Tashmë dialogu Kosovë-Serbi ka filluar të kthehet një nga çështjet më të rëndësishme për ndërkombëtarët.
Përfshirja e SHBA dhe BE në dialog ka ngjallur kurreshtjen edhe të shteteve tjera për gatishmëri për kontribut që kjo situatë mes dy shteteve të zgjidhet sa më parë.
Është deputeti i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, Alex Sobel, i cili theksoi përkushtimin e vendit të tij për ta përkrahur Kosovën në të gjitha proceset ndërkombëtare, përfshirë njohjet dhe anëtarësimet në organizata relevante.
Sobel tha se Britania është e gatshme të japë kontribut edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me kusht që një rol i tillë të jetë i pranueshëm për të gjitha palët e përfshira.
“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përkrahë plotësisht Kosovën, qoftë sa i përket njohjes nga vendet e tjera e anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare… Kanë kaluar 14 vite negociata tash mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe Mbretëria e Bashkuar dëshiron të inakurojë këtë proces, të luajmë rolin tonë, të vijmë e t’i tregojmë presidentes, Vjosa Osmani që jemi këtu të përkrahim Kosovën dhe gjithashtu vizitoi Beogradin. Mendoj që Mbretëria e Bashkuar është gati ta luajë rolin e saj… Do të duhej pajtimi i të gjitha palëve për rolin e Mbretërisë së Bashkuar në këtë proces. Ndërmjetësuesi kryesor sigurisht është Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Sobel.
Ai nënvizoi se përfshirja e Londrës në këtë proces do të varet nga gatishmëria e palëve për ta pranuar një angazhim të tillë
E për këtë deklaratë të Sobel dhe për ndikimin që mund të kishte mundësia e përfshirjes së Britanisë në dialog, kanë folur analistët.
Mehazi: Fati i Kosovës është Britania e Madhe jo BE-ja
Së pari, për këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.
Ai mundësinë e përfshirjes së Britanisë në dialog e sheh mjaftë pozitive për Kosovën, duke kujtuar përkrahjen që Kosova vazhdimisht ka marrë nga Britania.
“Fati i Kosovës është Britania e Madhe jo BE-ja; si çdoherë diplomacia e fuqishme e Mbretërisë së Bashkuar në çfarë do lloje takimesh diplomatike botërore ka qenë pro-Kosovës e kundër Serbisë. Bile elita politike dhe diplomatike britaneze ka përkrahur Kosovën më shumë sesa vetë politikanët e Kosovës, të cilët përballë Serbisë dhe Vuçiqit kanë qenë inferior.
Sesa është e përkushtuar Britania e Madhe për Kosovën më kujtohet takimi i Ministrit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, para dy vitesh, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që deklaroi, parafrazojmë, se Britania e Madhe, Mbretëria e Bashkuar, mbetet fortë e përkushtuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE, se marrëdhëniet me Kosovën janë të shkëlqyeshme dhe se KFOR-i britanik do jetë mburojë e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Tutje, profesori tha që kjo deklaratë e deputetit Sobel është një shpresë që dialogu të kalojë tek Britania dhe jo të mbetët tek Brukseli.
“Thuajse të njëjtën deklarate të Ministrit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, e tha dhe deputeti i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, Alex Sobel, që gjatë dialogut, Kosova të përkrahet në të gjitha proceset ndërkombëtare, përfshirë edhe njohjet reciproke, Serbi-Kosovë. Deklarata e deputetit të Partisë Laburiste, Alex Sobel, është një simbolikë shpresëdhënëse për Kosovën, që pas dështimit dialogues të Brukselit dhe BE-së, ky dialog i stërgjatur i Kosovës me Serbinë të tranformohet në Londër e cila është jashtë BE-së serbo-ruse.
Pra, përgjegjësinë e dialogut, Kosovë- Serbi, ta merr Londra jo më Brukseli i dështuar”, foli profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”.
Qarri: Është fat i pakrahasueshëm për Kosovën, që një shtet kaq i fuqishëm e besnik i Kosovës, si Mbretëria e Bashkuar është përkrah saj
Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, e cilësoi mjaft pozitive mundësinë e pjesëmarrjes së Britanisë në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, Britania është një nga shtetet që më së shumti e ka përkrahur Kosovën, duke përmendur kështu edhe kohën e luftës.
“Është vërtet fat sublim dhe kënaqësi e veçantë për Kosovën, të gëzojë përkrahjen e përhershme të një shteti të madh e besnik, me miqësi të përhershme e tradicionale siç e ka dëshmuar në vijimësi Mbretëria e Bashkuar, e cila në të gjitha situatat i ka qëndruar pranë Kosovës dhe në momentet më delikate edhe i ka dalë publikisht në ndihmë. Duke filluar nga kryeministri "legjendar" i Anglisë Sir Toni Bler, i cili siç është thënë e shkruar qindra herë, ishte shtytësi më i madh dhe mbështetësi kryesor i presidentit tjetër legjendar-për shqiptarët, atij amerikan Bill Klinton, që morën vendim për bombardimin e caqeve policore e ushtarake okupuese serbe, për shpëtimin e shqiptarëve dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Mbretëria e Bashkuar ishte dhe mbetet edhe avokati më i mirë politik i Kosovës edhe për këshillime e mbështetje diplomatike, si dhe kontribuuesja më e madhe ushtarake krahas SHBA-ve edhe pas bombardimeve të NATO-së kundër Serbisë fashiste, me angazhimin e pazëvendësueshëm të ushtarëve të saj, në kuadër të forcave të KFOR-it, duke udhëhequr edhe këto forca, që nga momenti i marshimit tokësor në qershor, deri në tetor të vitit 1999, nga gjenerali Sir Michael Jackson, i cili përkundër vështirësive dhe sfidave të mëdha e të paparashikueshme, të një vendi të sapo dalë nga lufta, si okupimi i befasishëm i aeroportit të Prishtinës nga forcat ruse, largimin e të cilave ai e menaxhoi me sukses e pa gjakderdhje dhe mënjanoi rrezikimin e ndonjë lufte edhe ndërmjet superfuqive, që pastaj u cilësuan si arritje historike, duke e vlerësuar gjeneralin Jackson me Urdhrin e Shërbimit të Shquar (DSO) dhe fituar respektin e gjithë liderëve botërorë”, shpjegoi analisti.
Kosova, vetëm me Mbretërinë e Bashkuar ka mundur të bisedojë në një atmosferë të ngrohtë e miqësore
Duke vazhduar bisedën, analisti përmendi ngrohtësinë që Kosova gjithmonë e ka pasur nga Britania dhe se ka kontribuar në shtetndërtimin e Kosovës në vazhdimësi.
“Në fakt kryeministri Kurti, që nga ardhja në krye të Qeverisë së Kosovës, është mirëpritur çdo herë në Mbretërinë e Bashkuar, madje edhe në vizitën që ai i bëri Mbretërisë së Bashkuar në fillim të nëntorit të vitit 2022, ku takoi Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, kryeministrin aktual të Britanisë Sir Keir Starmer, si dhe deputetë të grupeve të ndryshme Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, të gjithë që nga kryeministri aktual Starmer, ministri i jashtëm dhe deputetët britanikë pa dallim, i ofruan Kosovës përkrahjen e plotë për inkuadrim në NATO dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Kosova, vetëm me Mbretërinë e Bashkuar ka mundur të bisedojë në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, të shkëmbejë mendime dhe kkëmbejë ide rreth situatës socio-ekonomike, politike e rajonale, dhe flas pa ekuivokë mbi prioritetet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe vetëm nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të, vazhdon në të gjitha fazat, të gëzojë përkrahje të përhershme e shumë të fuqishme edhe në çështjet e sigurisë, në shtetndërtim, politikën e jashtme, avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimet ndërkombëtare”, tha ai.
Miqësia e kahmotshme e Britanisë me Kosovën
Krahas kësaj, Qarri potencoi edhe përkrahjen e ish-kryeministrit Tony Blair dhe Fergul Eckersley, këshilltar ministror i Britanisë dhe riafirmimin e përkrahjes së vazhdueshme për Kosovën në synimet e saj euro-atlantike.
“Me këtë rast duhet cekur me krenari faktin, se kryetar dhe funksionar i lartë i Partisë Laburiste ka qenë ish Kryeministri i famshëm dhe shpëtimtari i Kosovës Sir Tony Blair, dhe se nga koha e tij e deri më sot, përkrahja e Partisë Laburiste britanike ndaj Kosovës nuk ka munguar asnjëherë dhe në asnjë kohë, akt që tani e vijon me të njëjtën forcë e dinjitet deputeti i mirënjohur i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, Alex Sobel, i cili edhe aktualisht ka theksuar përkushtimin e vendit të tij për ta përkrahur Kosovën në të gjitha proceset ndërkombëtare, përfshirë njohjet dhe anëtarësimet në organizatat më të rëndësishme e relevante.
Se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme ta ndihmojë dhe mbështesë Kosovën, në të gjitha drejtimet e dëshmoi edhe z. Fergus Eckersley, këshilltar ministror i Mbretërisë së Bashkuar, në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për Kosovën, i cili deklaroi se si përkrahës të shtetësisë së Kosovës, Britania e Madhe mirëpret njohjen e pavarësisë së saj nga Kenia dhe inkurajojnë të gjitha shtetet që s’e kanë bërë një gjë të tillë deri më tani, ta njohin sa më parë shtetin e Kosovës, me ç`rast potencoi edhe njëherë më tepër publikisht, se Mbretëria e Bashkuar ka qenë mik afatgjatë i Kosovës, ndërsa riafirmimi i përkrahjes së vazhdueshme për Kosovën në rrugëtimin e saj euro-atlantik, u dëshmua edhe gjatë vizitës së fundit të Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë”, potencoi ai.
Britania mund të ndikojë në përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi
Në fund, analisti përmbylli bashkëbisedimin duke thënë se miqësia që Kosova ka me Britaninë është një fakt shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe se pjesëmarrja e saj eventuale në dialog do mund të ndikonte edhe në përmbylljen e tij.
“Nga shqiptarët dhe mbarë qytetarët e Kosovës, nuk duhet harruar akti historik i deputetes britanike dhe ish kryetares së Komisionit të Punëve të Jashtme në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, e cila qysh në korrik të vitit 2023, e para, pati ngritur alarmin se nga Serbia po kontrabandoheshin armë, përmes autoambulancave dhe vendoseshin në kishat ortodokse në Kosovë, të cilën ajo e kishte mësuar me fakte autentike, nga ushtarët e regjimentit britanik, që kishin shërbyer në kudër të misionit të KFOR-it në veri të Kosovës, akt që u vërtetua në gjithë përmasat e veta të trishta me 24 shtator 2023, në agresionin territorial të terroristëve serb, me kryeterroristin Millan Radojçiq, kur u vra edhe rreshteri policor i Kosovës në detyrë, heroi Afrim Bunjaku.
Andaj më duhet ta përsërisë dhe theksoi fort edhe njëherë, se vërtetë është fat i pakrahasueshëm për Kosovën, që një shtet kaq i fuqishëm dhe mik shembullor e besnik i Kosovës, si Mbretëria e Bashkuar të deklarohet nga përfaqësuesit e saj shtetëror dhe deputetët dashamirës të vendit tonë, si Sir Sobel, se Britania është e gatshme të japë kontribut edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kur dihet se në dialog me një shtet kaq armiqësor si Serbia, e cila edhe mbi një çerek shekulli, pas përfundimit të luftës dhe dëbimit të saj nga Kosova, ende shpreh pretendime të hapura territoriale, ndaj vendit tonë, por edhe përkundër të gjithave, kishim ndërmjetësues nga shtete mosnjohëse të Kosovës dhe që mbanin hapur anën e Serbisë si spanjollo-argjentinasi Josep Borell dhe sllovaku proserb Mirosllav Lajçak, të cilët me njëanshmërinë e tyre të paskrupullt pro Serbisë, futën bisedimet në "qorrsokak" dhe quan në bllokimin e plotë të dialogut, ndaj vetëm angazhimi i SHBA-ve dhe vendeve të dëshmuara mike si Mbretëria e Bashkuar, mund të ndikojnë në avancimin konkret të dialogut dhe përmbylljen e këtij procesi maratonik, me njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve”, përfundoi analisti politik, Gani Qarri për “Bota sot”.