Formimi i Qeverisë së re, veprimtari shqiptaro-amerikan jep alarmin: Koalicioni opozitë-Lista serbe, nënkupton koalicion në interes të Serbisë

Politika

Formimi i Qeverisë së re, veprimtari shqiptaro-amerikan jep alarmin: Koalicioni opozitë-Lista serbe, nënkupton koalicion në interes të Serbisë

Nga: M.L. Më: 1 prill 2025 Në ora: 14:03
Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

Publicisti dhe veprimtari shqiptaro-amerikan nga Nju Yorku, Hafiz Shala ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për mundësinë e një koalicioni mes opozitës dhe Listës Serbe, duke e konsideruar këtë si një rrezik të madh për shtetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Në një shkrim të tijin ekskluziv për gazetën "Bota sot", Shala argumenton se ky koalicion do të sillte një rikthim të ndikimit të Serbisë në veriun e Kosovës, duke dëmshpërblyer pasojat e krimit, korrupsionit dhe grupimeve terroriste që kishin kontrolluar atë rajon në të kaluarën.

“Koalicioni i opozitës me Listën Serbe, në fakt, nënkupton rikthimin e gjendjes së mëparshme të ndikuar dhe të dirigjuar nga Serbia në veriun e Mitrovicës. Prandaj, kokorizmat me mburrje të opozitës se i kanë numrat për formimin e qeverisë janë të bazuara në varësinë si më parë, edhe në marrëveshjet me partinë terroriste, me ish-nënkryetarin të saj, kryeterroristin Milan Radojcic, i cili me përkrahjen dhe ndihmën e Vuçiçit, me grupin e tij terrorist, organizoi sulmin kundër Republikës së Dardanisë me qëllim të aneksimit të asaj pjese më vitale të vendit. Ata, jo që kanë komunikuar me telefon, siç e akuzonin zonjën Mimoza Kusari-Lila, por kanë bashkëpunuar edhe zyrtarisht dhe privatësisht përmes bizneseve të përbashkëta, që janë pasuruar përmes tenderomanisë Radojcic – udhëheqës i partive opozitare, të cilët, me mburrje, edhe sot e ritheksojnë publikisht pa pikë turpi se kanë bashkëpunuar me “zemlakun” dhe bashkëfshatarin të cilit “ia kanë parë hajrin”. Megjithatë, sot, nuk po mund të pajtohen, sepse, me largimin e tij nga veriu për në Serbi me ndihmën e tyre, ata paralajmëruan se do të bëjnë koalicion me Listën Serbe, që po ashtu është një paralajmërim se, menjëherë do t’i tërheqin forcat policore, që nënkupton rikthimin e strukturave të njëjta, tani në forma “më të buta” në veri, për ta rilindur dhe rikthyer krimin, korrupsionin, përmes grupeve terroriste dhe banditëve, duke lënë mundësinë për koncesione të reja ndaj Serbisë rreth Asociacionit të njëetnik të komunave me shumicë serbe në Republikën monoetnike të Dardanisë, me 93% të shqiptarëve etnikë, që duan ta zbatojnë, dhe kështu do t’i “përmirësojnë marrëdhëniet edhe me ndërkombëtarët, sidomos me Amerikën, siç propogandon opozita, të dëmtuar rëndë nga Qeveria Kurti 2.”, ka thënë Shala për “Bota sot”

Image
Hafiz Shala, New YORK

Shala thekson se koalicioni i mundshëm i opozitës me Listën Serbe përbën një kërcënim serioz për sovranitetin dhe sigurinë e vendit, duke kërkuar një unitet politik të fortë dhe të vendosur për të mbrojtur shtetin dhe për të ruajtur të ardhmen e vendit, në përputhje me interesat kombëtare dhe shtetërore.

“Me këtë filozofi propaganduese, lobuan dhe shpenzuan shuma të mëdha parash në SHBA, për t’ia arritur qëllimit “për ta forcuar shtetin”, alias pushtetin.

“Lufta e tyre për shtetin”, në të vërtetë është luftë për pushtet, që njëherësh nënkupton edhe defunkcionalizimin e Republikës së Dardanisë, sipas kërkesave të Serbisë – Vuçiçit, të cilit, sipas asaj që po lexohet dhe shihet këto ditë në mediat serbe, anipse të gjitha të censuruara dhe të kontrolluara nga Vuçiç dhe klika e tij, rinia dhe forcat e tjera, ua heqin nga dora përmes demonstratave më masive, ndonjëherë të para, karrika e tij është e rrezikuar, por nuk mund të thuhet se është në interes të Dardanisë, pasi ai popull është i indoktrinuar me shekuj me nacional-shovinizmin e stilit të tyre që nga “Naçertanja” e ASHA të Serbisë, për çka i duhet kohë për t’u liruar nga ky sindrom i rrezikshëm dhe i dëmshëm edhe për vetë Serbinë.

Me angazhimin e Qeverisë Kurti, u realizua shtrirja e sovranitetit dhe mbrojtja e integritetit territorial, edhe në bashkëpunim me KFOR-in, por edhe në aftësimin e FSK-së, ku me përkrahjen e Amerikës po furnizohet me armatimin më modern, duke përfshirë edhe shtetet tjera si Anglia, Turqia dhe Gjermania, në koordinim me SHBA-të, me qëllim që ta kthejnë pushtetin tek populli shumicë serb, por të penguar nga forcat të dirigjuara nga Vuçiç, dhe duke mos lejuar që ta marrin pushtetin lokal, të cilët, përmes kërcënimeve dhe shantazheve, nuk i lejuan që të konkurojnë në zgjedhjet e organizuara demokratike. Në pushtet erdhën shqiptarët në formë legjitime, ndonëse me përqindje të vogël sipas popullatës, që mos të mbetet populli pa shërbime shtetërore dhe komunale.

Ky moment dhe ky vit, pas shumë lëvizjeve në sferën e interesave gjeopolitike, të cilat, çdo kush do të shprehej dhe angazhohej sipas teorisë së Presidentit Donald Trump, Amerika first, për ne “Dardania first” – “Dardania e para”, fatkeqësisht, kjo filozofi nuk ekziston te partitë opozitare, por, ata me dëshirë do ta preferonin “pushtetin e parë”, para shtetit.

Kryeministri Kurti, me të drejtë, qëndron dhe do të qëndrojë në këtë pozicion për ta ruajtur, mbrojtur dhe forcuar Republikën e Dardanisë, qëndrim të cilin, jam shumë i bindur se edhe Presidenti Trump do ta mbështesë dhe afirmojë, dhe do të jetë lajm i kobshëm për opozitën pasi, duke e pasur parasysh pastërtinë, angazhimin dhe aftësinë e Kryeministrit Kurti, por edhe të udhëheqjes shtetërore në përgjithësi, nuk do të hasë në pengesa nga Administrata e re e SHBA-ve. Simptomet janë pozitive”, shprehet ai për “Bota sot”.

Veprimtari Shala e konsideron si një detyrë historike angazhimin e deputetëve dhe qytetarëve për të mbajtur përgjegjësinë për vendin dhe për të siguruar një qeverisje të shëndoshë që e vendos interesin publik para atij personal ose partiak.

“Kërkesa ime drejtuar popullit dhe përmes tyre edhe deputetëve të sapozgjedhur është: A do të lejoni që, në momentin e kthesave dhe vendimeve të mëdha historike me interes shtetëror dhe kombëtar, do të hamendeni që, pas atij kontributi historik të çlirimit të Dardanisë, të “hezitoni” t’i dilni zot vendit për ta mbrojtur, zhvilluar dhe forcuar, për të cilin u sakrifikuan djem e vajza më të devotshmit të atdheut, tani heronj dhe martirë, që mos ta votoni Qeverinë e shpresës për ta udhëhequr vendin në mënyrë të sigurtë, të vendosur në rrethanat aktuale gjeopolitike?

Vendimi me përgjegjësi historike rreth të cilit duhet të vendosni: për interesa partiake apo shtetëtore, me pasoja që, largqoftë, po që së iu nenshtrohen kërkesave të udhëheqësve partiakë, të cilët, ish-udhëheqësit e tyre njëzetvjeçarë në koalicione mes veti dhe të gjithë së bashku me Listën Serbe, ashtu siç po e pregatiten edhe tani, përgjegjësinë historike, do ta mbani si popull dhe edhe ju si deputetë të sapozgjedhur.

Prandaj, ia mundësoni partisë që, anipse nuk e fitoi shumicën absolute, megjithatë doli e para, të udhëheqë vendin edhe në mandatin e ardhshëm, sepse, ndryshimet esenciale në aspektin e sigurisë, të sovranitetit dhe të zhvillimit ekonomik janë garanci se, me një angazhim shumë më të përkushtuar, do ta arrijnë qëllimin”, potencon Shala.

Ai thekson një moment kyç për politikën e Kosovës, duke shpërfaqur një sfidë të madhe për politikën dhe interesat kombëtare. Shala vë në pah se ata që janë të gatshëm të mbështesin partinë fituese për të udhëhequr vendin dhe për t’i dhënë fund ngërçit politik, nuk duhet të etiketohen si “tradhtarë” të partisë apo koalicionit paszgjedhor.

“Koalicioni opozitar, Lista Serbe, është koalicion në favor të Serbisë. Populli, me vetëdije të lartë, i të gjitha partive politike, ua dha vërdiktin e duhur, pra edhe partisë së parë, shumëçka duhet ndryshuar, vetëdijësuar që, gjatë qeverisjes së ardhshme, duhet të ndryshojnë jo vetëm në qasje dhe mënyrën e udhëheqjes, por edhe në aspektin e përzgjedhjes së kuadrove në pozitat e dikastereve qeveritare.

Të gjithë ata të cilët sot janë të gatshëm të rreshtohen me partinë fituese për të udhëhequr vendin dhe për t’i larguar ngërqet politike dhe shtetërore, si garancë që e manifestuan edhe në periudhën katërvjeçare, askush nuk duhet dhe as mund t’i kualifikohet si “tradhtar” i partisë apo koalicionit paszgjedhor. Çdokujt, i jepet rasti ta tregojë përkushtimin për vendin kur janë në pyetje interesat vital të vendit, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me fqinjën tonë armik historik, që është kundër kombit dhe çështjes shqiptare, që duhet përshëndetur dhe afirmuar.

A ka gjë më tragjike se, kur fati i vendit është në pyetje, për të marrë kahje me pasoja të rrezikshme historike, të hezitohet për një unitet në çështjet madhore, në këtë mënyrë, duke e marrë për sipër gabimin më të rëndë, tradhtinë ndaj interesave shtetërore, në favor të atyre të ngushta partiake. Fatkeqësisht, udhëheqësit partiakë opozitarë, nuk kanë guximin ta marrin një hap të tillë, sepse janë të shantazhuar në involvimet e dukurive të rënda: krim, korrupsion, pasurim të jashtëligjshëm dhe koncesione ndaj Serbisë në dëm të shtetit gjatë periudhave të sundimeve të tyre. Këta, për hir të këtyre gabimeve, më parë duan të sundojnë në mënyrë të pandershme dhe kundër interesave të shtetit dhe popullit, se sa të zbulojnë lakuriq për veprimet e tyre, anipse dorën në zemër, janë lakuriq të zbuluar. Drejtësia në këtë aspekt ka dështuar, ndërsa këta janë inkurajuar. Këta, ende shpresojnë se, me ardhjen në pushtet, mund t’i mbulojnë dhe të amnestohen për këto veprime përmes caktimit të njerëzve të tyre si më parë në pozita kyçe, siç ishin prokurorët, gjykatësit dhe organet e ndjekjes, sikur deri më tani, pasojat që po i ndjejmë shumë rëndë edhe sot.

Nuk ka temë më të rëndësishme dhe më përgjegjësi më të madhe se ndërtimi i institucioneve shtetërore, për çka përgjegjësia kryesore i takon partisë së parë, Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, edhe pse nuk i ka fituar numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë, i duhet koalicion, ose të kalojë në opozitë”, nënvizon Shala.

Në fund, Shala shpreh shqetësim për krizën politike që ka përfshirë vendin dhe pasojat e saj për ndërtimin e institucioneve të reja shtetërore, duke theksuar se partitë opozitare, përveç Nismës, kanë shprehur qëndrime të përjashtuese ndaj mundësisë për një koalicion me Vetëvendosjen.

Kjo sjellje, sipas tij ka krijuar një situatë të ngërçit politik që është e dëmshme për shtetin në të gjitha aspektet, përfshirë atë politik, diplomatike, ekonomike dhe ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për integrimin në Bashkimin Evropian dhe krijimin e institucioneve të shtetit, si Parlamenti dhe Qeveria.

“Deklarimi i partive opozitare, por edhe reciprokisht përjashtuese në koalicione, opozita apriori me VV-në, përveç Nismës sipas deklaratës së parë që nuk do të thotë si përfundimtare, e kanë sjellë situatën politike rreth ndërtimit të institucioneve shtetërore në krizë politike që është shumë e dëmshme për shtetin në të gjitha aspektet: politike, diplomatike, ekonomike dhe ato ndërkombëtare, me theks të veçantë kur janë në pyetje grandet siç janë ato evropiane dhe të tjerat, si gjendja nën sanksione. Me themelimin e institucioneve shtetërore, Parlamentit dhe Qeverisë, këto ndihma, por edhe sankcionet, mund të largohen me një qeveri stabile.

Partitë opozitare nuk e kanë kredibilitetin e duhur në këto rrethana për të udhëhequr vendin, bazuar në qeverisjet e kaluara, si rezultat i asaj që kam cituar në brendinë e këtij shkrimi. Prandaj, kemi arritur në një gjendje ku rrugët ia kemi mbyllur vetes, pasi po të ishte populli i kënaqur me ish-pushtetarët tani opozitarë që do të udhëhiqnin vendin pa ndikimin e Serbisë, si rrezik që po na rrinë si shpatë e Demokliut mbi kokë, duke parë rrezikun nga gatishmëria për të hyrë në koalicion me Listën Serbe, populli, më siguri, do të përkrahte opozitën dhe në këtë mënyrë do ta nxirrte vendin nga kriza institucionale. Nuk i besojnë.

Unë, ende shpresoj se ka individë – deputetë me përkushtim të lartë patriotik, të cilët, për një moment, do t’ia kthejnë shpinën partisë dhe shefit të tyre, dhe t’ia kthejnë gjoksin vendit për të ecur përpara dhe kështu të vazhdojmë me synimet tona dhe obligimet ndaj atyre që u flijuan për këtë vend”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat