Alarmi nga Kaja Kallas për Ballkanin Perëndimor: Eksperti: Kemi hyrë në fazë kritike, ky është mesazhi...

Politika

Alarmi nga Kaja Kallas për Ballkanin Perëndimor: Eksperti: Kemi hyrë në fazë kritike, ky është mesazhi...

Nga: P.R. Më: 16 prill 2025 Në ora: 08:05
Kaja Kallas

Ditë më parë, Shefja e diplomacisë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, duke kërkuar që të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut.

Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”, tha Kallas para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme që mbahet në Luksemburg.

E lidhur me këtë, Dr. Gurakuç Kuçi – Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor, për gazetën "Bota sot" thotë se ky është një alarm për situatën e sigurisë ne Ballkani n Perëndimor.

Image
Gurakuç Kuçi

"Po, deklarata e Kaja Kallas është një sinjal i qartë alarmi për situatën gjithnjë e më të brishtë në Ballkanin Perëndimor. Kur një përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian si Kallas e artikulon hapur se tensionet po rriten dhe se nevojitet përshpejtimi i procesit të zgjerimit, kjo tregon se BE-ja më në fund po e pranon atë që shumë ekspertë të sigurisë dhe aktorë në terren e kanë b prej kohësh: Ballkani Perëndimor nuk është më një zonë gjeografike në pritje të integrimit, por është shndërruar në një front aktiv të përplasjeve gjeopolitike dhe operacioneve hibride, veçanërisht nga Federata Ruse përmes Serbisë dhe aktorëve të tjerë lokalë", shprehet Kuçi.

"Kjo deklaratë e Kallas vjen në vazhdën e paralajmërimeve të forta të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe të Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, DavidLammy. Të tre këta zyrtarë të nivelit të lartë na dhan një mesazh që mund ta kuptonim se: nëse Ballkani Perëndimor lihet të eskalojë, atëherë krijohet një vijë e gjatë dhe e rrezikshme krize, që shtrihet nga Ballkani e deri në rajonin e Baltikut. Kjo është një vijë tepër e gjatë për t’u menaxhuar dhe për t’u mbrojtur në mënyrë efektive nga strukturat aktuale të sigurisë euroatlantike", shpjegon Kuçi.

Ai thotë se deklarata e Kallas është një mesazh i qartë se situata në Ballkan është në një fazë kritike.

"Në këtë mënyrë, ajo që dikur shihej si një çështje e zgjerimit institucional, tashmë ka marrë përmasat e një krize të thellë të sigurisë. Kallas, përmes fjalëve të saj, po paralajmëron se kemi hyrë në një fazë kritike: nëse Bashkimi Evropian nuk vepron me vendosmëri dhe nuk e trajton Ballkanin Perëndimor si pjesë të pandashme të mbrojtjes strategjike të vet, atëherë po i jepet hapësirë operacionale Rusisë për të thelluar destabilizimin", nënvizon Kuçi.

"Prandaj, po, kjo është një alarm serioz për Ballkanin Perëndimor, por edhe për të ardhmen e arkitekturës së sigurisë në të gjithë Evropën. Bashkimi Evropian ka nevojë urgjente jo vetëm për “histori suksesi”, siç tha Kallas, por për vendime strategjike që do të mbyllnin derën për ndikimin rus dhe do të garantonin një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt për rajonin dhe më gjerë", përfundon për "Bota sot" Dr. Gurakuç Kuçi – Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat