Ftesa e nisur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, iu kthye mbrapsht.
Pasi ky i fundit refuzoi të takohet me Kurtin për të diskutuar para seancës konstituive të Kuvendit dhe procesit të formimit të Qeverisë së re.
Opinionisti Dedë Preqi, në një prononcim për 'Bota Sot', shprehet se Kosova gjendet para një sfide shumë delikate.
“Kosova në këto momente gjindet para një sfide shumë delikate, që kërkon përkushtim të veçantë ashtu e ka obligim dhe detyrë kryesore të plotësoj normat e saj ligjore dhe shtetërore, që mbas zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti, të formojë qeverinë e re, me ç’rast i takon LVV, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve të e marrë përgjegjësinë kryesore.
Dhe në këto rrethana kryeministri Kurti, si kryetar i LVV, apo partisë fituese së bashku me Listën «Guxo» dhe Alternativën, si dhe me minoritetet jo serbe, me të cilat ka bashkëpunuar katër vite apo një mandat të plotë, mbas këtyre zgjedhjeve kryeministri në fjalë është konsultuar, duke marrë edhe një pëlqim nga ana e tyre, që të udhëheqin përsëri së bashku edhe për një mandat tjetër“, ka thënë ai.
Po ashtu, Preqi ka folur edhe për ftesën që i dërgoi Kurti LDK-së, përkatësisht kryetarit Abdixhiku.
“Mirëpo, për krijimin e një qeverie më stabile kryeministri Kurti, në këtë rast kërkon bashkëpunim edhe me parti të tjera, duke ua bërë ftesën, siq ishte rasti me LDK, si një parti e tretë, por që kryen veprime me vlerë për të krijuar qeverinë e re.
Dhe duke u nisur nga ajo që mund të përfitohet nga ky bashkëpunim, së pari mjafton që të sjellim në Kuvend numrin e dëshiruar të deputeteve për të marrë vendimet e duhura, dhe e dyta për të fuqizuar rrolin e Kuvendit, si tërësia e procedurave që ia mundësojnë këtij populli të përcaktojë qëllimet e veta sipas rrugëve ligjore”, ka theksuar ai.
Tutje, opinionisti Preqi e ka komentuar edhe refuzimin e ftesës nga ana e Abdixhikut.
“Ndoshta për ndonjërin nuk është me rëndësi krijimi i institucioneve të reja, sa është me rëndësi pushteti, dhe në këtë rast kryetarit të LVV, Albin Kurti, i refuzohet ftesa nga kryetari Abdixhiku, i cili nuk dëshiron të bashkëpunoi dhe të qeveris me të tillët, duke treguar rolin e një udhëheqësi të dobët dhe të «lig», që nuk duron asnjë normë dhe person mbi vetëvetën.
Dhe kjo çështje nuk duhet të lidhet me periudhën e fushatave zgjedhore, nëse liderët e subjekteve politike janë gjuajtur me fjalë të pa zgjedhura ndaj njëri-tjetrit, dhe tani në këto momente vendimtare që janë në shërbim të popullit dhe vendit për krijimin e institucioneve të reja, të hakmerremi ndaj njëri-tjetrit në këtë mënyrë primitive”, ka potencuar ai.
Gjithashtu, Preqi ka folur edhe për mundësinë e dërgimit të ftesave nga Kurti për partitë e tjera politike.
“Kryeministri Kurti, ndoshta do ua bëjë ftesën edhe partive të tjera, për të krijuar mundësinë e formimit të qeverisë së re, duke i lënë anash thash e thënmet politike dhe retorike, kur me rëndësi jetike janë përveç krijimit të institucioneve të reja, janë detyrimet dhe obligimet që përkon me shërbimet ndaj popullit dhe shtetit, në kuptimin e zhvillimit dhe të mirëqenjës së tij”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, opozita aktuale e sheh pushtetin si një fuqi absolute.
“Jo vetëm LDK, por në përgjithsi opozita aktuale, e shohin «pushtetin» si fuqi absolute dhe duke e trajtuar vetëvetën si të favorshme, apo shtetin e këtij vendi e konsiderojnë si vepër të mendjes dhe duarve të tyre, që do të gabohemi përherë, nëse do të abuzojmë në këto forma ndaj këtij populli dhe vendi, duke ia kthyer shpinden për interesa përsonale dhe klanore, por duke mos harruar se përbindëshin e kemi te dera, që mëzi po e pret momentin të na kapërdijë pa dallim”, ka shtuar ai.
Në fund, ai shprehet se mund të ketë edhe një ftesë për PDK-në, dhe në rast se refuzohet kjo e fundit, do të kuptohet se opozita ka bërë një 'marrëveshje të fshehtë'
“Kryeministri Kurti, do ta formojë qeverinë e re me gjithë arsenalin e vet që ka, por një ftesë do ia bëjë edhe PDK-së, dhe në rast refuzimi edhe nga kjo parti, kuptohet se opozita ka bërë një marrëveshje të fshehtë, duke e refuzuar Kurtin, në këtë mënyrë të organizuar, që të hakmerren në një mënyrë ndaj tij, për t’u lëshuar rrugën, që ta formojnë qeverinë e re, e cila do të ishte shumë jetëshkurtër dhe jo funksionale”, ka përfunduar Preqi.