Gjatë ditës së martës, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë.
Kjo pasi nuk ka kaluar Raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve të Deputetëve.
“Meqë Raporti nuk mori votat e mjaftueshme, në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë Presidenten se si do të veprohet në të ardhmen. Faleminderit!” – ka thënë kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari.
E në lidhje me këtë situatë të krijuar në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.
Ai thotë se çdo veprim politik duhet të jetë i matur me syn ë kushtet e një ngërçi të mundshëm institucional.
Gjithashtu doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare shprehet se komunikimi në politik është një vlerë themelore dhe nëse një gjë e tillë mungon atëhere mungon edhe kapaciteti për të ndërtuar një rend institucional funksional.
“Në kushtet e një ngërçi të mundshëm institucional, çdo veprim politik duhet të jetë i matur dhe me sy drejt pasojave afatgjata për vendin. Krizat nuk duhet të shfrytëzohen për kapital elektoral, por të adresohen me seriozitet dhe përkushtim për stabilitetin demokratik. Rruga jonë drejt konsolidimit shtetëror dhe euroatlantik kërkon lidership të përgjegjshëm, jo kalkulime momentale. Bashkëpunimi i sinqertë dhe komunikimi transparent janë rruga e vetme për të ruajtur besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kur flasim për komunikim në politikë, nuk flasim për një mjet, por për një vlerë themelore të jetës demokratike. Komunikimi është, në thelb, mënyra si një shoqëri mëson të njohë vetveten. Nëse ai mungon mes subjekteve politike, mungon edhe kapaciteti për të ndërtuar një rend institucional funksional. Dhe kur komunikimi ndërpritet, atëherë hapësira politike nuk mbetet bosh – ajo mbushet me pasiguri, me dyshim dhe, në fund, me ndërhyrje të huaja”, u shpreh ai.
Të ketë kulturë të përgjegjshme
Duke vazhduar bisedën më tej Voca përmend kërkesën e opozitës për dorëheqjen e kryeministrit e që sipas tij nuk është detyrim kushtetues.
“Mjaft më me pritjen që dikush tjetër – një ambasadë, një përfaqësues ndërkombëtar, një burokrat nga jashtë – të ndërhyjë sa herë ne nuk arrijmë të flasim me njëri-tjetrin. Një republikë nuk mund të mbahet në këmbë vetëm nga ndihma; ajo mbahet nga një kulturë e përgjegjësisë së ndërsjellë. Duhet të mësohemi të menaxhojmë vetë krizat që po përsëriten si një lloj cikli i pafund, si një mësim që nuk po duam ta mësojmë.
Sot, një ndër debatet që po shfrytëzohet për qëllime retorike është ai që lidhet me statusin e Kryeministrit në detyrë pas zgjedhjeve. U kërkua dorëheqja e tij për shkak se është zgjedhur deputet. Por a është ky një detyrim kushtetues? Jo. Dhe nuk duhet domosdo të jemi juristë për ta kuptuar drejt Kushtetutën tonë.
Neni 95, paragrafi 5 i Kushtetutës është i qartë: “Qeveria e mëparshme vazhdon të ushtrojë funksionet deri në betimin e Qeverisë së re.” Kjo është një dispozitë që ekziston në çdo demokraci funksionale për të garantuar vazhdimësinë institucionale. Kjo nuk është çështje personash apo emrash – është çështje parimi dhe stabiliteti. Dhe në rrethana siç janë tensionet në veri të vendit, ajo që i duhet Kosovës nuk është një dorëheqje simbolike, por një qeveri funksionale, qoftë edhe në detyrë”, shpjegon ai.
Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen duke u mbërthyer në të kaluarën e afërt
Ligjëruesi tutje shton që në vend të përplasjeve të vazhdueshme duhet të ketë bashkëpunim të kapërcehet situata në të mirë të Kosovës.
Pastaj Voca potenvon që në vend të përplasjes së vazhdueshme, është koha për të ndërtuar një kulturë të re politike në Kosovë.
“Prandaj, në vend të përplasjeve të kota mbi çështje që janë të qarta për këdo që lexon Kushtetutën me kujdes dhe pa paragjykim, le të fokusohemi në çfarë kërkon momenti: bashkëpunim, maturi dhe kapërcim të logjikës përjashtuese.
Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen duke u mbërthyer në të kaluarën e afërt, duke analizuar pafund se kush e shau i pari, kush ka më shumë apo më pak faj. Këto janë biseda të një shoqërie që ende nuk ka vendosur nëse do të ecë përpara apo do të mbetet peng i vetvetes. Pa vullnet të sinqertë për bashkëpunim, Kosova nuk do të bëjë përpara – dhe kjo është një e vërtetë e thjeshtë, por e rëndë.
Në vend të përplasjes së vazhdueshme, është koha për të ndërtuar një kulturë të re politike në Kosovë – një kulturë ku mosmarrëveshjet nuk shihen si kërcënim, por si mundësi për rritje. Një kulturë ku komunikimi nuk jetësohet vetëm në prag krizash, por si parim i përhershëm për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme. Demokracia është më shumë sesa zgjedhje të lira – është një mënyrë të jetuari së bashku në dallim dhe në respect”, theksoi ligjëruesi.
Kërkohet maturi politike
Duke vazhduar bisedën Voca thotë që qytetarët e vendit kanë nevojë për një maturi politike dhe jo përplasje të pafundme.
Sipas tij, nëse nuk ka reflektim për këtë situatë të krijuar atëhere vështirë mund të kemi funksionim të shtetit.
“Është koha të tregojmë më shumë maturi, më shumë dialog të shëndoshë, më shumë punë të përbashkët – sepse qytetarët presin pikërisht këtë: siguri, progres, një horizont më të kthjellët. Nuk ka më arsye të shtyjmë për më vonë atë që është vonuar shumë. Kemi tashmë mbi një çerek shekulli nga çlirimi, 17 vite nga pavarësia. Është koha t’u ofrojmë qytetarëve diçka më shumë sesa përplasje të pafundme. Ata meritojnë një shtet që reflekton maturi politike – jo thjesht një garë për të pasur të drejtë.
Nëse Kosova nuk tregon maturi politike, kjo do të reflektojë drejtpërdrejt në funksionimin e shtetit, në pakënaqësinë qytetare dhe në dobësimin e përkushtimit ndaj institucioneve. Në fund të fundit, Republika është e popullit dhe demokracia udhëhiqet nga populli – prandaj është koha të kthehemi nga nevojat dhe pritjet e qytetarëve dhe jo vetëm nga interesat partiake”, thotë ai.
Mungesë vullneti për bashkëpunim
Në fund, ligjëruesi nënvizon bashkëbisedimin duke thënë se mungon vullneti për bashkëpunim dhe se nëse nuk kalohet ky ngërç politik atëhere do mbetemi peng i një rrethi të mbyllur konflikti.
“Asnjë demokraci nuk mund të mbijetojë pa besimin e ndërsjellë mes atyre që udhëheqin dhe atyre që përfaqësohen. Ky besim, siç thekson Hannah Arendt, lind vetëm atëherë kur fjalët shndërrohen në përgjegjësi dhe veprim.
Për të ndërtuar këtë besim, kërkohet një angazhim i qëndrueshëm për dialog të hapur dhe bashkëpunim ndërpartiak. Siç na kujton Jürgen Habermas, “Komunikimi është themeli i demokracisë.” Pa të, gjithçka tjetër mbetet i brishtë.
Ngërçi aktual institucional është shenjë e qartë se mungon vullneti për bashkëpunim. Partitë opozitare kanë deklaruar se nuk mund të bëjnë koalicion me Vetëvendosjen për shkak të fyerjeve të së kaluarës – por edhe nga ana tjetër, retorika ndaj opozitës ka qenë po aq përjashtuese. Në vend të distancimit, kërkohet qasje e re dhe hapje për dialog. Pa këtë, mbetemi peng i një rrethi të mbyllur konflikti”, përfundoi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca, për “Bota sot”.