A mund të ndërmarrë Vuçiq ndonjë akt destabilizues pas bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes? Ja çka thotë politologu

Politika

A mund të ndërmarrë Vuçiq ndonjë akt destabilizues pas bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes? Ja çka thotë politologu

Nga: N.E Më: 29 mars 2025 Në ora: 09:56
Aleksander Vuciq

Është nënshkruar “Deklarata e Përbashkët e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes” ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Republikës së Kosovës.

Dokumenti u firmos nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anušić, dhe Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.

Deklarata e Përbashkët pas takimit ndërmjet ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Kroacisë dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Kosovës, mbajtur në Tiranë, Shqipëri, më 18 mars 2025.

“Duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, Duke riafirmuar synimin tonë për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian, Duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar, Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, Avancimi i hapave të përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për “Riarmatosjen e Evropës, Ne jemi të vendosur për t’u siguruar që jemi të pozicionuar mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve aktuale dhe në zhvillim, si dhe për të arritur objektivat tona të mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Tutje, në këtë deklaratë të nënshkruar më 18 mars, ministrat thonë se do të angazhohen në:

“Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:

– Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;
– Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;
– Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes”.

“Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve duke:

– Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse;
– Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta;
– Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate”.

“Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë duke:

– Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale;
– Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse;
– Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë”.

“Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke:

– Përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale;
– Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë mbrojtjen;
– Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s”.

Politologu Ramadan Gjanaj thotë se kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet ruse dhe të aleatëve të saj, siç është Serbia.

Por, sipas tij, ajo nuk është marrëveshje me obligime jurdike ndërkombëtare të reja.

“Kjo deklaratë është një iniciativë rajonale për mbrojtje dhe jo një marrëveshje me obligime juridike ndërkombëtare të reja, siç e kanë sqaruar vetë firmëtarët – Ejup Maqedonci, Pirro Vengu dhe Ivan Anushiç. Qëllimi i saj është forcimi i kapaciteteve mbrojtëse kundër kërcënimeve të "reja", si luftërat hibride, kërcënimet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit, të cilat janë shndërruar në sfida të rëndësishme globale gjatë viteve të fundit. Dokumenti përqendrohet në bashkëpunimin për zhvillimin e kapaciteteve, stërvitjet e përbashkëta dhe shkëmbimin e inteligjencës, pa krijuar ndonjë aleancë ushtarake apo detyrim ligjor që mund të cenojë palë të tjera. Kjo përputhet me synimet e deklaruara për stabilitet rajonal dhe integrim euroatlantik, dhe jo për agresion apo konfrontim. Në këtë kuadër, duke pasur parasysh sfidat e reja me të cilat po përballet jo vetëm Ballkani, por edhe e gjithë Evropa në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet ruse dhe të aleatëve të saj, siç është Serbia. Kjo deklaratë është gjithashtu e rëndësishme, ngase rithekson mbështetjen dhe angazhimin e Shqipërisë dhe Kosovës për t’u integruar plotësisht në strukturat euroatlantike”, shprehet Gjanaj.

Image
Politologu Ramadan Gjanaj

Pas kësaj deklarate trepalëshe të bashkëpunimit, Ministria serbe për Punë të Jashtme tha se do të kërkojë urgjentisht shpjegime të detajuara nga ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë.

Sipas Beogradit, Shqipëria dhe Kroacia me nënshkrimin e këtij dokumenti, “ndërmorën hapa që minojnë stabilitetin rajonal”.

Autoritetet në Beograd, që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, thanë se kjo nismë paraqet “provokim të hapur dhe shpërfillje të madhe të realitetit në terren”.

“Ne presim përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për qëllimet e vërteta të kësaj lloje të rrezikshme të sigurisë. Serbia nuk do të lejojë veprime të njëanshme që mund të rrezikojnë integritetin tonë territorial, sigurinë e qytetarëve dhe paqen në rajon”, u tha në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Sipas Serbisë, deklarata e bashkëpunimit ishte rezultat i “një strategjie që synon izolimin e Serbisë”.

Ndërsa, pak ditë pas këtij reagimi Serbia ka shkarkuar ambasadoren e saj në Zagreb, Jelena Miliq.

Politologu Ramadan Gjanaj, kritikon Vuçiqin dhe deklaratat e tij, duke thënë se bën pohime retorike pa baza faktike.

“Pretendimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq se kjo deklaratë shkel marrëveshjen nënrajonale për kontrollin e armëve të vitit 1996 nuk qëndron, pasi kjo marrëveshje u nënshkrua nga Republika Federale e Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi), Kroacia dhe entitetet e Bosnjës dhe Hercegovinës. As Kosova dhe as Shqipëria nuk kanë qenë palë në të, sepse në atë kohë Kosova nuk kishte statusin e një shteti të pavarur, ndërsa Shqipëria nuk ishte e përfshirë në konfliktet e ish-Jugosllavisë që çuan në atë marrëveshje. Kroacia, si e vetmja nënshkruese nga ky grup, ka respektuar kuotat e armatimit për dekada, dhe kjo deklaratë e re nuk përfshin angazhime për armatim të ri që mund të konsideroheshin shkelje. Për më tepër, natyra jo-detyruese juridike e deklaratës e bën të pazbatueshëm pretendimin për shkelje të një marrëveshjeje të tillë. Duhet shtuar se Serbia nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që të mbështesë idenë se ky bashkëpunim mund të çojë në një "garë armatimesh". Vuçiq ka përdorur terma si "garë armësh" dhe "kërcënim për stabilitetin rajonal", por këto mbeten pohime retorike pa baza faktike”, shprehet politologu.

Sipas tij, reagimet e Vuçiqit dhe të qeverisë serbe lidhen më shumë me konsumin e brendshëm politik sesa me realitetin e kësaj deklarate.

“Deklarata nuk përmend blerje masive armësh apo plane për militarizim, por përqendrohet në mbrojtjen nga kërcënimet hibride dhe përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese. Reagimet e Vuçiqit dhe të qeverisë serbe lidhen më shumë me konsumin e brendshëm politik sesa me realitetin e kësaj deklarate. Serbia aktualisht përballet me sfida të mëdha të brendshme, përfshirë protesta të vazhdueshme kundër qeverisë për shkak të korrupsionit dhe mungesës së reformave. Në këtë kontekst, përshkallëzimi i retorikës kundër një "kërcënimi të jashtëm" si ky bashkëpunim mund të shërbejë për të mobilizuar mbështetje nacionaliste dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e brendshme. Megjithatë, tensionet historike mes Serbisë dhe Kosovës e bëjnë të domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare, përfshirë NATO-n dhe BE-në, të monitorojë situatën për të parandaluar çdo përshkallëzim të panevojshëm dhe të pajustifikueshëm”, shprehet politologu.

I pyetur nëse bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes Kosovë- Shqipëri, Kroaci, mund të jenë shkas që Vuçiq të tentojë të destabilizojë veriun e Kosovës me ndonjë sulm terrorist, Gjanaj thotë se edhe pa këtë deklaratë Serbia ka precedent për destabilizim në Kosovë.

Por, sipas tij, presioni nga NATO dhe BE e dekurajon Serbinë nga përshkallëzimi.

“Siç e thashë edhe më para, reagimi i Vuçiqit ndaj deklaratës së bashkëpunimit mbrojtës mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, motivohet, sipas meje, nga nevoja për të forcuar pozicionin e tij të brendshëm përmes retorikës nacionaliste, por “Deklarata” është shumë neutrale për të shërbyer si justifikim për një sulm qoftë direkt qoftë indirekt në veriun e Kosovës. Edhe pa këtë deklaratë, Serbia ka precedent për destabilizim në Kosovë, si në Banjskë në 2023 ashtu dhe në shpërthimin e kanalit uji në Ibër-Lepenc në 2024, por një veprim i ri kërkon planifikim dhe një shkak më të fortë, të cilin kjo deklaratë, në vetvete, nuk e ofron. Presioni nga NATO-ja dhe BE-ja, bashkë me kapacitetet e Kosovës dhe aleatëve të saj, e dekurajon Serbinë nga përshkallëzimi, veçanërisht kur Vuçiq rrezikon sanksione në një kohë kur pozita e tij e brendshme është tashmë e dobët. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se Kosova nuk duhet të jetë vigjilente”, përfundon Gjanaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat