Nesër (e enjte 23 prill) do të bëhet tentativa e pestë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të qëndrojë e palëkundur në propozimin e saj që Albulena Haxhiu të zgjedhet në postin e kryetares së Kuvendit, ndonëse nuk po gjen mbështetje nga partitë e tjera politike.
Kryetari i deritashëm i Kuvendit, Glauk Konjufca deklaroi të hënën se nuk heqin dorë nga propozimi i emrit të Haxhiut, ndërsa iu drejtua partive të tjera për një marrëveshje politike.
Por nga dje nuk është se ka pasur ndonjë takim mes partive për ta arritur këtë marrëveshje.
Kjo situatë ka çuar në polarizim të skajshëm të skenës politike në vend, ku nuk po përjashtohet as mundësia e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, publicisti Zejnullah Jakupi ka theksuar nevojën për një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse që do t’i hapte rrugë krijimit të qeverisë së re dhe do të ndihmonte në uljen e tensioneve politike e shoqërore.
Sipas Jakupit, pas përfundimit të verifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, është e domosdoshme që të propozohet një kandidat për kryeministër që do të ishte i pranueshëm për të gjithë. Ai theksoi se mungesa e votimit për z. Haxhiu tregoi nevojën për konsensus dhe jo për imponim.

“Verifikimi u përfundua, tani duhet të propozohet një kandidat, qoftë ky Fatmir Limaj ose një nga LDK, PDK, apo AAK, ose Minoritetet që të jetë i pranueshëm për të gjithë, mbas u tregua se z. Haxhiu nuk u votua dhe për këtë duhet të kishte një marrëveshje politike.
Dhe pastaj të shkohet tutje. Dhe, sa i përket krijimit të qeverisë, PDK dhe LDK ose AAK duhet ta ndihmojnë partinë fituese për ta bërë qeverinë në mënyrë që vendi të mos bllokohet, përndryshe LVV duhet t‘ i drejtohet Listës Serbe.
Me të arritur ky normalitet duhet sa më parë të ndërpritet polarizimi i shoqërisë. Pra, LVV si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe kjo vlen edhe për qeverinë e kaluar dhe këtë nëse do formohet të ndërpres gjuhën polarizuese qofte edhe ndaj kundërshtarëve politik apo ‚oligarkëve‘ siç është rasti me Devollët. Qeveria nuk duhet të ketë kurs konfrontimi as me biznese e as me mediat e tyre. Kjo do ishte në dobi për të gjithë”, ka thënë Jakupi për “Bota sot”.
Jakupi me këtë rast mori si shembull koalicionet në Gjermani, ku me gjithë diferencat ideologjike, partitë arrijnë marrëveshje kur është në pyetje interesi shtetëror.
“Natyrisht rasti i koalicionit në Gjermani ka treguar se "kundërshtaret politikë" mund të kenë pikëpamje, qëndrime ose interesa të ndryshme dhe shpesh të kundërta me njëri-tjetrin në lidhje me mënyrën e qeverisjes, politikat publike, ekonominë, drejtësinë dhe çështje të tjera shoqërore, por kur është në pyetje interesat e vendit duhet të kenë marrëveshje politike, në dallim me rezultati e votueseve”, është shprehur ai.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e një kulture opozitare konstruktive në Kosovë, duke thënë se opozita përfshihet në akuza dhe shpifje në vend se të ofrojë alternativa të qarta politike.
“Në Kosovë nuk kuptohet roli i opozitës. Opozita ka rolin e mbikëqyrjes së qeverisë dhe kritikave ndaj saj kur mendohet se vepron gabim. Por duhet të përmbahet me akuza dhe shpifje siç janë bërë në drejtim të qeverisë dhe Albin Kurtit.
Opozita do të duhej të paraqesin programe dhe ide të ndryshme për të fituar mbështetjen e publikut. Në një demokraci funksionale, kundërshtarët politikë janë të domosdoshëm për të shmangur abuzimin me pushtetin”, u shpreh publicisti.
Tutje, ai bëri thirrje për ndaljen e polarizimit që ka përfshirë jo vetëm politikën, por edhe aspektet kulturore, ekonomike dhe sociale.
“Tani është koha e fundit që të marrë fund Polarizimi në shoqëri i cili referohet ndarjes së thellë dhe shpesh konfliktuoze të mendimeve, qëndrimeve apo bindjeve të individëve apo grupeve brenda një shoqërie, zakonisht për çështje politike, ideologjike, sociale apo kulturore. Duhet të ekziston më shumë tolerancë për mendimet ndryshe dhe diskutimet nuk duhet të shndërrohen në konfrontime por në debate konstruktive”. Polarizim kemi në shumë dimensione si, ai politik, kulturor, ekonomik.
Pasojat e tija janë tepër të dukshme, siç janë rritje e tensioneve dhe konflikteve sociale e kjo shpie në dobësimin e institucioneve demokratike, përhapje e dezinformimit dhe teorive konspirative, rënia e dialogut dhe bashkëpunimit qytetar e që gjitha këta faktorë do kenë ndikim negativ në vendimmarrjen politike”, nënvizoi ai.
Mënyra për ta ulur këtë polarizim, sipas Jakupit do të mund të bëhej përmes promovimit të dialogut të hapur dhe respektues mes palëve, të zhvillohet një edukim qytetar dhe kritik, të kemi media të pavarura dhe me standarde profesionale dhe natyrisht të ketë pjesëmarrje më e gjerë e qytetarëve në jetën politike dhe në vendimmarrje.
Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet nesër me fillim nga ora 10:00.