti i Evropës, të cilat kanë vërtetuar se Shteti i Kosovës jo vetëm që mbron por edhe promovon të drejtat e serbëve dhe të gjitha komuniteteve tjera.

Kështu që duke pasur parasysh se presidentja e Kosovës dr. Vjosa Osmani, tanimë ka krijuar edhe njohje solide diplomatike dhe ka lidhje të mira miqësie me shumë burrështetas dhe funksionar të lartë shtetëror të vendeve të ndryshme nga mbarë bota, të cilët kemi pasur rastin ti shohim shumë herë se me sa respekt e takojnë në takimet bilaterale dhe presin e dëgjojnë me aq interesim fjalimet e saj edhe në samitet e ndryshme që mbahen gjithandej rruzullit tokësor, me rastin e krijimit të koalicioneve politike, për formimin e qeverisë eventuale, duhet të përfshihet medoemos edhe çështja e presidentes/it, të Kosovës, post i cili sado që tek ne, konsiderohet "vetëm" ceremonial, tanimë jemi dëshmitar të gjithë se sa rol të rëndësishëm luan, veçanërisht në politikën e jashtme të Kosovës, të cilën dr. Vjosa Osmani ka dëshmuar se di ta realizojë dhe zbatojë më së miri!” – nënvizoi ai.

Në fund, analisti shtoi se për hir të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të bëhen të gjitha partitë bashkë dhe ta votojnë sërish Osmanin për president.

Madje, tha se asnjëra nga partitë në Kosovë nuk kanë një kundër kandidatë të denjë që do e sfidonte Osmanin për postin e presidentit/es.

“Në fakt presidentja e vendit deklaroi sërish publikisht edhe para mediave se gjatë gjithë karrierës së saj politike, ka punuar gjithmonë duke u bazuar në interesin e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe tani e asnjëherë, më parë, asnjë vendim të vetin politik nuk e ka mbështetur në kalkulime se ku dhe në çfarë postesh do të jetë ajo, por vetëm se ku dhe si do të jetë më mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj, kështu që edhe vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë vetëm duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Prandaj, megjithëse Presidentja aktuale, nuk ka një parti të caktuar pas vetes, e cila do ta mbështeste, dhe megjithëse ka bërë përpjekje në vijimësi, që ta ruaj paanësinë e mbaj balancimin për aq sa ka qenë e mundur në legjislaturën që kaloi, me të gjitha segmentet aktuale politike në Kosovë, ajo nuk i ka më raportet si të mëparshmet as me LVV dhe Listën Guxo, ndaj për hir të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të bëhen të gjitha partitë bashkë dhe ta votojnë njëzëri dr. Vjosa Osmanin edhe për një mandat, e këtë edhe për faktin se aktualisht, asnjëra nga partitë që funksionojnë në Kosovë nuk kanë një kundër kandidatë të denjë, që do të mund ta zëvendësonte dhe tregohej i suksesshëm e fleksibël me të gjithë faktorët politik vendor, si dr. Vjosa Osmani dhe veçanërisht në politikën e jashtme, asnjëri nuk posedon elanin e veprimeve të dr. Vjosa Osmanit në përfaqësimin adekuat të Republikës së Kosovës!” – përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.  

Hertica: Presidentja ka qenë jashtëzakonisht pak më aktive, sidomos në politikën e jashtme

Image
Ali Hertica

Kurse, ndryshe nga Qarri, mendon analisti Ali Hertica.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u tregua kritik me presidenten Osmani, derisa nuk vlerësoi se ka qenë mjaftueshëm aktive, sa i përket rolit të saj, si president.

 “Presidentja ka qenë jashtëzakonisht pak më aktive, sidomos në politikën e jashtme. Ajo ka prekur shumicën e kontinenteve, duke pasur takime me shtete njohëse dhe jo njohëse për të shtyrë përpara fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtar, por vetëm duke bërë thuajse një shëtitje, por jo për të integruar Kosovën në arenën ndërkombëtar e as që ndodhi kjo brenda 4 viteve. Osmani ka deklaruar se asnjë vendim i saj politik s’është bazuar në kalkulime personale dhe kjo i bie vërtetë siç janë deklaruar disa analistë, kjo ka luajtur rolin e noteres së vendit dhe vërtetë mirë e thotë, se presidentja do të jetë vetëm për atë se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Hertica përmendi edhe largimin e Osmanit nga LDK-ja, që vlerëson se kjo lëvizje dëshmoi se ajo ka punuar më shumë për interesa personale, pasi edhe nuk ka marrë vendime politike, si presidente.

“Gjatë gjithë jetës e ka zhvilluar një karrierë politike duke ju mbështet dikujt tjetër dhe LDK e ngriti deri në atë nivel ku tani është sot duke ia rikthye me të keqe LDK-së, dhe tani thotë se kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj, gjë që nuk është e vërtetë, por ka punuar për interes personal dhe klanor të listës “Guxo”. Asnjëherë, nuk ka marr asnjë vendim politik si presidente duke kujtuar shumë skandale, por e ka ruajtur vetëm interesin personal.  Presidentja shpesh është deklaruar se do t’u shërbej qytetarëve të Kosovës “për aq kohë sa ata dëshirojnë që unë t’u shërbej atyre”, mirëpo tani qytetarët nuk do të kenë interes për ju sepse nuk e keni trajtuar ashtu siç keni premtuar”.

Nisur nga gjithë këto, analisti kërkon që mënyra e zgjedhjes së presidentit të vendit të ndryshohet, të bëhet me vota të popullit.

Kjo për shkak që, konsideron se partitë politike po bëjnë pazare për poste politike.

“Tani është koha që presidenti të zgjidhet nga populli, pasi në ketë aspekt po bëjnë partitë politike po bëjnë pazare për zgjedhjen e presidenti. Sepse shpesh për interesa partiake po marrin edhe mandate tjera si President/e, ose sipas dëshirave të këtyre politikanëve. Kur populli, analistët, shoqëria civile dhe disa nga partitë politike kërkonin që Presidenti të zgjedhet përmes votës së popullit, por kategorikisht ishin kundër kësaj ideje shumë parti politike në Kosovë, pasi po e humbin kushtëzimet e subjekteve. Por, tash i duhet të mendohet për mandatin tjetër nga sovrani sepse të gjithë po keqpërdorin pozitat e tyre, prandaj duhet të ketë një propozim që presidenti të zgjidhet nga populli dhe të largohen kushtëzimet e subjekteve politike, vetëm për të ardhur në pushtet”, përmbylli Ali Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat