Seanca konstituive e Kuvendit/ Njohësit flasin për zhvillimet që priten të ndodhin nesër – kanë një mesazh për partitë politike!

Politika

Seanca konstituive e Kuvendit/ Njohësit flasin për zhvillimet që priten të ndodhin nesër – kanë një mesazh për partitë politike!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 prill 2025 Në ora: 21:02
Kuvendi i Kosovës

Nesër do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, e cila tashmë është caktuar për në orën 10:00 të së martës.

Vetëvendosje, së cilës i takon posti i kryeparlamentarit, ende nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit që pritet të votohet atë ditë.

Në seancën e cila është paraparë të fillojë të martën në orën 10:00, fillimisht do të formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur, ndërsa pas kësaj do të bëhet betimi i deputetëve.

E në lidhje me këtë seancë dhe zhvillimet që mund të pësojnë nesër, gjatë ditës së sotme ka folur deputeti i zgjedhur i AAK-së, Bekë Berisha.

Ai ka thënë se do të marrin pjesë në seancën e nesërme konstituive, por që varësisht nga emri i propozuar për kryetar të Kuvendit, do të votojnë në bashkërendim me opozitën.

“Do të marrim pjesë në seancë dhe çështja e votimeve varësisht se kush është si propozim, që është propozim i shumicës, pastaj do të merremi vesh me opozitën se si do të veprojmë”, tha ai.

Gjithashtu ai tha se jemi për qeveri të opozitës, me e çu në shtëpi VV-në.

E duke u bazuar nga kjo deklaratë a mund të përballemi nesër me ndonjë lëvizje të opozitës?

Zogaj: Opozitat gjithmonë dhe gjithund janë “llafazane”

Image
Skënder Zogaj

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.

Ai thotë se opozita në vazhdmis ka folur në këtë mënyrë mirëpo që demokracia dhe ligjet janë ato që vendosin për këto gjëra.

Sipas tij, AAK është këmbëngulëse për një qeveri në opozitë mirëpo e njejta nuk i ka ende as numrat.

“Opozitat gjithmonë dhe gjithund janë "llafazane" sepse demokracia ua mundëson që të flasin çka të duan e si të duan, por, në fakt, demokracia përmbi fjalët ka ligjet, të cilat e përcaktojnë mënyrën e veprimit dhe të marrjes së vendimeve që patjetër duhet të miratohen me votë dhe vetëm me votë!

Në zgjedhjet e 9 shkurtit verdikti i soveanit e ka kriju listën e fituesve, por fituesve ua ka kufizu mundësinë e konstituimin e institucioneve qeverisëse, sepse partia fituese nuk i ka numrat e duhur, ndërsa partitë opozitare e kanë "kastin" e fortë për të mos ia lejuar LVV vazhdimin e qeverisjes.

Kështu janë deklaruar disa nga deputetët opozitarë, sidomos AAK-ja, e cila është shumë këmbëngulëse për një qeveri të opozitës, ndonëse, kjo dëshirë është mjaft e parealizueshme, sepse, as opozita nuk i ka numrat, madje, njëherë për njëherë, as nuk është në radhë për tu shprehur”, u shpreh ai.

Publicisti thotë që secila parti duhet të marrë pjesë nesër në seancën konstituive dhe të vendoset në të mirë të Kosovës dhe jo të shikohen interesat personale.

“Mendoj që, nuk do të duhej të mungonte pjesëmarrja e të gjitha parive në seancën konstituive të Kuvendit dhe, jo vetëm kaq, por, pa egocentrizëm duhet të shprehen qëndrimet e qarta e të sakta, dhe të mos luhen shfaqje tragjikomike teatrore që, sot më pak se kurdoherë duhet të luhen në Kosove!

Kompromiset gjithmonë gjysmëvlera, mirëpo, ka raste kur arsyeja e pranon sakrificën partiake për të mirën e vendit, nëse është e vërtetë se, partiakët e Kosovës janë "për shtet e jo për pushtet!" Kjo sakrificë aktualisht nuk po shihet gjëkundi, prandaj, jam skeptik për gjetje e zgjidhjes së shpejtë!”, foli Zogaj për “Bota sot”.

Hertica: AAK-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në për Qeverinë

Image
Ali Hertica

Ndërsa analisti politik, Ali Hertica në një bashkëbisedim me “Bota sot”,tregon se si qëndrojnë rregullat gjatë mbajtjes së seancës konstituive, duke përmendur mundësitë që mund të ndodhin nesër.

“Për formimin e qeverisë së Kosovës, nevojiten më së paku 61 vota të deputetëve të kuvendit. Por fillimisht presidenti i Kosovës duhet ta mandatojë fituesin e zgjedhjeve që të formojë qeverinë. Mandatari i parë ka afat prej dy javësh që ta sigurojë numrin e votave në parlament më së paku 61 prej tyre.

Nëse mandatari i parë nuk arrin të formojë qeverinë brenda 15 ditëve, atëherë, presidenti dekreton një tjetër mandatar, i cili ka një afat ligjor vetëm prej dhjetë ditësh për formimin e qeverisë së re.

Nëse edhe mandatari i dytë dështon të sigurojë shumicën parlamentare, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje.

Proceduralisht, e dini që më 15 prill bëhet betimi, më pas bëhet propozimi i kryetarit të Kuvendit, konsititohet Kuvendi pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë. E njohim të drejtën e plotë të partisë së parë në këto zgjedhje që të provojë të bëjë shumicën”, thotë ai.

Analisti më tej përmend qëndrimet e AAK dhe LDK në raport me LVV në lidhje me Qeverinë.

Në fund, ai nënvizon deklaratën duke thënë që LVV do ta ketë më vështirë që të gjej mbështetje nga opozita.

“AAK-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në për Qeverinë. Deputeti nga Alenaca për Ardhmërin e Kosovës (AAK) Bekë Berisha është paraqitur sot në Kuvendin e Kosovës për t’u regjistruar në legjislaturën e radhës. Ai është pyetur nga mediat se si janë raportet me partnerin e koalicionit Nismën si dhe a do të votojnë për Kuvedin dhe Qeverinë e Kosovës dhe i njejti u shpreh që jo.

Megjithatë, dihet botërisht se Kurti nuk e ka mbështetjen e plotë edhe të partive joserbe dhe të disa të minoriteteve jo serbe – që tradicionalisht kanë mbështetur Qeverinë. Disa nga minoritetet e partitë joserbe, që kanë dhjetë ulëse në Kuvend, do janë shumë më radikal në qëndrimet e tyre për t’i realizuar planet zhvillimore të pakicve jo serbe ku edhe kanë paraqitur kërkesa në këmbim të votës së tyre për qeverinë. Ndërsa nga LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrimet e saj sa i përket formimit të Qeverisë së Kosovës, dhe janë të pa luhatuar në qëndrimet e tyre poltike dhe e asesi nuk do japin vota për qeverinë Kurti 3”, përfundoi Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat