S’ka më dialog Kosovë-Serbi/ Analistët flasin për mundësinë e një “instrumenti” tjetër për normalizim marrëdhëniesh

Politika

S’ka më dialog Kosovë-Serbi/ Analistët flasin për mundësinë e një “instrumenti” tjetër për normalizim marrëdhëniesh

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 4 prill 2025 Në ora: 14:05
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur ‘pezull’ për një kohë të gjatë. Ka kohë që nuk janë takuar të dyja palët dhe ka kohë që nuk është arritur ndonjë marrëveshje të re.

Thirrjet nga ndërkombëtaret vazhdojnë, që dialogu të ecën përpara, megjithatë pritet në vazhdim rreth hapave të mëtutjeshëm.

Së fundi, shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka thënë se, Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, ka deklaruar Kallas.

Deri më tani përpjekjet për normalizim Kosovë-Serbi janë bërë vetëm përmes dialogut, ndërkaq zyrtarja evropiane Kallas ka përmendur edhe mundësinë e një mjeti tjetër në këtë drejtim. Për çfarë mjeti tjetër për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi mund të jetë fjala?

Hoti: Nuk duhet harruar që Kosova është në pozicion më të dobët sesa Serbia, kjo për faktin se është nën sanksione të BE-së

Lidhur me këtë çështje, për ‘Bota sot’ kanë folur njohësit e çështjeve politike.

Kështu, analisti politik, Agron Hoti thekson se, vizita e Kaja Kallas në Ballkan Perëndimor në cilësinë e Shefes së BE-së për Politikë të Jashtme vjen në një kohë kur arritja e shpejtë e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë nuk po duket në horizont, kur tensionet për tarifa tregtare mes BE-së dhe SHBA-së janë në ngritje, kur Dodik ikën në Rusi dhe kur problemi i Kosovës kërkon zgjidhje.

“Ende nuk dihet se cila do të jetë alternativë e BE-së kundrejt dialogut të bllokuar mes Kosovës dhe Serbisë, por si duket BE njëherë është duke e skanuar gjendjen në rajon, për të vepruar pastaj konform saj”, vlerëson Hoti.

Image
Agron Hoti

Ai kujton se, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në vitin 2023 e kishte përmendur si mundësi organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë dhe për këtë kishte gjetur përkrahjen dhe të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili kishte kërkuar që konferenca të organizohej sa më shpejt. Mirëpo, që nga ajo kohë nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

“Një konferencë mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të organizohej vetëm nëse palët do të ishin të gatshme t’i zbatonin marrëveshjet e arritura, mbi bazën e të cilave pastaj do të mund të arrihej kompromisi për zgjidhje afatgjatë të problemit Kosovë-Serbi, kuptohet kjo në këmbim të avancimit dhe përshpejtimit të rend-ditës evropiane tashmë të bllokuar dhe mbështetjes financiare si masë shtensionuese. Nuk duhet harruar që Kosova është në pozicion më të dobët sesa Serbia, kjo për faktin se është nën sanksione të BE-së, ndërkohë që si BE ashtu edhe SHBA janë duke tentuar ta afrojnë Serbinë kah Perëndimi e ta largojnë nga Rusia. Në këtë fazë është e vështirë të parashikohet se çfarë do të mund të jetë qasja e re e BE-së”, vlerëson analisti Hoti për ‘Bota sot’.

Kujtojmë se, shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pritet ta vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme.

Shkodra: Kjo mënyrë e dialogimit ka perënduar

Image
Magbule Shkodra

Për mundësinë së normalizimit Kosovë-Serbi ka folur edhe analistja politike, Magbule Shkodra, ajo thekson se, mënyra e deritanishme e dialogut nuk ka pasur sukses.

“Sa i përket deklaratës së zonjës Kaja Kallas, unë shumë herë më herët e kam thënë në deklarimet e mija, se mënyra e dialogimit si është bërë këtë dekadën e fundit, po shihet se nuk ka sukses. Mënyra se si është bërë dialogu është shkuar nga poshtë lartë, pra është tentuar të bëhen marrëveshje për çështje të ndryshme, për të arritur diku në fund tek një njohje e cila në fillim ishte premtuar si një njohje de jure dhe më pas u reduktua si një njohje de fakto”, thekson ajo.

Sipas analistes Shkodra, kjo duhet të ndryshoj, nuk duhet të shkohet në këtë mënyrë, nuk duhet të bëjmë marrëveshje prej poshtë për të arritur lartë, por duhet të fillojmë nga lartë.

“Duhet të ulet Serbia dhe Kosova, Serbia ta njoh zyrtarisht, de jure ta njoh Kosovën dhe pastaj të vazhdojmë me implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur ndër vite. Ky është mendimi im se ҫka duhet të ndryshoj dhe besoj që zonja Kallas e ka shumë të qartë që më mënyra të njëjta nuk mund të arrijmë rezultate të reja. Kjo mënyrë e dialogimit ka perënduar dhe duhet të kemi një qasje të re, dhe unë propozoj që kjo të jetë qasja e re, të ulet Serbia në tavolinë ta njoh zyrtarisht Kosovën dhe më pas të vazhdoj me implementimin e të gjitha marrëveshjeve që i kemi nënshkruar”, vlerëson ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat