“Mos është Fatmiri në rrezik?”- Nga SHBA vijnë shqetësime për koaliconin LVV-Nisma, përmenden kërcënime e shantazhe

Politika

“Mos është Fatmiri në rrezik?”- Nga SHBA vijnë shqetësime për koaliconin LVV-Nisma, përmenden kërcënime e shantazhe

Nga: M.L. Më: 18 prill 2025 Në ora: 12:09
Fatmir Limaj dhe Albin Kurti

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka mbetur në vendnumëro që nga e marta, 15 prill, për shkak të një kontesti kushtetues të ngritur nga LDK, PDK dhe AAK, lidhur me raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve.

Sipas këtyre partive, anëtarët e Qeverisë në detyrë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, është dashur të japin dorëheqje nga pozitat e mëparshme përpara se të betoheshin si deputetë.

Në pamje të parë, kjo mund të duket si një çështje protokollare, por në prapaskenë lë të kuptohet se mund të fshihet diçka më e thellë.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka zyrtarizuar asnjë koalicion paszgjedhor për formimin e qeverisë së re.

Në qendër të vëmendjes ditët e fundit ka qenë Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, me tre deputetët e saj. Ajo as nuk ka konfirmuar, e as mohuar mundësinë e një bashkëpunimi me Vetëvendosjen. Madje, është përfolur se z. Limaj mund të propozohet për postin e kryetarit të Kuvendit, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme.

Megjithatë, fakti që as të enjten Kuvendi nuk u konstituua, ka shtuar dyshimet në opinion se mbi Limajn mund të ushtrohet presion për të mos iu bashkuar Vetëvendosjes.

Kështu të paktën ka thënë gjenerali Muharrem Maralusha, i cili në një postim në Facebook ka deklaruar se ka informacione që Limaj mund të tërhiqet.

“Një person që punon për një agjenci të huaj dhe fizikisht ndodhet në Kosovë, para 10 minutash më thirri me një mesazh të shkurtër:

"Fatmir Limaj ndoshta po tërhiqet nga një koalicion me Albin Kurtin."

Arsyeja është se disa aleatë të Fatmirit janë të mendimit se do të ishte më mirë për të që të tërhiqet.

P.S.: Unë jam i mendimit se ky lajm ka kredibilitet, sepse vjen nga një person (ose persona) me besueshmëri të lartë.

Mos është Fatmiri në rrezik?”, ka pyetur Maralusha.

Ky koment ka ngjallur reagime të shumta. Mes tyre ka reaguar edhe veprimtari shqiptar në SHBA Hafiz Shala.

Image
Hafiz Shala

Ai ka thënë se postimi i gjeneral Maralushajt nuk është befasi pasi partitë opozitare, të ashtuquajtura si të dala nga lufta, mënyrën e fundit për të ardhur në pushtet e kanë pasur përmes kërcënimeve dhe shantazheve.

“Qeverisja 20-vjeçare e ish-pushteteve, të cilët, në bashkëpunim me Listën Serbe, erdhën në pushtet, falën territore, bënë koncesione ndaj Serbisë në dëm të Dardanisë, nuk patën qasje në pjesën veriore për t’ia hequr Serbisë kontrollin (sovranitetin) në atë pjesë, bashkëpunuan me grupet kriminale në veri, ushtruan biznese të përbashkëta dhe morën nën kontroll doganat. Hajnia, krimi dhe pasurimi i jashtëligjshëm, heshtja ndaj sulmeve në Banjë dhe Kanalin Ibër-Lepenc – siç deklaronte Xhavit Haliti në pyetjen e një gazetari se a ishte akt terrorist, e ai përgjigjej se “unë nuk e di që është akt terrorist” – çojnë në përfundimin se partitë opozitare janë në krizë, sepse janë të shantazhuara nga Serbia përmes Radoiçiqit dhe grupit të tij. Serbia i ka të gjitha të dhënat dhe, kur t’i duhet, mund t’i shpalosë”, ka thënë Shala.

Ai ka theksuar se, AKI-ja duhet të jetë shumë vigjilente, që të mos ndodhë ndonjë akt me pasoja fatale.

“Qëllimi kryesor i opozitës nuk është vetëm pushteti si qëllim në vetvete, por pushteti për të mbuluar të bëmat 20-vjeçare dhe për të ikur nga përgjegjësia penale për vjedhje dhe konfiskimin e pasurisë. Opozita nuk e ka më Dragodanin për ta parë përmes gishtave, duke e pasur Amerikën në gojë dhe duke u paraqitur si “proamerikanë”, ndërkohë që vidheshin pa mëshirë. Në pyetje është siguria e vendit, në këtë vakum institucional”, ka nënvizuar ai.

Shala ka potencuar se marrja e pushtetit nga Albin Kurti, është kërcënim për opozitën, Listën serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre, sepse ata tani duhet të përballen me ligjin.

“Zbatimi i ligjit mund të bëhet vetëm nga njerëz të pakorruptuar dhe të pashantazhuar.

Merreni me mend: Vendimi, vullneti i sovranit dhe përfundimi i një mandati katërvjeçar për herë të parë në historinë e Republikës së Dardanisë – është thjesht një çmenduri e opozitës së dështuar”, ka përfunduar Shala.

Ndryshe, një seancë tjetër për konstituimin e Kuvendit është thirrur për nesër me fillim nga ora 12:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat