Që nga njohja e Izraelit para katër vitesh, Kosova nuk ka pasur njohje tjera deri tani.
Kenia, shtet afrikan, njohu shtetin e Kosovës më 26 mars 2025, duke u bërë kështu shteti i 118-të që e njeh atë.
Sudani, vend në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën, njoftoi presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.
“Ky është fillimi i një partneriteti madhështor”, shkroi Osmani.
Kurse, lidhur me këtë ka pasur reagime nga liderët shtetëror duke e vlerësuar këtë hap.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se shpreson në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike dhe bashkëpunimin konkret mes dy vendeve.
“Republika e Kosovës sot shënoi edhe një moment tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e saj ndërkombëtar, njohjen nga Sudani.
Kjo njohje vjen vetëm pak javë pas lajmit të mirë nga Kenia, duke forcuar më tej praninë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në Afrikë dhe përtej saj.
Jemi thellësisht mirënjohës Sudanit për këtë vendim, Presidentes Osmani për punën e saj, si dhe të gjithë aleatëve tanë që kontribuan në këtë sukses të përbashkët diplomatik.
Presim me padurim ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike dhe bashkëpunimin konkret me Sudanin në fusha me interes të ndërsjellë”, shkruan ajo.
Edhe kryeministri Albin Kurti, shpreson se do të zgjerohen marrëdhëniet diplomatike dhe të fuqizohen edhe më tej.
“Shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re e popullit tonë një miqësi më shumë. E mirëpresim njohjen nga shteti i Sudanit, e cila vjen disa javë pas asaj nga Kenia.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona shpresojmë të zgjerohet dhe fuqizohet më tej.
Urime qytetarëve të Republikës sonë dhe faleminderit Presidentit të Sudanit për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhënien mes dy vendeve tona, si dhe Presidentes sonë për angazhimin e saj e miqve dhe partnerëve tanë për mbështetjen e vazhdueshme”.
Lama: Ky është një lajm i mirë që shënon zhbllokimin e procesit edhe për vende të tjera në Afrikë dhe më gjerë

Ish-ambasadorja Alma Lama, në një përgjigje për gazetën thotë se njohja e Kosovës nga Sudani forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë.
Ajo shprehet se ky vend afrikan me histori të ngjashme ndarjeje territoriale
Njohja nga Sudani, sipas saj ka vlerë të veçantë, pasi nuk ka përdorur konfliktet e brendshme si arsye për mosnjohje.
Tutje, ajo shton se së bashku me njohjen nga Kenia, ky është një sinjal pozitiv për zhbllokimin e procesit të njohjeve në Afrikë.
“Njohja e shtetit të Kosovës nga shtete të tjera forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Sudani është vend i rëndësishëm i kontinentit afrikan dhe, duke pasur parasysh se vetëm disa vite më parë ka pasur shkëputjen e një pjese të territorit të tij, duke u krijuar shteti i Sudanit të Jugut, njohja e tij ka vlerë shtesë pasi nuk ka përdorur konfliktet e brendshme si justifikim për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, së bashku me njohjen e Kenias, ky është një lajm i mirë që shënon zhbllokimin e procesit edhe për vende të tjera në Afrikë dhe më gjerë”, shprehet ajo.
Në fund, thekson faktin se roli i Turqisë ka qenë kyç në këtë arritje dhe duhet vazhduar bashkëpunimi me vendet mike për të siguruar njohje të reja.
“Është e qartë se Turqia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë njohje, dhe mendoj se duhet të vazhdohet të bashkëpunohet me vendet mike për të sjellë njohje të tjera”, thotë ajo.
Rugova: Është bërë lobim i fuqishëm për të dy njohjet nga disa qendra lobimi

Njohësi politik, Naser Rugova nënvizon se njohja e Kosovës nga Sudani, pas asaj nga Kenia, është një hap i rëndësishëm drejt afirmimit ndërkombëtar.
Sipas tij, dy njohje brenda 10 ditëve nga Afrika tregojnë për një lobim të fuqishëm, ku Turqia ka luajtur rol kyç, përkrah angazhimit të presidencës.
Ai shprehet optimist se ky sukses diplomatik duhet të vazhdojë edhe në vendet e tjera të botës së tretë, për të rritur mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Pas njohjes nga Kenia, njohja nga Sudani është tepër e rëndësishme për njohjen dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Dy njohje vetëm brenda 10 ditëve nga kontinenti afrikan nuk janë të rastësishme. Është bërë lobim i fuqishëm për të dy njohjet nga disa qendra lobimi. Pa dyshim që për njohjen nga Sudani merita të mëdha ka Turqia, e cila ka pasur rolin kryesor, duke pasur relata edhe personale me udhëheqjen e Sudanit. Edhe presidenca e vendit ka luajtur rol me rëndësi në këtë proces. Mendoj se ky angazhim diplomatik duhet të intensifikohet edhe në vendet e tjera të botës së tretë. Sa më shumë njohje për Kosovën, rriten gjasat për anëtarësim në disa mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar”, përfundon ai për “Bota sot”.