Alarmohet Kosova: Ekspertët zbërthejnë qëllimin destabilizues të Serbisë përmes shantazheve politike

Politika

Alarmohet Kosova: Ekspertët zbërthejnë qëllimin destabilizues të Serbisë përmes shantazheve politike

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 prill 2025 Në ora: 20:44
Ilustrim

Serbia po tenton të ndikojë në jetën parlamentare dhe qeverisëse të Kosovës përmes ndikimit të drejtpërdrejtë dhe indirekt, duke mbështetur strukturat paralele dhe duke ushtuar presion mbi politikanët dhe aktorët e tjerë në vend.

Pjesë e këtij ndikimi është edhe mbështetja e Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiq për strukturat paralele serbe në veri të Kosovës, të cilat funksionojnë në kundërshtim me autoritetin dhe ligjet e Kosovës.

Për këtë arsye, të dielën që kaloi Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje me kërkesë të Kryeministrit të Republikës, Albin Kurti.

Ai në këtë mbledhje vuri theksin edhe te zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë dhe ndërhyrja e Serbisë në procesin zgjedhor, që sipas Kurtit Serbia po tenton të pengojë krijimin e institucioneve të reja, dhe se po ndikon te deputetët jo-shumicë e jo-serbë.

“...Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe krye-terroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn të disa prej deputetëve të komuniteteve jo shumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”, thuhet në komunikatën për media.

“Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.

Rugova: Qëllimi i saj është që të shkaktojë kriza politike

Ish-deputeti Naser Rugova, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se Serbia nuk do të ndalojë së vepruari kundër stabilitetit të Kosovës, duke shtuar se qëllimi i saj është shkaktimi i krizave politike.

Image
Naser Rugova

Ai shpreson se Kosova do të veprojë sa më parë që të themelojë institucionet dhe të reflektojnë stabilitet politik, poashtu të ruajnë rendin kushtetues të Kosovës.

“Qëllimi i saj është që të shkaktojë kriza politike, të pengojë funksionimin e institucioneve dhe ta paraqesë shtetin e Kosovës si jofunksional para bashkësisë ndërkombëtare. Institucionet tona duhet të jenë të kujdesshme, vigjilente dhe në koordinim të ngushtë me partnerët strategjikë për të parandaluar këto tendenca dhe këtë luftë hibride kundër stabilitetit politik dhe institucional të vendit tonë.

Uroj që edhe klasa politike e Kosovës ta ketë parasysh këtë tendencë të kamotshme të Serbisë dhe të formojnë institucionet sa më parë që reflektojnë stabilitet politik dhe ruajnë rendin kushtetues të vendit tonë”, thotë ai.

Kush ka "filtruar gabimisht" me Serbinë?

Njohësi i politikës, Lutfi Bilalli thotë se deklaratat e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Këshillin e Sigurisë për ndikimin e Serbisë te deputetët joshumicë janë të rëndësishme dhe duhet të merren seriozisht.

Image
Lutfi Bilalli

Sipas tij, nëse ato janë bërë për të justifikuar mungesën e mbështetjes nga 10 deputetë të komuniteteve joserbe për formimin e institucioneve, atëherë këto deklarime rrezikojnë të kthehen në veprime joserioze dhe të dëmshme për imazhin e Kosovës.

“Këto vlerësime të Kryeministrit në detyrë z. Albin Kurti në Këshilli i Sigurisë së Kosovës (i thirrur më kërkesën e tij) rreth influencës së Serbisë në deputetët e pakicave jo serbe duhet t’i marrim si shumë serioze por në qoftë se se këto konstatime të Kurtit kanë të bëjnë për konsum politik apo më mirë thënë për vështirësi për të marrë 10 votat e  deputetëve të pakicave joserbe atëherë kjo mund të jetë e dëmshme dhe joserioze nga kreu i qeverisë në detyrë!”, shprehet Bilalli.

Pra, a është konstatimi i Kurtit i faktuar?

Si potencon se kryeministri i vendit duhet të ketë mbledhur fakte serioze nga organet e sigurisë së shtetit (AKI, Policia e Shtetit dhe organet e hetuesisë së shtetit, por sigurisht edhe informacione nga inteligjenca e KFOR-it, pa lënë anash as informacionet nga shërbimet e inteligjencës së vendeve mike).

Në të kundërtën, sipas tij do të ishte joserioze, jokredibile dhe dëmtuese për vendin po qe se kjo do të bëhej për interesa të ngushta dhe konsum politik.

“Kurti javën që lamë pas zhvilloi konsulta me deputetë të partive nga radhët e komunitetit jo shumicë - joserb (por edhe me një deputet të pakicës serbe, Nenad Rashiqin). Por Kurti priti edhe deputetin goran, Adem Hoxhën, i cili është në koalicion me Listën Serbe. Pra, si mund të ftohet në konsulta dhe takim një deputet nga koalicioni me Listën Serbe, poqese kryeministri ka pasur informacione që ky deputet, por edhe deputetë të tjerë të komunitetit joserb, janë të ndikuar nga Serbia?!

Serbia përmes luftës speciale por edhe të asaj që njihet si luftë hibride, është e implikuar me metoda subversive, dezinformacioni, akte terroriste (rasti Banjska), shantazh dhe sabotazh ndaj Republikës së Kosovës”, shprehet Bilalli.

Tutje, analisti shton se tashmë nuk është as risi e as sekret që Lista Serbe ka vepruar nën dirigjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai thotë se ajo parti është shndërruar në një instrument të Beogradit për të penguar funksionimin normal të institucioneve të Kosovës – qoftë përmes bojkotit, bllokadës apo përpjekjeve për destabilizim të brendshëm.

“Cili është rreziku i ndikimit të Serbisë në jetën parlamentare dhe qeverisëse të vendit?

Tashmë nuk është kurrfarë risie apo sekreti që Lista Serbe dhe deputetët e kësaj liste dirigjohen dhe punojnë nën direktivën e Vuçiqit kundër interesave të shtetit tonë. Edhe në të kaluarën, edhe sot, Serbia operon me tërë kapacitetet e saj të inteligjencës për të dëmtuar institucionet dhe stabilitetin e Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës!

A ka dhe a ka pasur anëtarë në Parlamentin e Republikës së Kosovës, por edhe elementë në qeverinë dhe administratën e shtetit që kanë "filtruar gabimisht" me Serbinë, kjo është dilema?”, përfundon ai për “Bota sot”.

Vlen të theksohet se përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut, si dhe implementimi i marrëveshjeve të Brukselit, në të shumtën e rasteve janë penguar nga Serbia. Këto përpjekje destabilizuese kanë për qëllim të pengojnë Kosovën për të mos krijuar institucione të fuqishme dhe funksionale që mund të forcojnë pavarësinë dhe sovranitetin e saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat