SHBA-ja kërkon drejtësi për Vasfije Krasniqin

Politika

SHBA-ja kërkon drejtësi për Vasfije Krasniqin

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 prill 2025 Në ora: 09:49
Foto ilustrim

Dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë ka lënë plagë të thella që ende nuk janë shëruar. Këto krime të kryera gjatë luftës në Kosovë ende nuk janë ndëshkuar. Pavarësisht kalimit të viteve, barbarët serbë po vazhdojnë ta “shijojnë” lirinë e tyre, kurse dhimbja dhe traumat e viktimave mbeten të pandëshkuara.

14 prilli shënohet si Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, një ditë ku kërkohet drejtësi, si çdo vit tjetër. Edhe në këtë ditë u kërkua drejtësi, si çdo vit tjetër.

Më 10 prill, Kongresistët amerikanë kanë dërguar një propozim-rezolutë në Komisionin për Punë të Jashtme, në të cilin bëhet thirrje për ndalimin e pandëshkueshmërisë së krimeve seksuale të luftës të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Iniciatorët e kësaj rezolute janë demokratja Julie Johnson dhe republikani Keith Self, të cilët në këtë projekt-rezolutë kanë  edhe rrëfimin e Vasfije Krasniqi Goodman, një prej mbijetuesve të këtyre krimeve.

Krasniqi Goodman është arsyeja pse Johnson dhe Self kanë kërkuar që të dënohen ata që kanë kryer këtë krim.

 “Duke bërë thirrje për t'i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve të pandëshkuara të luftës seksuale serbe gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, në rastin e shtetases së Shteteve të Bashkuara dhe mbijetueses së krimeve seksuale të luftës, Vasfije Krasniqi Goodman, dhe të mbijetuarve të tjerë të dhunës seksuale dhe me bazë gjinore,” shkruhet në titullin e projekt-rezolutës. 

Në projekt-rezolutë, përmendet gjithashtu denoncimi i rastit nga Krasniqi Goodman në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në KFOR-in francez më 21 prill 2004.

 “Znj. Krasniqi e raportoi rastin e saj në UNMIK më 10 shtator 1999, pa asnjë rezultat, si dhe në KFOR-in francez më 21 prill 2004, por mosveprimi i të dy këtyre organeve shkaktoi vështirësi dhe vonesa shtesë në rastin e saj,” thuhet në projekt-rezolutë.

Përveç kësaj, në rezolutë theksohet se Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe ka marrë njohjen e mbi 100 shteteve, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 23 nga 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, edhe pse Serbia ende refuzon këtë realitet.

Në fund, projekt-rezoluta kërkon nga shteti i Serbisë që të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për krimet seksuale të luftës dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mbështesin angazhimet për të kundërshtuar dhe parandaluar praktikën e dhunës me bazë gjinore.

Dhuna seksuale në Kosovë domosdoshmërish duhet të dënohet

Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve juridike, profesori Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim për "Bota sot", e ka quajtur një hap të rëndësishëm për pasqyrimin e krimeve serbe në Kosovë.

Image
Muhamet Kelmendi

Propozim-rezoluta e nxjerrë nga kongresistët amerikanë, drejtuar Komisionit për Punë të Jashtme, është hap i rëndësishëm për të pasqyruar krimin më të rëndë në Kosovë: dhunimet seksuale që forcat okupuese serbe i kanë bërë mbi shqiptarët.

Nga të dhënat e debatit të bërë, thuhet një shifër prej 20 mijë femrave dhe burrave shqiptarë të përdhunuar.

Forca dhe intensiteti i këtij krimi është i lartë.

Mendohet se brenda disa muajsh, kryesisht gjatë muajit mars, prill, maj dhe qershor të vitit 1999, janë përdhunuar të gjitha këto femra dhe meshkuj shqiptarë nga forcat paramilitare, militare, policore dhe ushtarake serbe në Kosovë.

Dhuna e tillë seksuale është e intensitetit të lartë. Armiqtë e futën këtë mjet si qëllim për të denigruar dhe ç’ vlerësuar moralin historik shqiptar.

Me këtë deshën të arrijnë konflikte brenda për brenda shqiptarëve dhe kështu të kemi ikje nga vendi, si mjet shpëtimi nga turpi i bërë mbi të përdhunuarit — kuptohet, për të serbizuar Kosovën”, ka shprehur ai.

Më tej, ai ka shpjeguar se pas kësaj kërkese, çfarë mekanizmash duhet të futen në veprim, si dhe ka treguar se çfarë duhet të bëjnë organet e Kosovës në këtë rast.

 “Kërkesa e kongresistëve amerikanë është një hap i qëlluar për të kapur dhe dënuar krimet më monstruoze serbe në Kosovë.

Natyrisht, pas Rezolutës kërkohet të futen në veprim mekanizmat përkatës dhe të kërkohet, qoftë edhe përmes OKB-së, dënimi i monstruozëve serbë.

U takon gjithashtu organeve të Kosovës që kudo të dërgojnë prova mbi këtë dhunë të paimagjinuar shoveno-raciste serbe.

Kjo dhunë mund të ndëshkohet vetëm me krijimin e një Gjykate të Specializuar për ndëshkimin e krimeve të dhunës seksuale në Kosovë nga shteti serb.

Në Gjykatën Speciale është vendi i dënimit të kriminelëve monstruozë serbë.

Me atë krijohet një bazë që krimi i tillë të mos kalojë pa ndëshkim. Dhe, nuk duhet të kalojë”, ka theksuar ai.

Po ashtu, profesori ka potencuar se Serbia duhet të ndëshkohet për dhunën seksuale të kryer në Kosovë.

“Shteti serb është treguar gjatë luftës në Kosovë si shtet barbar. Raste të tilla, në këtë gjerësi dhe me këtë intensitet, kanë ndodhur vetëm në skllavëri.

Serbisë duhet t’i jepet një ndëshkim që të marrë një mësim se dhuna e tillë seksuale nuk tolerohet dhe dënohet.

Në fakt, me një ndëshkim të tillë fiton edhe vetë BE-ja dhe mbarë bota demokratike.

Kuptohet se edhe për shqiptarët është një lehtësim i madh psikik.

Me këtë tregohet se dhuna nuk do të kalojë pa ndëshkim të lartë dhe të dhimbshëm, si për shtetin, ashtu edhe për kombin”, ka potencuar Kelmendi.

Qarri: Vasfije Krasniqi luftoi e vetme

Në anën tjetër, analisti politik Gani Qarri ka vlerësuar se duhet t’u shprehim mirënjohje ligjvënësve amerikanë, të cilët kërkuan drejtësi për viktimat e dhunës seksuale.

 “Në çastet kur pikërisht ndodhemi para 14 Prillit – Ditës Kombëtare për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Kosovës gjatë Luftës në vendin tonë, që nga ajo kohë, është kthyer në një nga pjesët më të dhimbshme të historisë tonë më të re, është momenti vendimtar, për të falënderuar pafundësisht dhe shprehur mirënjohjen tonë më të thellë dhe të veçantë shtetërore, morale e njerëzore të gjithë ligjvënësve amerikanë, të cilët përfundimisht thyen heshtjen gati tri-dekadëshe të mosndëshkimit dhe kërkuan zyrtarisht drejtësi për viktimat shqiptare, si Vasfije Krasniqi, që atëbotë ishte vetëm 16 vjeçare dhe të mbijetuarave tjera të dhunës seksuale gjatë luftës gjenocidale të Serbisë okupatore, kundër popullit të pambrojtur të Kosovës, jeta e të cilave nga ajo ditë, ka ndryshuar përgjithmonë dhe vijon të na godas fort të gjithëve me pandëshkueshmërin e krimeve të rënda gjenocidiale serbe, sot e atëherë”, ka thënë ai.

Image
Gani Qarri

Po ashtu, ai e ka përmendur edhe rolin e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi, në luftën për të dëshmuar krimet serbe në Kosovë.

“Ishte zonja Vasfije Krasniqi, ajo që edhe në kohën kur ish politikan të shantazhuar e të dehumanizuar partiak e shtetëror dhe argati i tyre, si spiuni i Ivica Stanishiqit Baton Haxhiu, pa i pyetur fare viktimat e mbijetuara as familjarët e të kidnapuarve dhe të vrarëve e të plagosurve shqiptar, kërkonin publikisht faljen dhe harrimin e të gjitha krimeve dhe veprave më të rënda gjenocidiale të Serbisë okupatore në Kosovë, luftonte pothuajse e vetme, me mish e me shpirt, siç po dëshmon me fakte edhe sot, para gjithë botës se, nuk ka jetuar thjeshtë, vetëm sa për të rrëfyer, por përkundër të gjitha vuajtjeve e vështirësive, dhe pengesave nga politikanët e shantazhuar vendor, ka mbijetuar e bërë aq e fortë sa edhe për të iniciuar Rezoluta deri në Kongresin Amerikan, për dënimin e krimit e të gjenocidit të organizuar shtetëror të Serbisë fashiste dhe ndëshkimin e kriminelëve të pandëshkuar pushtues serb, tash e mbi një çerek shekulli, nga askush, për krimet dhe gjenocidin e të gjitha formave dhe mënyrave më barbare, të kryera, gjatë viteve të luftës, nga okupatorët e paskrupullt serb, në vendin tonë”, ka thënë Qarri.

Sipas tij, e gjithë merita për këtë rezolutë të kongresistëve amerikanë i takon zonjës Krasniqi.

 “Miratimi zyrtar dhe dalja e Kongresistëve Amerikan me projektrezolutë të veçantë për dënimin e krimeve seksuale të luftës në Kosovë, veçanërisht të të mbijetuarave të dhunimit dhe krimeve të organizuara shtetërore seksuale të policisë dhe ushtrisë okupatore serbe, si ndaj Vasfije Krasniqit dhe femrave tjera shqiptare, viktima të mbijetuara të dhunës, gjenocidit dhe krimeve barbare serbe, gjatë viteve të luftës në Kosovë, megjithëse nuk është meritë e politikës, por heroizëm i viktimave të mbijetuara të dhunës gjenocidiale serbe, si Vasfije Krasniqi, është një akt i madh historik dhe hap i fuqishëm ndërkombëtar përpara, përmes të cilës, për herë të parë, me një dokument të votuar në mënyrë zyrtare, nga Kongresi Amerikan, kërkohet drejtësi, për të mbijetuarat e krimeve seksuale, nga ushtarët dhe policët kriminel të pandëshkuar asnjëherë të okupatorit serb.

Po ashtu, Qarri ka thënë se kjo rezolutë kërkon drejtësi dhe llogaridhënie nga Serbia, si dhe ndëshkimin e autorëve serbë të këtyre krimeve.

Ai ka theksuar faktin se rezoluta u ri-prezantua në prill të vitit 2023 nga kongresisti Colin Allred.

“Me Rezolutën e miratuar, kongresistët amerikan, për herë të parë i bëjnë thirrje me një projektrezolutë zyrtare, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që krahas rastit të  zonjës Vasfije Krasniqi Goodman edhe për të mbijetuarat tjera të dhunës seksuale, me bazë gjinore- gjegjësisht femrave shqiptare viktima të këtij krimi gjenocidial serb, të ngritet si çështje e veçantë për drejtësi në angazhimet e ardhshme bilaterale të SHBA-ve me qeverinë kriminale të Serbisë, për llogaridhënie nga Serbia dhe dënimin e autorëve serb të krimeve të luftës të kryera kundër grave dhe të rinjve (edhe burra) të pambrojtur shqiptar, gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Në fakt duke ju falënderuar të mbijetuarës së dhunës monstruoze gjenocidiale serbe, tanimë edhe me shtetësi amerikane zonjës Vasfije Krasniqi - Goodman, dokumenti i njohur si Rezoluta 36, e cila ka të bëjë me dënimin e krimeve seksuale, u rifut serish  në fund të muajit prill të vitit 2023, nga kongresisti republikan Colin Allred, në Kongresin Amerikan dhe tanimë përmes saj edhe zyrtarisht, me propozim-rezolutë të veçantë, i bëhet thirrje administratës së shtetit, nga vet Kongresi Amerikan, për ti dhënë fund mosndëshkimit të krimeve të pandëshkuara seksuale të luftës, nga kriminelët serb, gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Andaj zonja Vasfije Krasniqi -Goodman, kishte shumë të drejtë dhe arsye të madhe, kur me rastin e rifutjes së Rezolutës 36, në Kongresin Amerikan nga Republikani Colin Allred, këtë akt e quajti edhe një ditë të rëndësishme për drejtësi në luftën e saj të gjatë me bashkëpunëtore dhe bashkë mbijetuese të krimit gjenocidial të okupatorëve serb, për jetësimin e kërkesës së të mbijetuarave të krimeve seksuale serbe të luftës në Kosovë, e cila përveç falënderimit të veçantë të Kongresmenit Colin Allred, gjë që është plotësisht e kuptueshme, ajo me të drejtë falënderonte shumë edhe Vera Mjekun për angazhimin e madh të saj dhe bashkë-sponzoruesit për përkushtimin e tyre të lartë e të fuqishëm, që më në fund, kjo edhe të realizohej”, ka shtuar ai..

Tutje, Qarri ka shtuar se me dorëzimin e Rezolutës u thye heshtja e gjatë ndaj krimeve seksuale të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. 

“Dhe siç dihet, tanimë përveçse u thye heshtja e gjatë për këtë krim të paparë ndaj viktimave të pambrojtura shqiptare, kongresistët amerikanë, propozim-rezolutën e kanë dorëzuar edhe në Komisionin për Punë të Jashtme, ku bëhet thirrje për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve seksuale, të kryera nga forcat okupatore serbe gjatë viteve të luftës në Kosovë, që nënkupton edhe regjistrimin e një dokumenti zyrtar në Kongresin Amerikan, mbi gjenocidit serb të kryer gjatë luftës në Kosovë dhe ringjallë shpresat për ndëshkimin përfundimtar të autorëve të këtij krimi, tash e mbi 26 vite, të pandëshkuar, nga askush dhe me asnjë vendim, apo dokument valid të drejtësisë ndërkombëtare”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Qarri ka dhënë edhe një porosi për institucionet e Kosovës që të marrin hapa konkretë për të shtyrë më tej procesin e drejtësisë, duke kërkuar që në Kongresin Amerikan të miratohet një dokument tjetër zyrtar, i cili kërkon hapjen e arkivave ushtarake dhe policore të Serbisë. 

 “Por përveç kësaj propozim-rezolute, e cila natyrisht, ka rëndësi të pazëvendësueshme për Kosovën dhe rritë shpresat se përfundimisht do të nisë edhe vendosja e drejtësisë ndërkombëtare, për gjenocidin dhe krimet e okupatorit serb në Kosovë, shteti i Kosovës dhe ministria përkatëse, duhet të marr shembull nga ky akt dhe të insistojnë me çdo mjet e mundësi, përmes të gjitha kanaleve diplomatike, lidhjeve miqësore e resurseve njerëzore, veçanërisht grupeve dhe organizatave aktive të mërgimtarëve shqiptar, të cilat veprojnë në Amerikë, që në Kongresin Amerikanë, të miratohet edhe një Rezolutë apo një dokument zyrtar i ligjvënësve amerikanë, për hapjen e arkivave policore e ushtarake të Serbisë fashiste dhe kthimin e mbi 6 mijë trupave të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar nga Serbia okupatore, që tash e mbi 26 vite, fashisti Vuçiq, i cili edhe atëherë ishte pjesë me rëndësi e aparatit shtetëror, kriminel serb, ka lënë familjarët në Kosovë të presin me varre të hapura, duke i mbajtur peng edhe për së vdekuri, trupat e tyre në Serbi dhe moskthyer ata, as për së vdekuri në atdhe, ku familjarët, të paktën do të kishin ku ti kujtonin dhe bënin nderimin e shpirtrave të tyre të pafajshëm!”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot” 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat