Më 14 prill 2025 – Qeveria e Serbisë ka propozuar Demo Berishën për ministër të të Drejtave të Njeriut, të Pakicave dhe Dialogut Shoqëror në përbërjen e saj të re.
Demo Berisha është i njohur si shqiptari që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është deklaruar publikisht se atdheu i tij është Serbia.
Ky propozim ka ngjallur reagime të ashpra në opinion, ndërsa ka reaguar edhe i vetmi përfaqësues shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në një deklaratë publike, Kamberi e cilësoi këtë emërim si "një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, ka rezistuar dhe është sakrifikuar për të drejtat e tij në Serbi".
Ai theksoi se ky veprim i Qeverisë serbe nuk përfaqëson një hap drejt përmirësimit të pozitës së shqiptarëve, por përkundrazi, një përpjekje për të relativizuar të kaluarën dhe për të fabrikuar një imazh të rremë të tolerancës.
Emërimi i propozuar i Demo Berishës është parë nga figura të ndryshme politike shqiptare si një veprim politik i kalkuluar nga autoritetet serbe për të ndikuar opinionin ndërkombëtar dhe për të fituar pikë në proceset diplomatike me Bashkimin Evropian dhe dialogun me Kosovën.
Rexhepi: Kjo është një provokim i pastër

Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit kombëtar shqiptar në Preshevë, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se emërimi i Demo Berishës si kandidat për Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave nuk përbën as përfaqësim, as vlerësim për komunitetin shqiptar në Serbi.
Sipas tij, ky emërim është një provokim i pastër, një fyerje e rëndë për kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për barazi, drejtësi dhe përfaqësim dinjitoz.
“Demo Berisha qoftë edhe si Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave nuk i përfaqëson shqiptarët.
Emërimi i Demo Berisha si kandidat për ministër të të drejtave të njeriut dhe të pakicave nuk është as përfaqësim, as vlerësim për komunitetin shqiptar në Serbi. Kjo është një provokim i pastër, një fyerje për kujtesën kolektive dhe për përpjekjet e vazhdueshme për barazi dhe drejtësi.
Demo Berisha nuk është zëri i shqiptarëve. Ai është produkt i propagandës që synon të shfaqë një “pošteni albanac” për Beogradin, një shqiptar që mohon Republikën e Kosovës, që nuk njeh flamurin e tij kombëtar, që glorifikon Esat Pashë Toptanin dhe që përfiton politikisht nga mohimi i realitetit të shqiptarëve në Serbi”, thotë ai.
Ai këmbëngul se emërimi i Demo Berishës nuk përfaqëson shqiptarët.
Tutje, shton se nuk na duhen figura dekorative, por përfaqësim i denjë dhe i sinqertë. Ne nuk do të heshtim – do të vazhdojmë të luftojmë me dinjitet për të drejtat tona.
“Ne, si Këshill Kombëtar Shqiptar, nuk do të heshtim përballë përpjekjeve për të relativizuar sakrificat tona dhe për të injoruar padrejtësitë e vazhdueshme ndaj nesh.
Shqiptarët në Serbi nuk kanë nevojë për emërime dekorative. Ata kanë nevojë për përfaqësim të denjë, për zë autentik dhe për angazhim të sinqertë në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Për ne, ky emërim nuk ndryshon asgjë.
Ne nuk do të heshtim.
Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona, me dinjitet dhe vendosmëri”, deklaron ai.
Mustafa: Ai do të shfrytëzohet dhe do t'i shërbejë edhe në procesin e raporteve, të takimeve dhe të bisedimeve me qeverinë e Kosovës!

Edhe opinionisti shqiptar, Xhevat Mustafa, thotë se pajtohet me Shaip Kamberin dhe deklaratën e tij.
Sipas Mustafës, emërimi i Demo Berishës i shërben imazhit të rremë të tolerancës që Vuçiç kërkon ta projektojë në Bruksel dhe BE.
Opinionsti thotë se, Berisha nuk përfaqëson shqiptarët, por do të përdoret si kartë propagandistike në raportet me Kosovën dhe ndërkombëtarët.
“Jam i një mendjeje dhe linje qëndrimi me të nderuarin Shaip Kamberi! Përzgjedhja dhe emërimi i Demo Berishës si Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në qeverinë e Serbisë i shërben Vuçiçit, qeverisë dhe diplomacisë së tij, për t'u reklamuar jo siç janë në të vërtetë për nga shpirti, mendjet, veprat, por si tolerantë e jo paragjykues dhe mosbesues ndaj komunitetit shqiptar në Serbi dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Demo Berisha do të jetë një kartë e fortë demagogjie dhe pa sinqeriteti për diplomacinë serbe edhe në Bruksel, në BE! Njëherazi, do të shfrytëzohet dhe do t'i shërbejë edhe në procesin e raporteve, të takimeve dhe të bisedimeve me qeverinë e Kosovës!”, përfundon ai për “Bota sot”.
Kush është Demo Berisha
Kujtojmë se, Demo Berisha është i njohur si shqiptari që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është deklaruar publikisht se atdheu i tij është Serbia.
Demo Berisha deklaron se ka lindur në Pejë dhe jeton në Novi Sad. Në një intervistë për televizionin e Vojvodinës (RTV Panonia dhe kanal 9), ai thotë se shkollën fillore e ka kryer në Kosovë, ndërsa, pastaj ka vazhduar në Sarajevë, ku ka kryer shkollën ushtarake, pastaj në Novi Sad.
Ai thotë që ka qenë pjesëtar i ushtrisë jugosllave dhe ka përfunduar karrierën e tij në ushtrinë e Serbisë, duke punuar një kohë të gjatë në policinë ushtarake.
“Unë kam lindur në Kosovë. Në Kosovë e kam përfunduar shkollën fillore. Pastaj kam përfunduar shkollën suhtarake në Sarajevë dhe kam vazhduar shkollimin në Novi Sad. Përndryshe kam qenë pjesëtarë i ushtrisë së Jugosllavisë. Pastaj, kam përfunduar karrierën në Ushtrinë e Serbisë. Kam punuar shumë vite në policinë ushtarake në Novi Sad. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë. “, tha ai.
Për Berishën, atdheu i tij është Serbia dhe në të është e përfshirë edhe Republika e Kosovës.
“Shoqata funksionon në tërë territorin e Serbisë, Unë nuk e ndaj Serbinë. Kur flas për territorin e Servbsë, nuk e ndaj Serbinë sit ë brendshme dhe Kosovën. Unë besoj në Kushtetutë dhe them se Serbia është e pandashme.”, tha ai.
Berishës nuk i kanë penguar të qëndrojë në ushtrinë Serbe edhe krimet që ushtria serbe i ka kryer para luftës dhe gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë dhe për të Kosova është pjesë e Serbisë.
Ai madje vazhdon ta thërras Kosovën si “Kosova e Metohi”.
Ai mendon se nuk është shqiptari i vetëm që mendon kështu, prandaj, dhe ka themeluar më 2014-ën, në Serbi, organizatën joqeveritare “Ama e Shqiptarëve të Serbisë” (Matica Albanaca Srbije – MAS), e cila sipas tij ka 4600 anëtarë në territorin e Vojvodinës nga 6000 shqiptarë, që sipas Berishës ka në Vojvodinë, ndërsa në tërë territorin e Serbisë thotë se ka mbi 180.000 Shqiptarë.
Deklaron se shoqata merret me marrëdhëniet shqiptaro-serbe, dhe për më shumë, avancimin e të disa të drejtave të shqiptarëve në Serbi.