Çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet? Juristi jep sqarime kushtetuese, ja kur shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme

Politika

Çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet? Juristi jep sqarime kushtetuese, ja kur shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme

Nga: M.L. Më: 17 prill 2025 Në ora: 15:07
Në qendër kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari; majtas deputetja më e re Sala Jashari

Ka dështuar edhe sot (e enjte) konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Qysh në fillim të seancës që nisi në orën 12:00, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari i ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime lidhur me atë se si të vazhdohet tutje.

Ai tha se këto konsultime janë të nevojshme në mënyrë që “të mos bëjmë shkelje procedurale, ligjore dhe kushtetuese”.

Me t’u kthyer sërish në sallën e Kuvendit z. Dehari njoftoi se gjatë konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, nuk kishte konsensus se si të shkohet përpara, prandaj edhe ndërpreu seancën. Një seancë tjetër Dehari e ka thirrur për të shtunën në orën 12:00, epilogu i së cilën nuk dihet ende se si do të jetë.

Juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Bota sot", ka komentuar çështjen e afateve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke sqaruar se Kushtetuta nuk parasheh ndonjë afat 48-orësh për thirrjen e seancës konstituive.

Ai thekson se presidentja ka një afat prej një muaji për ta thirrur seancën, dhe në rast të moskonstituimit të Kuvendit, vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në Kushtetutën e Kosovës nuk parashihet një afat prej 48 orësh për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit.

Presidenti/ja ka afat një (1) muaj për të ftuar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Afatet si ai prej 48 orësh, janë të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën. Afati për thirrjen e seancës konstituive është një muaj”, ka thënë Kelmendi duke theksuar se, në Kushtetutë nuk ka afat për moskonstituimin e Kuvendit.

“Nuk dihet saktësisht sa mund të zgjasë një gjendje e tillë. Natyrisht, Presidentja duhet të veprojë sipas Kushtetutës. Presidentja nuk është e obliguar nga Rregullorja e Kuvendit, por nga Kushtetuta e Kosovës. Vetëm në bazë të normave kushtetuese, Presidentja mund ta kërkojë konstituimin e Kuvendit ose të shpallë zgjedhje të reja dhe të jashtëzakonshme”, ka nënvizuar ai.

Juristi ka thënë po ashtu se moskonstituimi i Kuvendit nuk është i njëjtë me moszgjedhjen e Qeverisë.

Nuk mund të shkohet në pafundësi me një Kuvend të pakonstituuar. Këto janë dy çështje të ndryshme. Vendi nuk mund të mbetet pa Kuvend dhe pa Qeveri.”, ka nënvizuar ai.

I pyetur nga gazeta “Bota sot” se çfarë pritet të ndodhë në seancën e së shtunës, Kelmendi u shpreh se partitë do të përpiqen të bëjnë marrëveshje

“Do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje. Ose do të shkohet në Kuvend dhe do të votohet”, ka përfunduar juristi.

Ndryshe, çështja e konstituimit të Kuvendit ngeci të martën për shkak se partitë opozitare refuzuan që ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve pa e i dorëzuar dorëheqjet e tyre anëtarët e Qeverisë me në krye Albin Kurtin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat