Mehmeti: Opozita ka marrë rolin e bllokueses – Kosova rrezikon bllokadën më të madhe që nga pavarësia

Politika

Mehmeti: Opozita ka marrë rolin e bllokueses – Kosova rrezikon bllokadën më të madhe që nga pavarësia

Nga: M.L. Më: 21 prill 2025 Në ora: 10:31
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari

Sot, deputetët do ta bëjnë tentimin e katërt për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, të dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kjo pritet që t’i hapë rrugë edhe formimit të Qeverisë së re. 

Seanca ishte ndërprerë të shtunën, pasi partia fituese Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti që t'i merrte 61 vota për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në postin e kryetares së Kuvendit.

Analisti politik Faton Mehmeti ka komentuar zhvillimet e fundit politike rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Ai ka vlerësuar se kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje është vetëm një formalitet, pasi kjo e fundit nuk i ka votat e nevojshme për ta çuar përpara këtë proces.

“Duke qenë se VV nuk i ka pasur votat, e ka propozuar zonjën Haxhiu. Në rast se do t’i kishte votat, do ta kandidonte përsëri z. Konjufca. Kështu që, kandidatura e zonjës Haxhiu është veç formalitet, pasi nuk i ka votat,” ka deklaruar Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo lëvizje e Vetëvendosjes është më shumë një “provokim” për opozitën, sidomos për shkak të qëndrimeve të ashpra të Haxhiut ndaj saj.

“Duke qenë se zonja Haxhiu ka qenë më e ashpër me opozitën, më tepër kjo kandidaturë është provokim ndaj opozitës që ka marrë rolin e bllokueses,” ka shtuar ai.

Mehmeti paralajmëron se bllokada mund të vazhdojë edhe më tej, derisa kryeministri Kurti të arrijë të sigurojë votat e nevojshme.

Ai thekson se pa një marrëveshje politike, ngërçi institucional do të thellohet dhe Kosova rrezikon të futet në krizën më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë.

“Duhet marrëveshje, ose bllokada do të vazhdojë. Kosova mund të futet në bllokadën më të madhe që nga pavarësia e tutje. Besoj se do të ketë ndërhyrje nga ndërkombëtarët nëse kjo gjendje vazhdon edhe më tutje,” përfundoi Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat